Flet Altin Rraklli: Të kisha mundësi shënoja 10 gola

1012
Sigal
Shqipëri – Gjermani, ndeshja e adhuruar ndër vite për të gjithë shqiptarët, do të rikthehet përsëri në qendër të vëmendjes së shqiptarëve. Tashmë jo për kombëtaret e mëdha, por për veteranët, ndërsa kjo ndeshje luksi do të luhet më 7 maj në “Elbasan Arenä”. Kuqezinjtë kanë 14 vjet që nuk janë ndeshur me gjermanët dhe ndeshjet me ta janë gjithmonë të freskëta për emocionet që kanë sjellë tek shqiptarët. Një ndër ata që ka shënuar gol në portën gjermane është dhe Altin Rraklli, që më 16 dhjetor 1994 do të ngushtonte rezultatin në 2-1 në Kaizerslautern. Pikërisht emocionet e atij goli, ironinë e gjermanëve dhe shikimin shtrembër se si një shqiptar mund të shënonte në portën e tyre, sulmuesi kavajas ka pranuar t’i rrëfejë për Gazetën Telegraf. Sepse një ndeshje mes veteranësh me Gjermaninë duket se është kënaqësi për të gjithë. Ja dhe intervista e Altin Rrakllit për Gazetën “Telegraf”. 
– Sapo ka ardhur lajmi për një ndeshje veteranësh me Gjermaninë. Ju jeni ndër ata që jo vetëm i keni shënuar Gjermanisë, por dhe pjesën më të madhe të karrierës e keni bërë atje. Çfarë zgjon kjo miqësore me veteranët gjerman për ju?
– Ndodhesha për momentin në zyrën time në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe rastësisht e mora vesh këtë lajm. Ngaqë isha atje nxitova për t’u ngjitur e për të marrë vesh më mirë nëse ishte e vërtetë kjo miqësore me veteranët e Gjermanisë, apo jo. Kjo është një gjë fantastike dhe duhen përgëzuar të gjithë protagonistët që e menduan dhe do ta realizojnë këtë miqësore. Patjetër që për mua si individ, apo për gjithkënd që ka veshur fanellën kuqezi dhe që ka luajtur përballë Gjermanisë është emocionuese. Sepse rikthehemi të luajmë pas kaq kohësh një ndeshje të tillë. Tifozët e futbollit këtu në Shqipëri, apo dhe ato jashtë, besoj se do ta mirëpresin një miqësore të tillë. Për mua personalisht është një rast ideal për të marrë fitoren e parë historike ndaj tyre.
– Kë do të cilësonit si përballjen më emocionuese ndaj Gjermanisë për aq kohë sa ju keni qenë në kombëtare?
– Të gjitha ndeshjet ndaj Gjermanisë kanë pasur vlerën e vet të veçantë. E kjo kuptohet për vet historikun që ka kjo kombëtare. Por unë do të kujtoja ndeshjen në Hanovër më 1997, teksa unë nuk kam luajtur për arsye kartonësh. E atje jemi mundur 3-4. Apo dhe ndeshjen e 24 marsit 2001 në Leverkusen, teksa ishim shumë pranë barazimit. 
– Si ishte për një shqiptar t’i shënonte Gjermanisë në fushën e vet edhe duke qenë pjesë e kampionatit vendës?
– Kundër çfarëdolloj skuadre që luan kur shënon është kënaqësi. Por në rastin tim ishte një ndjenjë e veçantë..
– …që do të thotë?
– E kisha më tepër fjalën tek miqtë e mi gjerman, të cilët më dukej sikur më shikonin e më thonin: Si na e bërë ti gjithë atë gol? Mirëpo në fushën e lojës nëse do të kisha mundësi dhjetë gola do t’i bëja. 
– Po në skuadrën tuaj të Frajburgut, apo tek tifozeria si u prit?
– Ç’të të them. Kur reagojnë miqtë me atë mënyrë, si do të mund të reagonin ndryshe qytetarët e thjeshtë? Megjithatë unë jam shqiptar dhe detyra ime, apo e gjithkujt tjetër, ishte të jepnim maksimumin për fanellën kuqezi. Dhe mendoj se e kemi bërë mirë për aq kohë sa luajtëm me fanellën kuqezi.
– Sulmuesi gjithnjë ka punë me mbrojtësin, cili ka qenë më i bezdisshmi në kombëtaren gjermane dhe që realisht do të doje ta kishe përballë më 7 maj?
– Shiko, Gjermania e asaj kohe, jo vetëm sepse ishte Kampione e Botës, apo dhe e Evropës, por dhe për gjithçka tjetër kishte emra të mëdhenj në formacionin e saj. Mund të përmend këtu Jurgen Kohler, apo Tomas Bertold etj. Mbrojtës shumë të fortë dhe që ishte kënaqësi kur i dribloje e më pas dhe t’i shënoje gol. 
– Me mendjen tënde si do të ishte një formacion ideal veteranësh kuqezi për të mundur Gjermaninë më 7 maj?
