Lorik Cana: “Armenia, test para Sllovenisë”

536
Sigal

Miqësore Shqipëri-Armeni (20:45). Kapiteni kuqezi i bën thirrje talentit Januzaj: “Të presim në Kombëtare!”

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana (67 ndeshje, 1 gol), tha se miqësorja e sotme me Armeninë është një test i nevojshëm para dy sfidave zyrtare me Slloveninë (në Lubjanë) dhe Islandën (në Rejkavik). Mesfushori i Lacios e këshillon talentin e Mançester Junajtid, Adnan Januzajn, që të veshë bluzën kuqezi dhe të mos ndikohet nga ofertat që mund t’i bëjë Belgjika, ndoshta edhe Anglia.

 – Lorik, si e keni vlerësuar miqësoren me Armeninë?

– Sigurisht që çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, ka kuptimin e vet. Unë ju garantoj se trajneri ndeshjen e merr me shumë seriozitet dhe absolutisht kurrë nuk e nënvlerëson. Kështu që ne nuk e nënvlerësojmë as kundërshtarin, as ndeshjen, sepse mbetet një ndeshje ndërkombëtare. Çdo ndeshje kemi dëshirë për ta fituar, pasi fitorja na sjell një tjetër frymë dhe përgatiten më mirë ndeshjet zyrtare. Por sigurisht nëse luajnë lojtarë të rinj, duhet mirëkuptim që edhe ata të shkrihen me grupin. Natyrisht ekipi do të hyjë në fushë me maksimumin e tij dhe për të bërë një performancë të mirë.

– Kjo ndeshje vjen në një moment kur jo të gjithë lojtarët janë në kondicionin e tyre më të mirë fizik. A do t’ju shërbejë miqësorja me Armeninë për sfidat eliminatore me Islandën dhe Slloveninë?

– Në ndeshjet e gushtit disa lojtarë janë nën mundësitë e tyre, disa të tjerë e kanë filluar kampionatin, disa akoma jo, por kjo nuk është vetëm për ne, është dhe për kundërshtarin dhe për çdo përfaqësuese në Evropë. Edhe vapa është pjesë e verës, kështu që do të jetë edhe për ta edhe për ne. Këto janë gjëra që nuk duhet t’u kushtojmë shumë rëndësi, ne rëndësi i kushtojmë ndeshjes, sidomos atyre që do të kemi në shtator. Çdo grumbullim është shumë i rëndësishëm. Ne nuk e kemi luksin të lëmë kohën të kalojë dhe të presim grumbullimin e ardhshëm për të përgatitur ndeshjet zyrtare. Absolutisht kjo është pjesë e të njëjtës fazë përgatitore dhe kjo do të na shërbejë edhe për të ndihmuar lojtarët e rinj që të ambientohen sa më shpejt. Kështu që kjo miqësore është shumë e rëndësishme.

– Lorik, në Kombëtare janë afruar shumë lojtarë të rinj. Cili është mendimi juaj?

– Sigurisht që është gjë e mirë. Për shumë vite kombëtarja shqiptare ka qenë e kufizuar nga numri i lojtarëve cilësorë që ka pasur. Sigurisht që kështu duhet të jetë një ekip përfaqësues, të zgjidhen lojtarët më të mirë të kombit, ata që janë më në formë për momentin. Besoj se që kur ka ardhur trajneri Xhanni De Biazi kjo gjë është arritur. Kjo është një gjë e mirë, ai ka filluar një punë dhe ka dëshirë që ta vazhdojë deri në fund

– Te Mançester Junaitid është Adnan Januzaj, 18 vjeç, mendoni se ai mund të bëjë diferencën në kombëtaren shqiptare?

– Me sa unë e kam ndjekur që kur ai është larguar që në moshën 15-vjeçare nga Anderlehti dhe kur luante me të rinjtë e Mançesterit, është lojtari ndoshta me perspektivën më të madhe. Të luash në moshë kaq të re në një prej tre klubeve më të mëdha në botë është një arritje që nuk e ka realizuar asnjë lojtar shqiptar më parë. Unë do ta këshilloja atë të zgjidhte Shqipërinë, sepse ai i takon vendit të tij dhe për mendimin tim Shqipëria do t’i sjellë krenari, kënaqësi dhe gjëra që nuk ja sjell dot asnjë përfaqësuese tjetër. Nëse zgjedh Shqipërinë, na bën të gjithë krenar dhe e presim me shumë dëshirë.

