Ilmi S. Qazimi: Në Europë apo në gropë?

20

Mirë foli z.kryetar i qeverisë për administratën, po pse nuk u kujtua të fliste dy fjalë për mësuesit nga ata të ndonjë fshati të thellë, që ende u japin dije vogëlushëve, deri tek këta në kryeqytet që, edhe pse në mjedise komode dhe tepër të bukura, me stil europian e me shije amerikane, shumica e nxënësve as i dëgjojnë e as i lënë të bëjnë punën më të lavdërueshme e të mbiçmueshme në histori?

Sigal

Dikur, në vendin tonë, përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, në periudhën e ekonomisë socialiste  së bashku me zhvillimin  e vrullshëm të marrëdhënieve në prodhim dhe të forcave prodhuese, klasës punëtore dhe fshatarësisë  kooperativiste si dhe intelegjencies popullore u krijuan edhe mendësi e koncepte të reja që  i përputheshin asaj ekonomie, atij sistemi. Kështu u ndërtuan objekte të reja, u sollën emërtime të reja dhe domosdo pati edhe zhargone të reja. P.sh. një intelektual që nuk kishte haber nga jeta në fshat dhe që jetonte në qytet, bënte pyetjen: “Ç’kemi andej nga fshati!?!” Me këtë tregonte sa injorancën e vet aq edhe burokratizimin dhe largimin e tij nga origjina. Të tillëve, herët a vonë nga vetë hallkat qeverisëse dhe partiake të sistemit  u jepej ‘ilaçi’ “qarkullim në prodhim!” Dhe ata pasi kishin ‘plotësuar me sukses stazhin në prodhim’ një deri pesë vjet, jo vetëm që nuk e bënin më pyetjen denigruese për fshatin dhe fshatarin, por me kokën e ulur, e kishin vetvendosur jetën krah njeriut të punës që prodhon të mirat materiale  e që përballet me  halle  të mëdha.

Për çudi një të tillë pyetje e dëgjojmë sot, në shekullin e njëzetenjë përsëri, por në rrethana paksa më groteske. Në sistemin e sotshëm të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, veç jo pak të mirave (që realisht janë të tilla) kemi edhe funksione zyrtare aq të shumta që mbajnë lidhur zinxhirët me apo pa ndryshk të administratës shtetërore, në shërbim të kapitalit. Një ndër ato, madje fare e thjeshtë dhe e sheshtë, është ”administrator pallati ose grup pallatesh”. Këtë lloj posti e dikton vetë koha, kushtet e jetesës në kolektiv qytetarësh të të gjithë kombeve, rracave, profesioneve, më shumë të panjohur se sa të njohur me njeri-tjetrin. E kushtëzojnë edhe zhvillimet teknologjike; madje në disa shtete janë kompani të tëra, që merren me të tilla detyra, dhe me probleme që shkaktohen në komunitetin e njerëzve, të kafshëve të egra e të buta, të shpendëve dhe të agjentëve atmosferikë. Të tërë këta janë përherë në ndërveprim të ndërsjelltë dhe tepër aktiv. Dhe kuptohet që shteti kapitalist( lexo: makineria shtypëse dhe taksambledhëse e pamëshirëshme që ka krijuar   rripat e veta lidhës nga baza deri në qendër të qeverisjes)e ndjek këtë linjë me njerëzit e tij të punësuar. P.sh, jo për humor po për realitet, në një qytet të Gjermanisë, një ditë me mjegull, tek punonjësi ‘dezhurn’ i kompanisë, vete ankesa telefonike: ‘më shqetëson së tepërmi një qukapik me trokitjet e tij në  murin lindor të katit të shtatë. Ju lutem merrni masa”.(!?) Dhe punonjësit e firmës, të specializuar për të tilla ankesa i përvishen punës.

Tek ne, në Tiranë e gjetiu nëpër qytetet e bukurbetonizuara, deri tani sundon koncepti dhe praktika “gjeji një punë filanit se e kemi simpatizantin e militantin e partisë tonë”. Eshtë harruar tërësisht metodologjia e duhur: “gjeji punës njeriut! “Petritit, një administrator pallati në lagjen nr. 11, i bie telefoni dhe nis biseda me pyetjen “Ç’kemi andej nga sektori!?” e pastaj prezantimi: “Jam Axham Toslluku në zyrën që merret me administrimin e pallateve nga Bashkia”. Petriti ia kthen sakaq:’Këtu nuk ka sektor! Ka shkallë, dyer e dritare, tarraca, ballkone, hapësira boshe dhe pa ia bërë tërr syri e përfundon:”Zotrote, mos je në karrigen e gabuar?!”

