INTERVISTA/ Ish-futbollisti dhe ish-trajneri, Eqerem Memushi, tregon synimin e vlonjatëve në edicionin e 87-të
Agron KAJA

Ka disa sezone që Flamurtari po e bën “hyr e dil” me Abissnet Superioren, pse ndodh kështu?
Uljet e ngritjet e Flamurtarit nga Superiorja në të Parën dhe anasjelltas, kanë patur shumë arsye, por këtë sezon i ka mbyllur. Gjithsesi, këtë sezon do jetë një Flamurtar krejt ndryshe, në formë e një autokritike do jetë pretendent për Europën.
Në këtë sezon, Flamurtari rikthehet në Superiore pas 5 sezoneve mungesë, si e shikoni këtë rikthim?
Duke parë angazhimin e madh të Administratorit Sinan Idrizi, vendosjen e një trajneri spanjoll në bankinë dhe emra cilësorë në merkato, unë besoj se do të kemi një rithkthim të fuqishëm e dinjitoz të Flamurtarit në Superioren 2025-2026.
Si është situata te Flamurtari në këtë periudhë, pas vendosjes së trajnerit të ri?
Trajneri është emër i ri, por ka luajtur në nivele të larta në Spanjë, ka qënë edhe ndihmëstrajner në disa skuadra. Me këtë karrierë të pasur dhe jep shpresa dhe puna e tij tashmë ka nisur me njohjen e gjëndjes së futbollistëve aktualë.
Me emrat që ka në përbërje Superiorja 2025-2026, ku e mendoni renditjen për Flamurtarin?
Është e domosdoshme që Flamurtari në këtë sezon të Superiores, të luftojë fort për të qënë në katër skuadrat më të mira “Final 4”. Kjo skuadër do ketë performancë tjetër, do ketë edhe një rikthim të tifozerisë së munguar vlonjate.
Muaji korrik ka hyrë me mot të nxehtë, çfarë duhet të bëjnë të gjitha skuadrat në këtë periudhë?
Tashmë dihet se çfarë duhet bërë në këto situata të motit të nxehtë. Por për t’u mbrojtur prej tij, është ai shtegëtimi që e themi shpesh, në vënde me mot të freskët. Skuadrat e Superiores kanë krijuar kushte të mira stërvitore, ndaj do presim një kampionat shumë të fortë.
Mediatikisht dhe më pak realisht, disa skuadra kanë bërë edhe merkato: trajner-lojtar, cilën prej tyre veçoni?
Mendoj se është ende herrët për të veçuar skuadra që kanë bërë merkato më cilësore. Emra ka, por ata vetëm në fushë e tregojnë sa vlejnë. Edhe këto ditë të para të muajit korrik, thuajse të gjitha kanë publikuar emra lojtarësh në merkaton e tyre.
Katër skuadrat që do luajnë në Europë janë në pragun e ndeshjeve të para, çfarë sugjerohet deri në ditët e ndeshjeve?
Me kontigjentin që ka, dhe me çfarë tregoi në kampionat, Egnatia e kalon turin e parë në Ligën e Kampioneve. Po kështu edhe Partizani me Vllazninë që kanë kundërshtarë të kalueshëm. Deri në ditët e ndeshjeve, duhet harmonizim në skuadër.
Ditën e martë Egnatia e nis Europën, do ndikojë pozitivisht zhvillimi i ndeshjes në stadiumin “Arena Egnatia”?
Së pari, është një ngjarje sportive shumë e madhe që Egnatia do të luajë në stadiumin e saj këtë ndeshje të Ligës së Kampioneve. Është e kuptueshme që do ketë interesim e tifozeri në stadium, do jenë mbështetje e madhe për fitoren.
Partizani e Vllaznia luajnë të enjten, e kanë mundësinë e kalimit të turit të parë në Ligën e Konferencës?
Unë e përmënda më sipër, se edhe Partizani me Vllazninë e kanë mundësinë ta kalojnë turin e parë në Konferencë Ligë. Kanë kundërshtarë të kalueshëm, edhe pse duhet thënë se do ta tregojë fusha nëse mund të kalojnë.
Po skuadrat e tjera të Superiores, si e kanë shfrytëzuar këtë periudhë përgatitore dhe merkatoje?
Të gjitha në Superiore kanë nisur nga merkato, të jenë sa më të denja në kampionat. Këto ditë të para të korrikut kanë zbritur në fushë të gjitha, dhe me programet e tyre do të përgatiten që të arrijnë synimet sezonale.
