Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi kuqezi Faruk Sejdini: Me Çekinë barazim i drejtë, me Ukrainën do fitojmë 1-0

KOMBËTARJA/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi kuqezi Faruk Sejdini, beson te suksesi. 

Nga Agron KAJA

Grupi B1 në Ligën e Kombeve, ka tre skuadrat e para që janë shumë pranë, si e përshkruani ju këtë situatë?

Sigal

Mendoj se ky grup ishte ndoshta pa një kokë grupi, jo si te grupet e tjera. Sepse të treja këto ekipe janë kryesuese dhe ende nuk dihet kush do jetë kokë grupi. Është një renditje në bazë të vlerave të tyre, me specifikat e veta për çdo skuadër.

Shqipëria e mbylli në barazim 0-0 ndeshjen me Çekinë, duhet thënë se ishte një rezultat real?

Para ndeshjes, po të na pyesnin për rezultatin, do thonim mos humbnim, madje pranoja barazimin. Por si u zhvillua ngjarjet në lojë, ishte rezultat i drejtë dhe të jemi të kënaqur, sepse nuk humbëm, dhe bëhet diçka pozitive për Ukrainën.

Nga pjesa e parë në të dytën, cila është sipas jush tablloja e lojës së kombëtares sonë në këtë sfidë?

E nisëm me një disavantazh në 20 minutat e para, ku çekët dominuan dhe fati na ndihmoi që nuk pësuam gol. Në pjesën e dytë skuadra reflektoi, e hoqi mantelin e ekipit të trembur, duke u veshur në lojë me mantelin e ekipit që duhet të sulmojë.

Sa i përket performancës së futbollistëve tanë në këtë ndeshje, si e përshkruani?

Brënda në ekip kemi lojtarë shumë të mirë për këto nivele, dhe mund të bëjmë më mirë. Sepse edhe ata lojtarë që u futën në lojë si zëvendësuesa, nuk kishin diferenca dhe hynë të gatshëm për çdo situatë. Skuadra krijoi më shumë siguri.

Po trajneri Silvinjo, si e menaxhoi skuadrën në përballjen me Çekinë?

Fillimi i ndeshjes nuk ishte punë trajneri, por më shumë anë psikologjike. Sepse dukeshin si të pa përgatitur për forcën e presingut që bëri Çekia. Ata e dinin se ishte ekip i fortë, por u çentruan me vonesë. Këto situata vetë futbolli i pranon.

Me Çekinë, tifozeria u tregua shumë e rregullt, edhe pse Çekët provokuan në rastin e himnit dhe gjatë ndeshjes, si e vlerësoni?

Besoj se tifozët tanë me këtë që bënë me Çekinë, u treguan të emancipuar dhe të zgjuar, madje i dhanë mësim gjithë tifozerisë shqiptare. Ata panë edhe fenomenin në ndeshjen Rumani-Kosovë e besoj se edhe ajo influencoi. Ishte për t’u përgëzuar.

Të martën mbyllen ndeshjet në grup, ku duhet të ndryshojë Silvinjo për ndeshjen me Ukrainën?

Me Ukrainën është një ndeshje për t’u fituar. Duhet që të gjitha bateritë të shkarkohen në 90 minuta. Të bëjmë punën mirë dhe të ngulim këmbë që as sa të jemi pragmatistë, nuk duhet të prevalojë dëshira para asryes. Të jenë në ekuilibër.

Bilancin e kemi negativ, po ju si e parashikoni ndeshjen e Kombëtares sonë me Ukrainën?

Këtë ndeshje e parashikoj 1-0 për ne (Shqipërinë). Arsyet i tregova më sipër dhe bilanci nuk ndikon. Do jetë një ndeshje jo me shumë gola, por ne do ta fitojmë. Të kemi parasysh se nuk jemi një ekip pa eksperiencë. Filozofia e fitores do na sjellë rezultatin.

Sa vlerë ka kjo Ligë e Kombeve për futbollin europian në tërësi, këtu edhe për Shqipërinë?

Problemi është se kemi hyrë në korsinë e ekipeve të rëndësishëm, pretendentë dhe shpesh më shumë se të barabartë. Lojtarët marrin besim dhe kundërshtarët luajnë më të kujdesshëm. E rëndësishme është se na konsolidon për të ecur më përpara.

 

Formacioni i mundshëm

Shqipëria: 1-4-2-3-1

Strakosha

Balliu     Ajeti              Ismajli Mitaj

Ramadani        Asllani

Muçi                Laçi                 Bajrami

Daku

 

1 NDESHJE

Me Ukrainën, Shqipëria luan 90 minutat e fundit në Ligën e Kombeve. Fitorja e mban në lojën e kualifikimit.

LIGA E KOMBEVE

LIGA B-GRUPI B1

Ndeshjet e luajtura

Ukrainë-Shqipëri         1-2

Shqipëri- Gjeorgji       0-1

Çeki-Shqipëri              2-0

Gjeorgji-Shqipëri         0-1

Shqipëri-Çeki              0-0

RENDITJA

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Çekia            5          8

2.Gjeorgjia      5          7

3.Shqipëria      5          7

4.Ukraina        5          5

Ndeshjet e fundit

Datë 19 nëntor 2024

Shqipëri-Ukrainë         20:45

Çeki-Gjeorgji              20:45

 

SHQIPËRI-UKRAINË

NDESHJE TË LUAJTURA

29 mars 1997/ K. Botës

Shqipëri-Ukrainë         0-1

20 gusht 1997/ K. Botës

Ukrainë-Shqipëri         1-0

9 shkurt 2005/ K. Botës

Shqipëri-Ukrainë         0-2

8 tetor 2006/ K. Botës

Shqipëri-Ukrainë         2-2

3 qershor 2016/ Miqësore

Shqipëri-Ukrainë         1-3

3 qershor 2018/ Miqësore

Shqipëri-Ukrainë         1-4

7 shtator 2024/ L. Komb.

Ukrainë-Shqipëri         1-2

BILANCI HISTORIK

Nd7, F1, B2, H4, G 6:14

 

TRAJNERI DHE KAPITENI NË KONFERENCËN E SHTYPIT

“Trembet” Silvinjo: Ndeshje e hapur për të tre rezultatet

Dje pasdite, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Ismajli, dolën në konferencën për shtyp, para ndeshjes me Ukrainën, e fundit për Ligën e Kombeve Grupi B1. “Çdo gjë është e ndryshme, kur krahasojmë një ndeshje para tre muajsh. Ky është një nga grupet më të balancuar në National League dhe çdo gjë është e hapur, pasi të katër skuadrat kanë bërë Europian të mirë, janë ekipe të mira me trajnerë të mirë dhe karakteristika të mira. Do të kërkojmë të fitojmë, luajmë përpara publikut tonë. Teknikisht kemi shanse për të qenë të parët dhe do të japim maksimumin tonë duke respektuar maksimalisht kundërshtarin. Është ndeshje e hapur që i ka të tre rezultatet”. Ndërkohë që më parë Ismajli u shpreh se do futen në fushën vetëm për fitore. “E dimë që tani është më vështirë, nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga rezultati i Çekisë. Ne do futemi vetëm për fitore, rrugë tjetër nuk ka. Shpresoj të kemi fat dhe ta mbyllim në vendin e parë”.