Eqerem Memushi: Javë me disa surpriza, të tjerat janë të pritshme

KATEGORIA E PARË/ Ish-futbollisti e trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, analizon ndeshjet e javës së 10-të

Agron KAJA

Agron Kaja

 

NOA

Dje u luajtën gjashtë ndeshjet e javës së dhjetë, në të cilat u shënuan edhe rezultate që dolën jashtë pritshmërie. Dhe i këtij mendimi është edhe Mjeshtri i futbollit vlonjat, Eqerem Memushi, i cili për gazetën “Telegraf’veçon tre prej tyre, ndërsa të tjerat i quan të logjikshme. “Duke ju referuar së pari rezultateve që u arritën në javën e 10-të të Kategorisë së Parë, mendoj se kishte edhe surpriza, por kishte edhe pritshmëri. Si ndeshje surprizë them se janë barazimi i Besës me Bylisin në Ballsh, humbja e Tomorit në fushën e tij me Burrelin dhe barazimi i Lushnjes me Vorën. Ndërsa ndeshjet e tjera ishin të pritshme, sepse të gjitha skuadrat që dolën me pikë të plota e kanë merituar me lojën që zhvilluan”, kështu e nisi bisedën ish-futbollisti i Flamurtarit, Partizanit e Kombëtares, Eqerem Memushi, i cili në këtë ecuri të garës kërkon që të ndalet edhe tek Flamurtari. “Duke parë ecurinë e Flamurtarit dhe kontigjentin që ka në këtë sezon, mendoj se është normale që të dominojë mbi të gjitha skuadrat e tjera. Është një skuadër me kushte optimale dhe me financa të cilat e garantojnë gjithçka për mirë, ndaj edhe fitorja në Peshkopi nuk ishte surprizë. Njëherësh duke ju referuar ndeshjeve dhe paraqitjes së skuadrave, mendoj se përveç Flamurtarit, Bylis dhe Elbasani janë në vendet që u takojnë. Por unë them se Flamurtari duhet të ishte dhëmb për dhëmb me dy kryesueset, pra më afër me pikë me Bylisin”. Po si i shikon Memushi skuadrat në ecurinë e tyre të deritanishme? “Deri tani, vetëm Luzi ka treguar se nuk e meriton të jetë pjesë e Kategorisë së Parë, sepse 2 pikë në 10 ndeshje nuk flasin më shumë. Ndërsa e theksoj se, të gjitha skuadrat e tjera janë në pozicione që e meritojnë. Mund të ketë edhe përjashtime, por duke menduar se janë edhe dy faza të tjera, them se këto skuadra do të tregojnë më shumë vlera. Dhe këtu kam parasysh se veç Vorës, të gjitha kanë qenë pjesë e Superiores. Në performancën e tyre kanë ndikuar edhe gjykimet, sepse arbitrat kanë treguar nivel të mirë gjykimi, përjashtuar dy-tre ndeshje që ka patur kundërshti”. Ndërsa për javën e 11-të, e cila mbyll fazën e parë, Memushi pret përsëri surpriza. “Duke ju referuar kalendarit, mendoj se edhe java e 11-të do ketë supriza. Duke veçuar takimin AF Elbasani-Bylis si një kryendeshje, tek të tjerat do ketë edhe rezultate surprizë”, ishte kjo biseda me Eqerem Memushin, ish-futbollistin e trajnerin e Flamurtarit.

LEGJIONARËT NË FUNDJAVË

Gjimshiti humbet ndaj Asllanit, Strakosha protagonist

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga grumbullimi i radhës i Kombëtares dhe  legjionarët kuqezi vijojnë të japin më të mirën e tyre në klubet ku ata luajnë. Në këtë fundjavë në Serie A, Gjimshiti dhe Ramadani ishin titullarë të padiskutueshëm me skuadrat e tyre, Atalanta dhe Leçe, e po kështu edhe Kastrati, Mihaj, Laçi, Uzuni dhe Seferi. Me skuadrat e tyre, në pjesën e dytë u aktivizuan Strakosha që e mbajti 45 minuta të paprekur portën e Brendford, ndërsa edhe Kristjan Asllani luajti minutat e tij në fitoren 2-1 ndaj Atalantës së Gjimshitit. Muja në Belgjikë ishte vendimtar në fitoren 3-2 të Antverp ndaj Genk, ndërsa në Turqi, mesfushori Çekiçi ishte protagonist në fitoren 4-2 të Pendikspor ndaj Instanbulspor.

Panenka e Cikalleshit e kthen në hero te Konyaspor

Protagonisti kryesor i kësaj fundjave nga Legjionarët shqiptarë ishte padyshim Sokol Cikalleshi. Kavajasi është kthyer në heroin e skuadrës së tij, Konyaspor, duke shmangur humbjen në shtëpi ndaj Karagumruk. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e barazimit me një penallti në minutën e 97-të, duke e vulosur rezultatin në 1-1. Ai shndërrroi në gol një penallti duke e realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, me ‘panenka’. Në këtë ndeshje, Cikalleshi i luajti minutat e plota, ndërsa në stol për skuadrën mike ishte mbrojtësi Frederik Veseli. Tashmë Cikalleshi është një nga lojtarët kryesorë të Kombëtares së Shqipërisë, dhe forma e tij pritet me interes në dy sfidat e radhës të “Euro 2024”.

 

NGJARJA NË BERAT

Në minutën e 20-të të takimit Tomori-Burreli, ndodhi një përplasje kokë më kokë mes dy lojtarëve të Burrelit. Florenc Ferruku bie pa ndjenja dhe u nevojit ndërhyrja e stafeve mjekësore për ta përmendur. Më pas ai u shoqërua me autombulancë në spitalin rajonal, ku morri ndihmën mjekësore.

 

NDESHJET, JAVA 10 

Dje, 6 nëntor 2023

Vora-Lushnja                 2-2

Korabi-Flamurtari          0-1

Kastrioti-Apolonia          1-1

Bylis-Besa                     0-0

Tomori-Burreli               0-1

Luzi2008-AF Elbasani    2-4

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Bylis                  10      26

2.AF Elbasani       10      22

3.Vora                  10      19

4.Apolonia            10      18

5.Flamurtari          10      18

6.Korabi               10      11

7.Lushnja              10      11

8.Kastrioti            10      10

9.Burreli               10      10

10.Tomori            10      10

11.Besa                10      9

12.Luzi 2008        10      2

Trajneri i Flamurtarit vlerëson fitoren, kritikon arbitrimin

Pas fitores së djeshme të Flamurtarit me Korabin, nga Peshkopia për gazetën “Telegraf”, trajneri Emiliano Çela e vlerësoi ambientin në stadium, por ai ishte  shumë kritik me gjykimin. “Flamurtari e fitoi me meritë ndeshjen, por ishte një arbitrim shumë tendencioz. Kush vesh është i hapur të më dëgjojë, duhet ta vlerësojë këtë që po ju them. Sepse kishte një penallti flagrante, kartona, faulle të paqëna gjatë gjithë ndeshjes. Për ne kjo është një fitore e merituar”, ishte kjo biseda me trajnerin e Flamurtarit, bërë dje pas ndeshjes Korabi-Flamurtari 0-1.