 Mesfushori i Torinos: “Kundër armenëve do të luajmë me pesë mesfushorë”

  Migjen Basha: “Miqësorja, ‘provim’ për lojtarët e rinj”

 Mesfushori i Torinos, Migjen Basha, është i bindur se ndaj Armenisë, Kombëtarja do të marrë rezultat pozitiv, duke paralajmëruar një Shqipëri sulmuese nga minuta e parë.

 – Migjen, sapo jeni kthyer nga muaji i mjaltit, por në mediat italiane flitet se jeni në formë shumë të mirë, është e vërtetë?

– Vërtet që pas dasmës kam qenë në një formë shumë të mirë. Kam qenë në formë për arsye sepse nuk kam pasur dëmtime. Gjërat po shkojnë shumë mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu, që të mos kem probleme në stërvitje dhe në ndeshje, të jem gjithnjë në 100 për qind të gjendjes sime.

– Duke parë organikën e skuadrës, ju tani keni më shumë mundësi të luani dhe e keni më të thjeshtë për stilin tuaj të lojës…

– Vitin e kaluar kemi pasur një model ndryshe dhe ishte problem për një mesfushor, sepse trajneri na kërkonte të luaja në fazën mbrojtëse. Tashmë që luajmë me pesë mesfushorë është më e lehtë, edhe faza mbrojtëse, edhe faza sulmuese, sepse edhe lëvizjet janë më të pakta. Tani duke qenë se jemi pesë mesfushorë jam më i prirur drejt fazës sulmuese dhe kjo ma thjeshton lojën time.

– Mendohet se De Biazi do të kopjojë skemën e Lacios, do ta ndihmonte kjo kombëtaren shqiptare nëse do të luajë në këtë mënyrë?

– Kjo varet edhe prej lojtarëve, në rolet që luajnë nëpër klubet e tyre. Kjo mund të jetë një mundësi e mirë dhe për ne, por për momentin nuk e kemi provuar këtë skemë, të shohim.

Në miqësoren me Armeninë do t’i kushtohet më shumë rëndësi anës taktike, vendosjes së skuadrës në fushë, promovimit të lojtarëve apo rezultatit?

– Besoj se rezultati nuk ka shumë rëndësi për ne. Duhet të bëjmë një lojë ku të jemi 100 për qind të angazhuar dhe të mendojmë për ndeshjet e ardhshme. Kemi disa lojtarë që mund të themi se janë “me provime”, për t’i parë a do të jenë të vlefshëm për ekipin në të ardhmen.

Interesim i dobët për miqësoren

 Interesim i vakët i tifozëve, për miqësoren me Armeninë, pavarësisht çmimeve relativisht të pranueshme të biletave. Kështu, një biletë në tribunat qendrore A dhe B (kategoria I) kushton 1500 lekë; ato në kategorinë II, 1000 lekë. Tribuna D2 kushton 7000 lekë, ndërsa ato D1 dhe D3, nga 400 lekë. Tribunat C dhe E kushtojnë nga 200 lekë.

PESË NDESHJET E FUNDIT

SHQIPËRIA

Shqipëri-Lituani           4-1  M

Shqipëri-Norvegji    1-1  Z

Norvegji-Shqipëri    0-1  Z

Shqipëri-Kamerun           0-0  M

Shqipëri-Slloveni    1-0  Z

Bilanci: 5 N; 3 F, 2 B, 0 H

ARMENIA

Armeni-Maltë         0-1  Z

Danimarkë-Armeni     0-4  M

Luksemburg-Armeni    1-1  M

Armeni-Çeki          0-3  Z

Armeni-Lituani       4-2  M

Bilanci: 5 N; 2 F, 1 B, 2 H

 Shtatë miqësoret e De Biazit

 Miqësorja me Armeninë do të jetë e teta për italianin De Biazi. Në shtatë të parat ai ka këtë bilanc: 3 fitore (me Katarin,  Iranin dhe Lituani), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë). Ndeshja e fundit miqësore është ajo me Lituaninë, e fituar 4-1.

