FIFA po mendon të vendosë rregull në merkaton e futbollistëve, e cila sa vjen dhe bëhet më e rrëmujshme. Në fakt, ata që kanë shumë ndikim në këtë pjesë janë agjentët e lojtarëve, të cilët falë arkëtimeve nga transferimet e atyre që përfaqësojnë fitojnë komisione me miliona euro. Një nga këta është agjenti Mino Raiola, i cili njihet për lëvizjet e shpeshta të futbollistëve që zotëron, ndërsa fitimet personale janë marramendëse.
Mjafton të kujtojmë rastin e Pol Pogba në momentin e transferimit nga Juventus drejt Mançester Junajtid. Raiola përfitoi 40 milionë euro. Këto përfitime ndikojnë më pas edhe në rritjen e çmimit të futbollistëve pasi klubet llogarisin edhe shpenzimet për agjentin. Në këtë formë, sipas New York Times, FIFA po mendon të rregulloj rolin e agjentit, i cili nuk mund të përfitojë më shumë se një përqindje tavan prej 3% nga klubi që transferon futbollistin dhe 6% nga shoqëritë që e shesin. Një rregull i cili në veçanti mund të mos i pëlqej Mino Raiolës.
Sakaq, një tjetër ndryshim lidhet me huazimet e futbollistëve të rinj. Kjo pasi klubet me buxhet marrin një numër të ekzagjëruar me futbollistë të rinj, të cilët sjellin një përfitim të dyfishtë: limitojnë opsionet e kundërshtarëve, si dhe huazohen duke sjellë të ardhura nga një lojtar i cili asnjëherë nuk do gjejë hapësirë në skuadrën e parë. FIFA propozon që limiti i lojtarëve nën U21 të huazuar të jetë tetë për sezonin 2021-2022, numër i cili më pas të zbresë në gjashtë. Nga ky rregull do të goditeshin ekipe si Mançester Siti, Çelsi dhe Juventus.