Fabregas prezantohet në klubin italian, spanjolli do të bëhet edhe bashkëpronar i Komos

131
Sigal

Cesk Fabregas është bërë zyrtarisht një futbollist i ri i skuadrës së Komos. Shumëkush ka mbetur i çuditur nga zgjedhja e futbollistit të njohur spanjoll për të zbritur në Serinë B italiane, por duket se ai ka një objektiv shumë të qartë në mendjen e tij, pasi nuk do të jetë protagonist vetëm në fushën e lojës.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu, e dija që prej një javë që marrëveshja do të mbyllej me sukses”, shpjegoi Fabregas për “Sky Sport” pas prezantimit. “Pres me padurim që të filloj pasi kam dëshirë të bëj mirë dhe të rivihem në lojë. Nuk kam pasur ende mundësinë të flas me askënd, nuk njoh askënd, as trajnerin e as shokët e skuadrës, por do të zbres në fushë që sot”, theksoi ai.

Fabregas në fakt nuk do të jetë vetëm futbollist në këtë eksperiencë të re në Itali. “Do të bëhem edhe bashkëpronar dhe aksioner i klubit, me objektivin për të shkuar sa më lart e për të rritur këtë klub, për objektiva gjithnjë e më të mëdhenj”, theksoi lojtari i cili në karrierën e tij ka fituar edhe një titull Kampion Bote dhe dy Kampion Europe me Spanjën.