MIQËSORET E DE BIAZIT

1) 29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri    2-1

2) 22.05.2012, Madrid

Katar-Shqipëri       1-2

3) 27.05.2012, Stamboll

Iran-Shqipëri        0-1

4) 15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi     0-0

5) 14.11.2012, Gjenevë

Kamerun-Shqipëri     0-0

6) 06.02.2013, Tiranë

Shqipëri-Gjeorgji    1-2

7) 26.03.2013

Shqipëri-Lituani     4-1

Europiani i Shpresave/

Sot në Vlorë, Shqipëri-Austri 17:30

 Gregortish: “Shqipëria, e rrezikshme në shtëpi!”

  Shqipëria U-21 do të përballet sot me Austrinë (në Vlorë, 17:30), me synimin për të harruar dy humbjet rresht me Hungarinë (në Durrës) dhe Bosnjën (në Zenica) në grupin 4. Trajneri i Shpresave, Skënder Gega, ka vendosur të hedhë në një formacion ofensiv në kërkim të fitores së parë. Me të njëjtat synime është edhe trajneri i Austrisë në ndeshjen e parë të austriakëve në eliminatoret e Kampionatit Europian, përpara se ata të ndeshen me Spanjën, më 5 shtator.  “Shqipëria nuk është një kundërshtar i lehtë, para së gjithash përpara publikut të tyre janë shumë të rrezikshëm. Nuk do ta konsideroja ekipin tonë si favorit, por në bazë të cilësisë dhe përgatitjeve që kemi, un do të thosha se kemi potencialin për të fituar. Është i natyrshëm qëllimi ynë që, t’i fillojmë eliminatoret me një fitore”, – tha trajneri Verner Gregortish. Në grupin 4, përveç Shqipërisë, Hungarisë, Austrisë, Bosnjës është dhe Spanja, kampionia në fuqi e Europës për ekipet U-21. Sipas formulës, dhjetë fituesit e grupeve dhe katër vendet e dytë më të mira në fazën “play-off” do të marrin pjesë në kulifikueset muajit nëntor 2014, ndërsa finalet e Kampionatit Europian në qershor 2015 në Çeki.

 EL.KAMPIONATIT EUROPIAN U-21

 7 QERSHOR 2013

Shqipëri-Hungari 1-2

Shënues: Taipi 27’ (11-m)/ Adorjan 30’, Uindeker 69’

11 QERSHOR 2013

Bosnjë-Shqipëri 4-1

Shënues: Mesanoviç 17’ dhe 67’, Çajiç 29’, Duljeviç 90’+1 / Hoxha 45’+1

14 GUSHT 2013

Shqipëri-Austri

Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

  LIGA E KAMPIONËVE PËR FEMRA

Sllovenet “shtrydhin” Adën, i shënojnë 13 gola

   Ada e Velipojës pësoi një humbje tepër të thellë, 13-0, me ZNK Pomurje të Sllovenisë në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve në futbollin për femra, për grupin e 5-të. Vajzat tona ishin thjesht në stadiumin “Sportni Park Beltinci” të Sllovenisë. Pjesa e parë u mbyll 6-0 për sllovenet, që shënuan edhe shtatë gola të tjerë në fraksionin e dytë. Spikati sulmuesja 22-vjeçare Tanja Vrabel, autore e shtatë golave. Në dy takimet e para, Ada humbi 3-1 me Bobruihanka të Bjellorusisë (olin e vetëm për velipojaket e shënoi Arlinda Gruda, në minutën e 76-të duke shkurtuar diferencën në 3-1), ndërsa në takimin e dytë me polaket e Unia Rasiborz, kampionia e Shqipërisë humbi thellësisht me rezultatin 7-0. Për Adën, kjo ishte pjesëmarrja e tretë në Ligën e Kampioneve. Në dy të parat, i humbi të gjashtë takimet duke pësuar në total 80 gola dhe shënuar vetëm 2, teksa pati humbje edhe 21-0 me qipriotet e Apolon Limasolit.