Ethe titulli, Hoxha: Trofeu kalon nga Korça e Skënderbeu

450
Kryesfida e javës së 30-të për Kategorinë Superiore do të jetë mes Skënderbeut dhe Partizanit, e cila do të luhet në Korçë ditën e hënë në ora 18:00. Përgatitjet e të kuqve kanë nisur prej ditësh, ndërsa ajo që besohet është fakti se do të ketë dhe shumë tifozeri të kuqe. Aq më tepër që janë vënë një shumicë autobuzash në dispozicion të ultrasve nga presidenca. Në fakt Partizani, edhe duke mos qenë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, jo vetëm që i ka nisur përgatitjet më me terezi, por në ndryshim nga korçarët ka pasur kohën e duhur në dispozicion për të bërë mirë gjithçka për këtë ndeshje. Sepse ajo është vendimtare për fatet e Partizanit, i cili në harkun kohor të një muaji do të duhet të zhvillojë një raund force, teksa do të luajë me disa prej skuadrave pretendente për titull kampion. E kjo është brenda pak javësh. Për Partizanin titulli kampion mungon prej 22 vjetësh, që nga koha e largët 1993. Kurse Kupa e fundit e Shqipërisë është fituar nga të kuqtë më 2004. Ndaj Partizani ka kohën për të fituar, teksa gjithçka nis nga transferta e vështirë e Korçës. Në fazën e dytë të kampionatit në Korçë, Skënderbeu pat fituar 3-0. Por tashmë të kuqtë mendojnë krejtësisht ndryshe. Në fakt kjo humbje e Partizanit, teksa Alban Hoxha për shkak të problemeve të tij familjare nuk ka qenë i pranishëm, është një kujtim i largët, që nuk ka për të ndodhur më. Sepse kështu ka deklaruar për shtyp Hoxha. “Këtë herë skuadra jonë vjen ndryshe në këtë sfidë. Shpresoj që të arrijmë një rezultat pozitiv, ndryshe nga sfida e parë. Skënderbeu vuan nga mungesa e një sulmuesi dhe shpresoj që kjo të më ndihmojë mua dhe mbrojtjen”. Sipas portierit të skuadrës kryeqytetase, Partizani do të japë maksimumin në këtë sfidë vendimtare në garën për titullin kampion, duke përfituar edhe nga momenti negativ që po kalon ekipi kundërshtar. “Është e vërtetë që ata vijnë nga dy humbje dhe shpresoj që në këtë sfidë të jemi më të avantazhuar, pasi ata mund të jenë më të lodhur për shkak të ndeshjes së Kupës”. I pyetur nga mediat sportive për shanset që skuadra e tij ka për t’u shpallur kampione, 28-vjeçari nuk ka asnjë dyshim se “Demat e Kuq” janë të karikuar për të mos u dorëzuar deri në javën e fundit. “Nëse dalim me sukses nga dy sfidat e radhës, atë me Skënderbeun të hënën dhe pas një jave ndaj Kukësit, atëherë shanset tona shtohen për t’u shpallur kampion. Pse jo në masën 99 përqind”, thotë Hoxha. Përtej kampionatit aktual qëndron e ardhmja e Hoxhës, i cili nuk jep detaje për një ofertë të mundshme nga jashtë, por shton se ideja për të provuar një eksperiencë të re e josh. Ka pasur një mundësi që ai të jetë pjesë e Kievos në Itali. “Kjo është një çështje që i përket klubit. Vendimin do ta marrë Partizani. Mua më josh ideja për të luajtur jashtë, por për këtë do të vendos pasi të shpallemi kampionë”.
