Elis Bakaj, “binjak” me golin

669
Sigal

Mesfushori i Kombëtares shënoi rrjetën e parë në fitoren 2-0 të skuadrës së tij, Çornomoretsit

Elis Bakaj është shndërruar në një makth për ekipet kundërshtare. Mesfushori i avancuar shqiptar shënoi golin e parë në fitoren 2-0 të Çornomeretsit të tij në transfertën kundër Volinit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të kampionatit ukrainas. Në ndeshjen kundër Volinit luajti nga minuta e 91-të edhe mbrojtësi i Kombëtares, Kristi Vangjeli, teksa ishte fiksuar përfundimisht rezultati 0-2 për Çornomoretsin. Golin e dytë për skuadrën e dy shqiptarëve e realizoi braziliani Anderson Santana, me një penallti të ekzekutuar në minutën e 80-të. Për Çornomeretsin kjo ishte fitorja e dytë rresht, pas asaj po 2-0 ndaj Krivbasit. Me këtë fitore, e 9-ta në 18 javë, Çornomoretsi u ngjit në vendin e pestë me 30 pikë, ndërkohë që Vorskla Poltava e Dallkut dhe Januzit, pozicionohet në vendin e 12-të (me 20 pikë) nga 16 skuadra që ka kampionati ukrainas.

GOLI – Rrjeta e ish-Dinamos së Tiranës dhe Dinamos së Bukureshtit u realizua në minutën e 34-t, pas shërbimit të sulmuesit ukrainas, Ivan Bobko. Çornomerets rikuperoi një top në mesfushë, duke ndërmarrë një kundërsulm nga a djathta, topi i krosuar nga lojtari nga Bregu i Fildishtë, Frank Dja Djedje, mbërriti jashtë zonës te këmbët e Ivan Bobkos, ky i fundit pasoi brenda zonës direkt te Bakaj, dhe, Elisi, pas një lëvizje të bukur me trup, goditi fuqishëm me të majtën për të mposhtur portierin kundërshtar, Maskim Startsve, në këndin e poshtëm të anës së djathtë të kuadratit të portës. Një gol që solli përqafimet e shokëve, por dhe të tifozëve të Çornomoretsit që kishin ardhur në stadium. Bakaj u ndëshkua edhe me një karton të verdhë në fund të pjesës së parë.

RRJETAT – Për Bakajn ky ishte goli i tij i pestë sezonal në 15 ndeshje, teksa tre prej tyre i ka realizuar në transfertë, si në rastin e ndeshjeve kundër Vorsklës, Arsenalit dhe dje Volinit. Dy golat e tjerë, Elisi i ka realizuar ndaj Tavrias dhe Karpatit. Goli i Bakajt kundër Tavrias, i realizuar pas dy veprimeve shumë të bukura, së pari një stopim me gjoks, dhe më pas me një gjuajtje në formë voleji fitoi vëmendjen ndërkombëtare, si një nga golat më të bukur në Europë për muajin nëntor. Elis Bakaj është duke kaluar një formë shumë të mirë me Çornomoretsin, aq sa Dinamo e Bukureshtit është penduar që e lëshoi xhevahirin shqiptar. Në kampionatin azerbajxhanas, Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit fitoi 1-0 në transfertën me Neftçin.

PESË GOLAT E ELIS BAKAJT

02.12.2012

Volin-Çornomorets    0-2        1

11.11.2012

Arsenal- Çornomorets 0-1        1

21.10.2012

Çornomorets-Tavria   1-0        1

11.08.2012

Çornomorets-Karpati  1-1        1

05.08.2012

Vorskla- Çornomorets 0-1        1

 

Vajushi

Mesfushori shkodran, Armando Vajushi, ndihmoi skuadrën e tij, Liteks Loveç, në fitoren 1-0 në transfertë ndaj Spartakut të Varnës, në ndeshjen e vlefshme për një të tetat e Kupës së Bullgarisë. Vajushi u zëvendësua në minutën e 90-të për arsye taktike nga trajneri Hristo Stojçkov. Në të 69’, shkodrani i kishe të gjtiha mundësitë për të shënuar. Vajushi u ndëshkua dhe një karton të verdhë.

Kapllani

FSV Frankfurti zhgënjeu në shtëpi, në atë humbje 1-2 me Eintrahtin e Braunshvajgut, ndërkohë që fati i dy lojtarëve shqiptarë ishte i ndryshëm. Sulmuesi Edmond Kapllani luajti si titullar, por pa mundur të tregojë vlerat e tij, ndërkohë që mesfushori Odise Roshi e pa veten në fushë nga minuta e 59-të. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, FSV Frankfurti nuk mundi ta shmangte humbjen.

