KATEGORIA E PARË/ Në fundjavë luhet një “Kryendeshje”, flet për “Telegraf” Elvis Kotorri
Agron Kaja

“Elbasani është skuadër e ndërtuar për t’u ngjitur në Superiore, dhe në ndeshje me kundërshtarë rivalë si Bylisi, alternativa e vetme mbetet fitorja. Ndaj Bylisi zgjedh fitoren e AF Elbasanit, jo lojën e bukur”
Java e 11-të e Kategorisë së Parë është e fundit e fazës së parë. Të shtunën dhe të dielën skuadrat do të luajnë 90 minutat e fundit të kësaj faze, ku kalendari sjell ndeshje të forta dhe interesante për të dy kahjet e renditjes. Por kjo javë ka edhe një “kryendeshje”, pasi përballen dy skuadrat e para: AF Elbasani dhe Bylisi. Ballshiotët kryesojnë me +4 pikë nga AF Elbasani, por për ish-portierin verdheblu Elvis Kotorri, kjo renditje nuk ka shumë rëndësi për të arritur objektivin e tyre. “Kategoria e Parë e këtij sezoni është duke u zhvilluar shumë e fortë, por edhe e ashpër në luftën sportive. Mendoj se të gjitha skuadrat janë në pozicione që i kanë merituar, edhe pse ndonjëra mund të ketë gabuar rrugës duke lënë pikë brenda e jashtë fushës. Ndërsa AF Elbasani ka hyrë në këtë sezon me ambicje për t’u ngjitur në Abissnet Superiore. Janë bërë investime të mëdha dhe besoj se skuadra është në rrugën e duhur, por besoj se do ketë përmirësime në dy fazat e tjera”, kështu e filloi Elvis Kotorri bisedën për gazetën “Telegraf”, ndërkohë që për ndeshjen e fundit të fazës së parë kundër Bylisit, ai nuk mendon tjetër rezultat, veç fitores. “Elbasani është skuadër e ndërtuar për t’u ngjitur në Superiore, dhe në ndeshje me kundërshtarë rivalë si Bylisi, alternativa e vetme mbetet fitorja. Ballshiotët kanë skuadër, që kryeson me meritë në këto 10 javë të luajtura. Do të thoja se është bërë një “stekë e vjetër” në këtë kategori, të cilën mendoj se e njeh mirë. Ndaj besoj se kjo do të jetë një sfidë si e Superiores, ku AF Elbasani i ka të gjitha mundësitë që të dalë me pikë të plota. Ne do hyjmë në fushë vetëm për ta fituar ndeshjen dhe fitorja jonë do ta bëjë edhe më interesante luftën për kreun e renditjes, por edhe vazhdimësinë e garës”. Në 10 javët e luajtura, AF Elbasani ka grumbulluar 22 pikë, 4 më pak se Bylisi kryesues. Me 7 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, skuadra e drejtuar në këtë sezon nga Nevil Dede kërkon që t’i bëjë mbylljen më të mirë fazës së parë të kampionatit. “Në fakt, të gjitha ndeshjet e javës së 11-të do të jenë të luftuara, sepse të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë. Referuar kalendarit duket se skuadrat vëndase do jenë favorite, por nuk i dihet surprizave që mund të ndodhin në ndonjë ndeshje të veçantë. Rëndësi ka që AF Elbasani ta kalojë me fitore sfidën me Bylisin”, ishte kjo biseda me Elvis Kotorrin, ish-portierin e Elbasanit dhe Dinamos në Superiore.
NDESHJET, JAVA 11
Të shtunën, 11 nëntor 2023
Lushnja-Korabi 13:30
Apolonia-Vora 13:30
Besa-Kastrioti 13:30
Burreli-Luzi2008 13:30
Flamurtari-Tomori 13:30
Të dielën, 12 nëntor 2023
AF Elbasani-Bylis 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Bylis 10 26
2.AF Elbasani 10 22
3.Vora 10 19
4.Apolonia 10 18
5.Flamurtari 10 18
6.Korabi 10 11
7.Lushnja 10 11
8.Kastrioti 10 10
9.Burreli 10 10
10.Tomori 10 10
11.Besa 10 9
12.Luzi 2008 10 2
FSHF, Displina iu bllokon merkatos për borxhet
Tirana, Skënderbeu dhe Dinamo janë bërë objekti i KD në FSHF. Skuadrat kanë borxhe të pashlyera të mbartura dhe merret vendim për bllokimin e merkatos së tyre, për mospërmbushje të detyrimeve ndaj lojtarëve apo zyrtarëve, që kanë fituar gjyqet në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Tirana i detyrohet 25 mijë euro Asjon Dajës, Skënderbeu 27 mijë euro Dejvi Bregut dhe Dinamo 3 mijë euro ish-drejtorit të saj, Arbi Laçi. Kështu, klubet nuk mund të licensohen.