Sezoni i Superiores një rebus total për pretendentët
Rezultatet e ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë konfirmuan edhe një herë se ky sezon ofron një rivalitet të jashtëzakonshëm në të dy kompeticionet madhore të futbollit shqiptar. Ndoshta kjo ishte edhe meritë e shortit të Kupës, që vuri përballë skuadra me objektiva të njëjta, duke shmangur çdo lloj kompromisi qoftë të heshtur mes 5 skuadrave që kryesojnë Superligën. Fitorja 1-0 e Kukësit, madje edhe në mungesë të tifozëve, e nxeh edhe më shumë duelin e kreut, që shpeshherë i ka kapërcyer kornizat sportive me akuza dhe ngacmime mediatike mes dy presidentëve Ardian Takaj dhe Safet Gjici. Në javën e 32-të, vetëm pak ditë pasi të jetë përcaktuar çifti finalist i Kupës, Kukësi dhe Skënderbeu do të përplasen sërish në “Zeqir Ymeri”, ndoshta për një duel që mund të vendosë edhe fatin e titullit kampion. Mirëpo më parë korçarët duhet të kalojnë një tjetër provë të rëndësishme në kampionat, teksa do të presin Partizanin në kuadër të javës së 30-të. Barazimi i Laçit me Tiranën në “Qemal Stafa” konfirmoi edhe një herë se skuadra kurbinase mbetet “macja e zezë” për bardheblutë në këtë sezon. Në katër përballjet e deritanishme formacioni i Armando Cungut ka triumfuar dy herë, 2-0 dhe 3-0, ndërsa dy sfida të tjera kanë përfunduar në barazim pa gola. Një dominim i plotë i Laçit, që ka shënuar 5 dhe nuk ka pësuar asnjë gol në përplasjet me formacionin e Gugash Maganit. Por rivaliteti mes Laçit dhe Tiranës, sikurse në rastin e Kukësi – Skënderbeu, shtrihet edhe në kampionat. Diferenca mes tyre është vetëm 4 pikë, ndërkohë që, përveç sfidës së kthimit të Kupës, në program është edhe përballja e fazës së katërt, në kuadër të javës së 32-të. Kalendari i javës 30, që luhet të dielën dhe të Hënën, favorizon Tiranën, që do të presë në “Qemal Stafa” Vllazninë, ndërsa katër skuadrat rivale të bardhebluve do të përplasen me njëra-tjetrën. Kukësi do të presë në “Zeqir Ymeri” Laçin, ndërsa Skënderbeu luan në Korçë me Partizanit. 
FSHF nis transmetimin e ndeshjeve LIVE
Ashtu sikurse dhe UEFA, edhe Federata Shqiptare e Futbollit tashmë ka nisur dhënien e ndeshjeve në kohë reale në faqen e saj të internetit. E ka bërë këtë në ndeshjet e kampionatit të Kategorisë Superiore, por një gjë të tillë e ka bërë të mërkurën edhe me ndeshjet e raundit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Sipas drejtoreshës së marrëdhënieve me publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, Jona Dervishi, tashmë ka dhe një link, http.//fshf.org/live/, i cili do të japi ndeshjet direkt të Kategorisë Superiore, por dhe ato të Kategorisë së Parë, të Dytë, të rinj, para të rinj, futboll femra, futboll salle e deri tek fëmijët.
Volejbolli përsërit historinë, finalet e titullit, çiftet e pandryshuara
Volejbolli shqiptar ka përsëritur historinë, ndërsa edhe për sezonin 2014-2015 do të ketë të njëjtat skuadra në përballjet finale për titullin kampion. Për meshkuj Studenti – Tirana dhe për femra Barleti Volej – Tirana. Ajo që duhet theksuar është fakti se Studenti për meshkuj e Barleti Volej për femra janë skuadrat që duhen mundur, teksa janë kampionët në fuqi. Pa thënë që janë fituesit e Kupës së Shqipërisë, ndërsa Tirana e ka një sfidë me veten për të marrë trofeun e kampionit. Tashmë Federata Shqiptare e Volejbollit ka caktuar dhe datat e oraret, ndërsa skuadra kampione do të mund të dalë fituese me tre ndeshje të marra. E gjithçka nis kësaj jave.
Sigal