Prurje e re në Vlorë, vjen përgatitësi atletik spanjoll
Ditën e djeshme, skuadra e Flamurtarit ka bërë një “goditje” të re në merkato, pasi ka afruar në ekip Anibal Gonzalez, i cili do të ketë rolin e përgatitësit atletik. Gonzales e ka mbajtur të njëjtin rol edhe në skuadra si Porto në Portugali, Rayo Vallecano në Spanjë, Okushima Vortis në Japoni, por edhe në Meksikë, tek Club Necaxa dhe Cimarronës de Sonora. Te Flamurtari, ai do punojë me trajnerin Karlos Garcia, ndërkohë që të hënën skuadra do të stërvitet në Maqedoninë e Veriut.
Liga e Kampioneve
Ndeshja e parë
Datë 8 korrik 2025
Egnatia-Breidablik 21:00
Gjyqtar: Antoni Bandiç (BiH)
Ndeshja e kthimit
Datë 15 korrik 2025
Breidablik-Egnatia 19:00
Liga e Konferencës
Ndeshjet e para
Datë 10 korrik 2025
Kalju-Partizani 18:45
Gjyqtar: Ross Hardie (Sko)
Vllaznia-Daugavpils 20:00
Gjyqtar: Artem Gasparjan (Arm)
Ndeshjet e kthimit
Datë 17 korrik 2025
Daugavpils-Vllaznia 17:00
Partizani-Kalju 20:00
Isli Gruda, “ngërçi” mes Vllaznisë dhe Egnatias
Ditën e martë në mbrëmje, ora 21:00, Egnatia do të luajë ndeshjen e parë të turit kualifikues në Ligën e Kampioneve, dhe përballë do të ketë kampionët e Islandës, Breidablik. Do të jetë ndeshja e parë që luhet në stadiumin “Arena Egnatia” në Rrgozhinë, një rast i rrallë për vetë skuadrën dhe qytetin e vogël që përfaqëson në futbollin shqiptar. Të gjitha përgatitjet në stadium kanë marrë formën e plotë dhe është gati për ndeshjen, ndërkohë që për trajnerin Edlir Tetova ka vetëm një handikap. Sulmuesi shkodran Isli Gruda është emri surprizë që Egnatia e ka të gatshëm kundër islandezëve, por që drejtuesit e Vllaznisë pretendojnë se ai është nën kontratë me ta. Por duke qënë se nga UEFA është pranuar si federim për Egnatian, pretendimi i Vllaznisë duket i pa arsyeshëm. Gjithsesi, Tetova do ketë të gatshëm 21 lojtarë më 8 korrik ora 21:00, në “Arena Egnatia”.
Lojtarët e Egnatias të gatshëm ndaj Breidablik
Portierë: Marjo Dajsinani, Klajdi Kuka / Mbrojtësa: Zamiq Alijev, Amer Duka, Abdurraman Fangaj, Edison Ndreca, Eljon Sota, Anio Poçi, Arbenit Xhemajli / Mesfushorë: Albano Aleksi, Redi Lushkja, Medeiros Da Silva, Flamur Ruçi, Serxhio Ujka, Daniel Dingzang Votlai / Sulmuesa: Soumaila Bakajoko, Ildi Gruda, Saliou Guindo, Leonardo Melo, Kastriot Selmani, Mohamed Jahaja / Trajner: Edlir Tetova
Teuta sot prezanton trajnerin, Dobi kthehet në vëndlindje
Teuta tashmë e ka marrë vendimin për bankinën. Enkeleid Dobi do të jetë trajneri për sezonin e ri në Superioren 2025-2026. Nga klubi durrsak i futbollit kanë bërë publikë dy emra për bankinën, por mes alternativave të Enkeleid Dobit dhe të Ledjan Memushajt, ka fituar durrsaku. Tashmë gjithçka është vendosur, dhe Dobi zyrtarizohet sot në bankinën e Teutës. Në karrierën e tij si trajner, Enkeleid Dobi ka drejtuar më parë Gornik Polkouice në Poloni, deri në shtator 2024, ndërsa ka qenë trajner edhe te Kukësi dhe te Uidzeu Lodz po në Poloni. Me vendlindje në Durrës, ai është një trajner që ka profilin e duhur për një skuadër që do të pretendojë në Superioren shqiptare. Si trajner, pas Kukësit kjo është eksperienca e dytë në Superioren shqiptare për Enkeleid Dobin, por Teuta është skuadra e vendlindjes dhe e origjinës së formimit të tij si futbollist.