Sigal

Përballja mes Kukësit dhe Flamurtarit, pritej të ishte një nga sfidat më interesante të kësaj jave, dhe pritshmëritë nuk zhgënjyen, pasi ndeshja e luajtur në Kamëz rezultoi një nga takimet me të bukura të këtij sezoni, ku fitues dolën vlonjatët, të cilët u treguan më të saktë në episode të veçantë.

Ndeshja u mbyll 1-2 për Flamurtarit, të cilët marrin një fitore shumë të rëndësishme në një transfertë të vështirë dhe tani e shohin veten në garë të plotë për kupat e Evropës. Ndërsa Kukësi me këtë humbje ndal ecurinë pozitive të javëve të fundit, duke iu larguar kreut të klasifikimit.

Pjesa e parë foli për kuqezinjtë, të cilët u treguan më kërkues dhe shumë cinik në mbrojtje. Vlonjatët dilnin në aksion me pasime të shkurtra duke vënë në vështirësi në krahun e majtë mbrojtjen e verilindorëve. Në minutën e 39′ pasimet e shkurtra në zonë e çuan topin tek Franc Veliu, i cili nuk ngurroi për të gjuajtur dhe shënoni golin e avantazhit për miqtë. Kaq mjaftoi që të rritej egoja dhe vetëbesimi i Flamurtarit të Ilir Dajës, pasi disa minuta më vonë erdhi dhe goli i dytë me autor Alves që çoroditi skuadrën e Armando Cungut që nuk po e gjente dot veten në fushë. Në fraksionin e dytë të lojës verilindorët u hodhën në sulm me forca të shumta, madje dhe dalja e Limajt dhe Et’hemit për t’i lënë vendin Kalasë dhe Spehar dhanë frytet e tyre. Spehar shfrytëzoi një top në zonë, duke e devijuar me kokë dhe, falë një gabim fatal të portierit Koliçi, të cilit i shpëtoi topi nga duart, arriti të shënojë dhe të ngushtojë shifrat. Takimi u bë edhe më i bukur, me lojën që zëvendësohej shumë shpejt nga njëra gjysmëfushë në tjetrën. Në të 59-n një aksion model i Flamurtarit meritonte të për përmbyllej me gol, por Bushic godet keq me kokë, i shërbyer nga Kotobelli. Verilindorët tentuan me të gjitha mënyrat për të barazuar rezultatin, por asgjë nuk ndryshoi, me vërshëllimën e fundit të kryesorit Olsi Sokoli që sanksionoi fitoren e Flamurtarit, i cili ngjitet në vendin e katërt, me një pikë më pak se Kukësi.

Teuta-Tirana

Tirana ka harruar se si fitohet një ndeshje. Në ndeshjen e javës së 11-të, bardheblutë kanë marrë një tjetër humbje, këtë radhë përballë Teutës, duke e çuar në katër, numrin e sfidave radhazi pa sukses. Situata në kampin e kryeqytetasve rëndohet më tej, pasi edhe me ndërrimin e trajnerit, problemet e 24-herë kampionëve nuk po gjejnë zgjidhje.

Fitore me përmbysje 2-1, ajo e Teutës në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut ndaj Tiranës, sfidë që nisi me 12 minuta vonesë për shkak të një banderole të shfaqur nga tifozët kryeqytetas kundër presidentit Refik Halili. Heroi i “Djemve të Detit” ishte mbrojtësi Ditmar Bicaj, që realizoi dy herë brenda pak minutave në pjesën e dytë, duke e bërë të pavlefshëm finalizimin e bardhebluve gjatë fraksionit të parë. Një autogol i Silvestër Shkallës në minutën e 28-të (topi u përplas në shtyllë, pas krosimit nga këndorja e Hasanit e më pas në dorën e mbrojtësit, që e shtyu në rrjetë) u dha epërsinë e përkohshme bardhebluve, që dështuan ta mbronin rezultatin deri në fund apo të shënonin golin e sigurisë. Në të 70-n, Dimtar Bicaj u gjend në vendin dhe kohën e duhur në një moment rrëmuje në zonën e Tiranës, duke barazuar rezultatin, ndërsa dy minuta më vonë i tha një trajektore të pabesueshme topit me kokë për të shënuar golin e dytë dhe të fitores për Teutën.

Me këtë sukses Teuta parakalon Laçin, por mbetet pas Flamurtarit në vendin e pestë.