KATEGORIA E PARË/ Drejtori i AF Elbasanit, Elton Guranjaku, tregon për situatën e tyre në kampionat
Agron Kaja

“Ne jemi brënda objektivit për t’u ngjitur direkt në Abissnet Superiore. Do jemi këmbëngulës që këtë vënd, pse jo edhe në të parin, ta kemi deri në mbyllje të kampionatit”
Skuadra e AF Elbasani po kalon një formë të mirë në kampionatin e Kategorisë së Parë, ku së bashku me Bylisin janë dy kryesueset në 20 javë. Për situatën te skuadra verdheblu dhe ecurinë e saj në këto javë, për gazetën “Telegraf”, Drejtori i Klubit Elton Guranjaku, u shpreh midis të tjerave se me pikët e grumbulluara janë brenda objektivit. “Me renditjen që kemi në këto 20 javë, ne jemi brënda objektivit për tu ngjitur direkt në Abissnet Superiore. Jemi këmbëngulës që këtë vënd, pse jo edhe në të parin, ta mbajmë deri në mbyllje të kampionatit. Por, nëse me pikët jemi brenda objektivit, me lojën jo, sepse në ndeshje të veçanta ajo ka qënë disi me hope, me ndeshje të mira e të dobëta. Dhe këtë e prisnim, sepse në verë afruam 16 lojtarë të rinj”, kështu e nisi bisedën Drejtori i klubit të AF Elbasanit, Elton Guranjaku. Edhe pse skuadra është në krye dhe ngjitet direkt në Superiore, drejtori Guranjaku tregon edhe arsyet. “Është e natyrshme në futboll, që një skuadër të mos e arrijë përshtatjen e plotë, pas afrimeve të reja, Këtu kemi patur mangësinë tonë, ndërkohë që vendi i dytë tregon se skuadra ka shumë për të dhënë. Shkojmë në javën e 21-të dhe tani vjen pjesa më e vështirë e sezonit, sepse jemi në prag të fazës së dytë dhe vështirësia është e madhe ku çdo skuadër e ka një objektiv. Kryesisht transfertat tona do jenë të vështira”. Duke mos anashkaluar edhe barazimin në javën e 19-të me Flamurtarin, ku skuadra vlonjate kundërshtoi vendimin e gjykimit që barazoi rezultatin, Guranjaku e trajton “ftohtë” këtë situatë. “Me Flamurtarin ndeshja shkoi mirë dhe e vetmja gjë ishte goli që ju anulua vlonjatëve nga sistemi VAR. Për këtë, përgjegjësia nuk është e jona, ne ishim më superior në atë sfidë. Tashmë ky moment i përket vetëm javës së 19-të dhe për ne rëndësi ka vazhdimësia pozitive për javët në vazhdim”. Faza e dytë e Kategorisë së Parë luan dy ndeshjet e fundit të saj, me Luzi 2008 dhe Bylisin kryesues, dhe Guranjaku i merr ndeshjet me rradhë. “Ne faktikisht mendojmë për Luzin fillimisht, sepse çdo ndeshje ka vështirësitë e saj, pastaj për sfidën me me Bylisin. Na duhet të rregullojmë lojën tonë për të qënë më stabël gjatë gjithë 90 minutave, sepse kjo po na penalizon”, kështu e mbylli bisedën Elton Guranjaku, Drejtori i AF Elbasani.
LEGJIONARËT NË FUNDJAVË
Uzuni protagonist në Barcelonë, vlerësohet me notën 7

Sulmuesi i Kombëtares Myrto Uzuni, ishte një nga më të mirët në fushë për Granadën, në barazimin 3-3 që skuadra e tij arriti në transfertë ndaj Barcelonës. Në 84 minutat që ai u aktivizua në këtë sfidë u vlerësua me notën 7 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”. Një fakt interesant është se sulmuesi i Kombëtares shqiptare gaboi vetëm një passim, nga 10 që kreu në total. E nisi në minutën e 20-të kur tentoi të shënonte një supergol me roveshatë, por nuk u koordinua mirë në zonë. Ndërsa në minutën e 60-të ai dha një asist për shokun e skuadrës, Pelistrin, i cili shënoi golin e dytë për Granadën. Në minutën e 82-të Uzuni u ndal nga portieri i Barcelonës, Ter Shtegen, pas një gjuajtje të befasishme.
Rei Manaj shënon supergol, i “shkel” syrin Silvinjos

Të dielën, në sfidën e javës së 25-të të Superligës turke, sulmuesi kuqezi Rei Manaj u bë protagonist me supergolin që shënoi ndaj Rizespor, pikërisht në minutën e 29-të. Me një gjuajtje jashtë zonës së rreptësisë së skuadrës kundërshtare, Manaj i dha tri pikët e radhës Sivasporit. Një gol tripikësh që e rendit këtë skuadër në vëndin e 9-të me 33 pikë, Manaj shënoi golin e tij të 12-të në Superligën turke, 4 gola larg kryesuesit të golashënuesve, boshnjakut Edin Xheko. Duke vazhduar të shënojë me rregullsi në këtë kampionat, ai është kthyer në idhullin e tifozëve të Sivaspor. Ndërkohë, në prag të Europianit “Francë 2024”, Manaj i jep një mesazh të qartë trajnerit Silvinjo për formën e mirë që po kalon.

KATEGORIA E PARË
NDESHJET, JAVA 21
Të shtunën, 17 shkurt 2024
Burreli-Tomori 13:30
Besa-Bylis 13:30
Apolonia-Kastrioti 13:30
AF Elbasani-Luzi 2008 17:00
Të dielën, 18 shkurt 2024
Lushnja-Vora 13:30
Flamurtari-Korabi 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Bylis 19 48
2.AF Elbasani 20 46
3.Vora 20 39
4.Flamurtari 20 36
5.Apolonia 20 30
6.Korabi 20 26
7.Lushnja 20 23
8.Besa 20 19
9.Burreli 20 19
10.Kastrioti 19 16
11.Tomori 20 14
12.Luzi 2008 20 12






