Ky është rasti më i thjeshtë dhe më pak i rëndësishëm që tregon se administratat e qeverive tona postkomuniste janë të krimbura nga fundi në krye, me paaftësi, burokraci, korrupsion dhe përsëri paaftësi. Jo vetëm nuk e njohin detyrën për të cilën paguhen rëndshëm, por hedhin edhe hizgla! Sepse është e njohur aftësia e të paaftit! Është shumë kuptimplot edhe shqetësimi (-shyqyr që u shqetësuan njëherë edhe për  zyrtarët- më thotë me ironi fqinji roje në një firmë private) i kryeqeveritarit  të tanishëm, z.Edi Rama, i cili sapo ka deklaruar gjatë ditëve të para të shkurtit : “Administrata publike është armata jonë pararojë e betejës për anëtarësimin në BE dhe për jetësimin e vizionit Shqipëri 2030! Kjo armatë e pazëvendësueshme duhet të hyjë medoemos në një fazë të re energjizimi e profesionalizmi, për të rritur ndjeshëm performancën e Shqipërisë, duke fuqizuar mirëqeverisjen, rendin ligjor dhe antikorrupsionin, me modernizim të mëtejshëm e inovacion të pandalshëm”. Dhe e mbylli deklaratën vizionare për betejën e hyrjes në Europë,me  periudhën e gjatë gramatikore: ”Procesi në Bruksel tregoi se vlerësimi është objektiv dhe se administrata jonë është një aset i jashtëzakonshëm që ka potencial të jashtëzakonshëm.” Siç e kupton gjithkush, tani, pas këtyre fjalive vizionare duhet të pasojnë vetëm duartrokitjet dhe parrullat frenetike: “Rroftë Rama, rroftë Administrata!” Kjo na kujton një episod plot humor i një mësuesi tepër inteligjent përmetar që rrëfehej në vitet ‘60-të të shekullit të kaluar që, nga njëra anë për të rritur vlerat e veta, e nga ana tjetër për të balancuar kritikat për  punën e tij, recitonte dy vargje:”Rroftë shkolla, rroftë arsimi; Rroftë mësuesi Kolo Meshini!”

Si u paska ngritur niveli e do të arrijë deri atje sa administrata me këta lloj punonjësish që pyesin”Ç’kemi nga sektori!?” na qenka”aset i jashtëzakonshëm!!” Kjo do të thotë se në Shqipëri punëtorë nuk ka më! Dhe nuk ka pse të ketë më! Ata nuk kanë atë rëndësi dhe peshë në zhvillimin shoqëror sa ka administrata! Sidomos performanca e administratës! A mos vallë, fjalët e z.Kryetar, do të thonë  se në Shqipëri nuk ka pse të flasim më për fshatarësi, për njerëzit e mrekullueshëm të maleve, kodrave, fushave që jetojnë e krijojnë jetë dhe të mira materiale konkrete për të ngrënë administrata e kësaj qeverie!? Të kësaj administrate, që paguhet kryesisht me taksat që iu merr rreptësisht atyre njerëzve të punës që prodhojnë të mira konkrete e jo fjali e vizione? Mos vallë nuk do të  flasim, përkrahim dhe ndihmojmë deri në cakun e fundit, ata njerëz, që i japin gjallëri mëmëdheut tonë ku kemi kockat e të parëve tanë? Përsëri do të ecim në gjurmët e asaj ministres së bujqësisë, që nuk dinte kur mbillej gruri?

Mirë foli z.kryetar i qeverisë për administratën, po pse nuk u kujtua të fliste dy fjalë për mësuesit nga ata të ndonjë fshati të thellë që ende u japin dije vogëlushëve, deri tek këta në kryeqytet që, edhe pse në mjedise komode dhe tepër të bukura, me stil europian e me shije amerikane, shumica e nxënësve as i dëgjojnë e as i lënë të bëjnë punën më të lavdërueshme e të mbiçmueshme në histori ? Po si nuk i shkoi mendja kryeministrit tek ato mami që ende punojnë në vende të thella, për ndonjë lindje sado të rrallë në malësi e ato qendra banimi ku nuk ka as ambulancë, as rrugë automobilistike e as ujë të pishëm?

Dakord jemi të gjithë, që pagat të rriten se kështu  edhe shqiptarët e sëmurë psikologjikisht do ta kuptojnë që këtu jetohet më mirë se kudo në botë. Ky premtim është tepër emocionues në qoftëse bëhet realitet i shpejtë. Por ama, po qe se u qan kaq shumë hallin “gjithë atyre që e kalojnë një pjesë të madhe të ditës në zyrat e institucioneve të këtij shteti”, me telefonata boshe e me kompjutera që nuk dinë t’i përdorin, atëherë përsëri Petriti do të ketë të njëjtën telefonatë:” “Ç’kemi andej nga sektori!?”

Dhe më tej akoma, po qe se do t’ua “qajmë kaq tepër hallin të tillë njerëzve të zyrave” do të kemi përsëri po këta deputetë që iu hedhin rojeve miell syve me arsyen “kot për qejf!”Mallkimi popullor:”ju zëntë buka sytë” është më i pakti ndëshkim moral për taDo të vijojmë të kemi të atillë deputetë e zyrtarë që iu hedhin djemve-roje aq të urtë (të urtë se  duan të ruajnë vendin e punës!) flakadan e  fishekzare- për të hyrë  në ‘shtëpinë e tyre’, në parlament! Pika që nuk u bie! Si atyre që kryejnë ato veprime dhe atyre që i bëjnë sehir! Ata deputetë me të tilla sjellje nuk duhen lejuar që të afrohen as te kolibet e qenit! Për administratë të këtillë që rrit e edukon dhe përgatit ligjvënës aq huliganë, nuk ka më nevojë Shqipëria! Le të shpresojmë se kjo “fazë e re energjizimi” e administratës së kësaj qeverie do ta shpjerë Shqipërinë drejt Europës më shpejt e sa drejt Gropës!