Adnan Januzaj refuzon Shqipërinë, ylli i Mançesterit zgjedh Belgjikën

619
Sigal

Mediat angleze shkruajnë se, mesfushori i talentuar kosovar preferon “Djajtë e Kuq” belgë

Adnan Januzaj duket se do të qëndrojë një “Djall i Kuq”, edhe në rastin nëse ai do të largohet nga Mançester Junaitid. Mesfushori kosovar 18-vjeçare, sipas portalit briranik “ESPN.co.uk” ka vendosur të zgjedhë Belgjikën dhe jo Shqipërinë. Januzaj shndërrohet kështu në refuzuesin e radhës së Shqipërisë, ashtu siç kanë bërë më parë edhe kosovarët që luajnë me Zvicrën, apo disa shqiptarë që kanë preferuar të veshin fanellën e Greqisë, Sotir Nini apo Gjergji (Panajot) Kone. Është agjenti i Januzajt, ai që ka folur për mediat angleze, duke lënë të kuptohet se zgjedhja e Adnanit peshon nga Belgjika, pavarësisht apelit të tifozëve shqiptarë përmes faqes popullore në rrjetin social “Facebook” (ka arritur mbi 36 mijë pëlqime) dhe ftesës zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit. Aktualisht, Januzaj është në bisedime me Junaitid për të rinovuar kontratën, ndërkohë që për të interesohen disa nga klubet më të mëdha në Europë, përfshirë Barcelonën dhe Juventusin. Tani lojtari i talentuar i Mançester Junaitid, i konsideruar si një “Dejvid Bekham” i ri, është përballë zgjedhjes së të ardhmes së tij ndërkombëtare. Origjina e tij e lejon të luajë me Belgjikën (zotëron pasaportë belge ku dhe është lindur dhe jeton), Shqipërinë (si atdheun e të atit të tij), Turqinë (ka nënë turke) dhe Kosovën (nëse do të krijohet zyrtarisht Kombëtarja), ndërsa në lojë mund të futet edhe Anglia, nëse natyrisht i jep pasaportën dhe merr pëlqimin e lojtarit. Babai i tij, i cili ka një rol thelbësor në të ardhmen e futbollistit të ri, ka deklaruar se për momentin e kanë shtyrë zgjedhjen e një ekip Kombëtar, derisa djaloshi të firmosë një kontratë profesioniste me një klub të madh, ndërkohë që dhe ne daljet e tij mediatike, Januzaj ka refuzuar të deklarojë publikisht zgjedhjen e tij. Ai nuk ka luajtur me asnjë ekip kombëtar moshash dhe nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje ndërkombëtare, edhe pse është thirrur disa herë në Belgjikën U-20.

DE BIAZI

Trajneri i Shqipërisë, italiani Xhani De Biazi, e konsideron si një talent të madh Januzajn, dhe po këtë mendim ndan edhe ai i Belgjikës, Mark Uilmots. Nëse De Biazi pret nisjen e negociatave të Federatës Shqiptare, trajneri belg shpreson në ndihmën e Marouane Fellainit, shok skuadre me Adnan Januzajn te Mançester Junaitid, të ndikojë te kosovari. Në fakt, pritej që Januzaj t’i thoshtë “PO” Shqipërisë, pasi sipas ish-trajnerit të rinjve të Belgjikës, Mark van Geersom, ai ka refuzuar disa herë ftesën belge. Januzaj ka lindur më 5 shkurt të vitit 1995 në Bruksel nga prindër kosovarë. Në moshën 10 vjeçare, hyri në klubin e suksesshëm belg Anderleht, të cilin e la në mars të 2011-ës për skuadrën prestigjioze Mançester Junajtid. Ai la përshtypje të thella tek “djajtë e kuq” kur ishte vetëm 16 vjeç në një eveniment për shfaqjen e aftësive në futboll në Bruksel. Në mbyllje të sezonit 2012-2013, menaxheri i Junajtid, Sër Aleks Ferguson, i dha Januzajt numrin 44 të skuadrës britanike. Më 11 gusht të 2013 Januzaj bëri debutimin e tij për Mançester Junajtid në ndeshjen kundër Uigan, takim që përfundoi me rezultatin 2-0, ndërkohë që ka fituar edhe disa aktivizime të tjera në Premier Liga.

