F1/ Perez triumfon në Singapor, Verstappen shtyn festën e titullit

71
Sigal

Piloti meksikan i Red Bull, Sergio Perez, është shpallur sot fitues i garës së Cmimit të Madh të Singaporit në Formula 1. Ky është triumfi i dytë sezonal për Perez, por që rrezikon ta humbasë fitoren, pasi është nën hetim nga komisarët e garës (shkeli rregullat nën regjimin e makinës së sigurisë dhe vendimi do të merret pas garës).

Në vendin e dytë u rendit Charles Leclerc me Ferrari, që la pas shokun e tij të skuadrës Carlos Sainz. Pra, dy makina Ferrari rikthehen në podium, në një garë maratonë. Gara nisi me 1 orë vonesë për shkak të shiut që ra para saj, ndërkohë që u mbyll para se pilotët të përshkojnë të 61 xhirot e planifikuara (në limitin e 3 orëve).

Një garë për t’u harruar kjo për kampionin e botës Max Verstappen me Red Bull, që nuk shkoi më shumë se vendi i 7-të. Ai bëri disa gabime gjatë garës, duke mos arritur dot të duelojë për fitore edhe pse në pistë hyri dy nherë makina e sigurisë dhe në dy raste të tjera u shfaq makina virtuale e sigurisë, pasi aksidentet ishin të shumta.

Gara pati shumë aksidente, për shkak të pistës që ishte vazhdimisht e lagur, duke bërë që 6 makina të tërhiqen e mjaft të tjera të përplasen e rikthehen në garë. Perez dhe Leclerc dueluan gjatë gjithë garës për fitore, me meksikanin që parakaloi monogaskun që në kthesën e parë dhe e ruajt kryesimin deri në fund.