– Nuk e di, sepse nuk është detyra ime që të përzgjedh lojtarët. Patjetër që do të ketë një trajner, i cili do të përzgjedhë lojtarët që duhen. Por unë do të sugjeroja lojtarët më të mirë fizikisht, apo ato që nuk janë ndarë ende plotësisht nga sporti në këto vitet e fundit. Sepse me siguri Gjermania do të vijë me njerëzit më të stërvitur. Pasi për krenarinë që kanë e duan ta fitojnë një ndeshje të tillë.
– Së fundi një mesazh për publikun, i cili kuptohet që mund ta ketë të vështirë të jetë i shumtë në stadium në një ndeshje veteranësh, kuptohet në krahasim me kombëtaren e madhe…
– Unë i ftoj në stadium që të vijnë të shumtë. Të vijnë të na mbështesin ashtu sikurse e kanë bërë dhe herë të tjera, sepse këtë herë ne do të fitojmë ndaj Gjermanisë. Unë garantoj dhe besoj se spektakli do të jetë i garantuar. 
Bilanci i ndeshjeve Shqipëri – Gjermani
1 maj 1958 Tiranë Shqipëri – RDGJ 1-1
8 prill 1967 Dortmund RFGJ – Shqipëri 6-0
17 dhjetor 1967 Tiranë Shqipëri – RFGJ 0-0
17 shkurt 1971 Tiranë Shqipëri – RFGJ 0-1
12 qershor 1971 Karlsruhe RFGJ – Shqipëri 2-0
7 prill 1973 Magdenburg RDGJ – Shqipëri 2-0
3 nëntor 1973 Tiranë Shqipëri – RDGJ 1-4
1 prill 1981 Tiranë Shqipëri – RFGJ 0-2
18 nëntor 1981 Dortmund RFGJ – Shqipëri 8-0
30 mars 1983 Tiranë Shqipëri – RFGJ 1-2
20 nëntor 1983 Sarbryken RFGJ – Shqipëri 2-1
16 nëntor 1994 Tiranë Shqipëri – Gjermani 1-2
18 dhjetor 1994 Kaizerslautern Gjermani – Shqipëri 2-1
2 prill 1997 Granada Shqipëri – Gjermani 2-3
11 tetor 1997 Hanovër Gjermani – Shqipëri 4-3
24 mars 2001 Leverkusen Gjermani – Shqipëri 2-1
6 qershor 2001 Tiranë Shqipëri – Gjermani 0-2
Bilanci: Ndeshje 17; Fitore 0, Barazime 2, Humbje 15; Golaverazhi: 12-45
Lojtarë të aktivizuar gjatë viteve 1980-1990-2001 ndaj Gjermanisë
Jani Kaçi, Perlat Musta, Ilir Luarasi, Foto Strakosha, Millan Baçi, Aleko Bregu, Ferdinand Lleshi, Safet Berisha, Muhedin Targaj, Kujtim Çoçoli, Shyqyri Ballgjini, Ilir Përnaska, Kastriot Hysi, Uran Xhafa, Ilir Lame, Agustin Kola, Ardian Popa, Sefedin Braho, Haxhi Ballgjini, Ferid Rragami, Roland Luçi, Dashnor Bajaziti, Luan Vukatana, Arjan Bimo, Kristaq Eksarko, Hasan Lika, Genc Tomori, Bedri Omuri, Hysen Zmijani, Sulejman Demollari, Altin Rraklli, Sokol Kushta, Arjan Bellai, Salvador Kaçaj, Rudi Vata, Altin Xhumba, Bledar Kola, Artur Lekbello, Ledio Pano, Indrid Fortuzi, Ilir Shulku, Gjergji Dëma, Sajmir Malko, Alvaro Zalla, Alban Bushi, Igli Tare, Edmond Abazi, Fatmir Vata, Ervin Lamçe, Mahir Halili, Afrim Tole, Ervin Fakaj, Arjan Peço, Alpin Gallo, Sokol Prenga, Geri Çipi, Edvin Murati, Besnik Hasi, Altin Lala, Ervin Skela, Altin Haxhi, Devi Muka
Nuk jetojnë më: Petro Ruci, Arben Minga, Lefter Millo, Zamir Shpuza
Trajnerë: Loro Boriçi (nuk jeton më), Shyqyri Rreli, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Medin Zhega (nuk jeton më)
Kombëtarja e Gjermanisë gjatë viteve 1980-1990-2001 ndaj Shqipërisë
Shumaker, Shtilike, Karlheinz Forster, Dietz, Kalc, Magat, Shuster, Hans Myler, Rumenige, Hrubesh, Alofs, Hënes, Imer, Dremler, Brigel, Brajtner, Magat, Litbarski, Milevski, Mateus, Strak, Fëler, Oten, Majer, Vas, Këpke, Bertold, Kohler, Rojter, Veber, Mëler, Samer, Kirshten, Klinsman, Shtrunz, D.Shuster, Hasler, Kuntz, Helmer, Vos, Eilts, Zige, Bierhof, Hajnrish, Kan, Tën, Bobiç, Tarnat, Marshall, Daisler, Klose, Vorns, Ramelov, Xheremies, Sholl, Haman, Njuvill, Bode, Remer, Janker, Rehmer, Linke, Novotni, Balak, Asamoah, Zinkler, Riker, Bauman
Trajnerë: Jup Derval, Berti Fogst, Rudi Fëler