FSHF-ja: “Januzaj pret Anglinë”

 Para pak ditësh përfaqësues të Federatë Shqiptare te Futbollit janë takuar me Adnan Januzajn, për ti paraqitur një tjetër ftesë zyrtare. Sipas tyre, Januzaj as nuk e dinte ku binte Shqipëria e as nuk ka me te voglin shans për të luajtur me përfaqësuesen “Kuq e Zi”. Biseda ka rezultuar “nul”  pasi nuk ka pasur asnjë lloj reagimi apo tundimi si nga Adnani ashtu edhe nga babai i tij. Përgjigja e tyre ishte shkurt: “Presim Anglinë”. Kështu, që  mësa duket duhet te heqim dore nga shpresat për këtë lojtar duke besuar tek lojtarët tanë aktualë dhe tek elementët e tjerë që luajnë si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Pak ditë më parë, Ilir Shulku, sekretar i përgjithshëm i FSHF-së tha se “Januzaj nuk e do Shqipërinë dhe se ai kishte pak shanse për të luajtur me kombëtaren kuqezi”.

Profili

Andan Janzua

Ditëlindja: 05.02.1995

Vendlindja: Bruksel

Mosha: 18 vjeç

Gjatësia: 180 cm

Kombësia: Belge, Kosovare

Pozicioni: Mesfushë, mesfushor i djathtë

Këmba që përdor: e majta

Klubi: Mançester Junajtid 2011-2013

Numri: 44

Preventivi i ndërtimit të impiantit të ri kombëtar arrin shumën e rreth 35 milionë eurove

  Refuzon Rama, Duka është në kërkim të milionave për stadiumin

  Në tetor të vitit 2010, ish-Kryeministri Sali Berisha premtoi ngritjen e një stadiumi të ri kombëtar në vend të “Qemal Stafës”, një projekt që mbeti në letër edhe pse u vendos si afat përfundimi nëntori i 2012-s. Me ardhjen e qeverisë “PS-LSI”, të gjithë shpresonin në “dritën jeshile” të Kryeministrit Edi Rama, për financimin e stadiumit, por kreu i PS-së e refuzoi financimin e afërt, duke thënë se nuk është në planet afatshkurtra të Qeverisë së ti. Deklarimin e tij Kryeministri Edi Rama e bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut la të kuptohej se financimi i ndërtimit të stadiumit nuk është në planet e afërta të qeverisë. Rama u shpreh se në këto çaste prioritet është nxjerrja e vendit nga gremina financiare.

Për impiantin e ri ka një projekt konkret për një stadium të standardit Elite të UEFA-s, i cili pas konsultimeve mes studios arkitekturore spanjolle “RFA” dhe Federatës shqiptare të futbollit parashikon ngritjen e një impianti me kapacitet prej rreth 22 mijë vendesh, ndryshe nga ideja fillestare për një stadium që do të mund të priste 33 mijë persona por kërkonte një financim prej 60 milionë Eurosh, reduktim ky i cili u bë pikërisht për të ulur koston e ndërtimit pasi në bazë të parametrave të caktuar të stadiumeve në Europë një vend i ulur kushton rreth 1500 Euro dhe me projektin e fundit preventivi i ndërtimit arrin shumën e rreth 35 milion eurove. Në fakt, Rama u tregua i kujdesshëm të mos bënte premtime konkrete për impiantin e ri sportiv të futbollit, ndryshe nga paraardhësi i tij Berisha, që pati premtuar se do të mbështeste me financim ndërtimin e stadiumit kombëtar me parametra moderne edhe pse një gjë e tillë mbeti vetëm në kuadrin e deklaratave. Në bazë të projektit ‘Stadiumi” është parashikuar se do të ndërtohet me një sipërfaqe prej 41.500 metrash katrorë dhe nga 22 mijë vendet e ulura 75% e tyre do të jetë e mbuluar. Me pozicionimin e fundit të kreut të ekzekutivit për mosfinancimin e projektit tashmë i mbetet Federatës Shqiptare të Futbollit të kërkojë e sigurojë mundësi dhe rrugë të tjera financiare për të jetësuar projektin e stadiumit të ri kombëtar, një domosdoshmëri për kushtet e kohës dhe standardet ndërkombëtare të FIFA-s dhe UEFA-s. Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, gjatë një interviste të tij u shprehe se, ndeshja me Zvicrën do të ishte sfida e fundit ndërkombëtare që do të luhej në “Qemal Stafa” dhe se në muajin nëntor do të zgjidhej kompania që do të merrej me konsulencën e ndërtimit të impiantit të ri.