Meha

Mesfushori kosovar i Kombëtares shqiptare, Alban Meha, u rikthye pas disa javësh mungesë në formacion, nga 10 nëntori, por nuk mundi ta shpëtojë Padebornin e tij nga humbja 2-0 në shtëpi me Duisburgun. Skuadra e shqiptarit luajti nga minuta e 58-të me dhjetë lojtarë, kur rezultati ishte 0-1. Meha nuk e bindi trajnerin dhe u zëvendësua në minutën e 58-të.

I pafati Samir Ujkani, bën mrekulli ndaj Interit, por e ndëshkon autogoli

Samir Ujkani bëri një numër pritjesh të mrekullueshme, duke e shpëtuar Palermon nga raste të shumta të Interit, por më në fund gardiani shqiptar u gjunjëzua vetëm nga një autogol i shkaktuar nga shoku i tij i skuadrës, Garsia, në fitoren e ngushtë 1-0 të zikaltërve, në javën e 15-të të Serisë A. Në fakt, Interi pati “pjesën e luanit” gjatë gjithë ndeshjes, por forma e mirë e treguar nga Samir Ujkanit, pas rikthimit të tij në portë, bëri që porta e Palermos të ishte e paprekur për 74 minuta. Një krosim i Andrea Ranokias, pikërisht në këtë minutë, u devijua me padashur nga Garsia, me këtë të fundit që i hoqi çdo mundësi shqiptarit për të reaguar. Në ndeshjet e tjera të ditës së diel, Bolonja mundi Atalantën, ndërkohë që Lacio fitoi me Parmën, po me rezultatin 2-1. Roma mundi Sienën 3-1, ndërsa Kievo fitoi 4-2 me Xhenoan. Udineze shkatërroi 4-1 Kaljarin dhe Napoli fitoi 5-1 me Peskarën. Erjon Bogdani nuk ishte as në bankinë në ndeshjen kundër Romës.

Cana luan 45’ në qendër, por Loriku zhgënjen sërish

Lorik Cana ndihmoi Lacion e tij të mbronte fitoren 2-1 ndaj Parmës, në javën e 15-të të Serisë A. Golat për lacialët, ku drejtor sportiv është Igli Tare, mbajnë firmat e Xhuzepe Bavës (i zëvendësuar në pjesën e dytë nga Cana) dhe gjermanit Miroslav Kloze. Beldofil realizoi në “Olimpiko” golin e vetëm për Parmën. Loriku hyri në lojë në fillim të pjesës së dytë. Sipas mediave italiane, portalit Lalaziosiamonoit.it, (i afërt me klubin lacial), Loriku u vlerësua me notën 5.5. “Cana hyri gjatë lojës, por nuk duket se e ka gjetur veten e tij në rolin që kryen. Humbi një dyluftim me Beldofilin dhe i krijoi sulmuesit verdheblu (të Parmës) një rast të madh për të shënuar. Është hera e dytë që, Cana luan në qendër të fushës për Lacion, por ende nuk është përshtatur me skemat dhe lëvizjet e skuadrës”, – shkruante portali në fjalë për Lorikun, që në komentin e saj e vlerësonte si një lojtar të lodhur. Por, krejt tjetër është vlerësimi i trajnerit të Lacios, Petkoviç: “Cana më tregoi se e meritonte të luante në atë rol”, – citohet tekniku boshnjak. Cana, së bashku dhe me Hernanesin dhe Kozakun, morën vlerësimin më të ulët nga portalet sportive. Kjo ishte fitorja e dytë rresht e Lacios, pas asaj me Udineze, dhe treta në katër ndeshjet e fundit.

Behrami-Xhemaili, çfarë fitoreje 5-1!

Napoli i dy kosovarëve, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili, arriti një fitore spektakolare 5-1 me Peskarën, duke kapur vendin e dytë të Serisë A, me dy pikë më pak se Juventusi kryesues (35). Goleada napolitane mban firmat e Inlerit (2) dhe Kavanit (2), dhe te goli shkoi edhe Hamshik. Peskra luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 57-të (karton i kuq i Boketit). Mesfushori Valon Behrami luajti minuta të plota (u ndëshkua me karton të verdhë), ndërkohë që fantazisti Blerim Xhemaili hyri në lojë si zëvendësues nga minuta e 69-të. Bjamason shënoi golin ngushëllues të Peskarës.