Shpëtim Gjika: “Ky Flamurtar më bëri tifoz si në rininë time”

503
Sigal

 Kryebashkiaku i Vlorës zyrtarizon largimin si president: “Më vjen keq që, nuk e fitova një titull kampion”

Flamurtari fitoi 3-1 me Apoloninë e Fierit, me golat e Muzakës, Memellit dhe Lenës (Ribaj për fierakët), duke u rikthyer te fitorja, ndërsa e mbylli në vend të shtatë fazën e parë, me 19 pikë, 14 më pak se Skënderbeu kryesues. Gjithsesi, larg objektivit të madh për titull, por ende në lojë për trofeun e Kupës së Shqipërisë, ku vlonjatët janë në çerekfinale. Një fitore bindëse ajo me Apoloninë, madje me një gol të pësuar në minutën e fundit të ndeshjes. Një gëzim i ligjshëm i djemve të udhëhequr nga spanjolli Hulian Rubio, por me një kryebashkiak si Shpëtim Gjika, që e ka festuar me shpirt çdo gol të shënuar nga kuqezinjtë. “Unë sot (dje) kam qenë tifoz siç kam qenë në rininë time. E kam shijuar ndeshjen dhe mund të them se qenka një pozicion shumë komod. Për sa i përket garancisë financiare, ajo do të jetë deri në fund. Unë nuk do të jem më president i Flamurtarit jo sepse ky ekip, këta sportdashës dhe ky qytet nuk e meritojnë një përkrahje të tillë, por është një shenjë dëshpërimi, madje revolte mund ta quaj për atë që ndodhi në Korçë, ku të gjithë, si mediat, si opinioni sportiv, e konsideruan që nuk ishte një ndeshje e drejtë. Pikërisht për këtë arsye unë kam dhënë dorëheqjen nga pozicioni i presidentit të klubit, sepse e ndjej veten shumë inferior dhe të fyer. Nuk mund të vazhdohet kështu, sepse përtej modestisë jam mësuar të futem në një garë të barabartë”, – tha Gjika për mediat pas ndeshjes me Apoloninë. Kryeqytetari i Vlorës shkoi dhe më tej në prononcimin e tij, duke bërë dhe një krahasim me garat e tij për të fituar mandatin e kryebashkiakut: “Është e treta herë që jam ndeshur në një garë shumë të fortë që është rivaliteti për zgjedhjet bashkiake dhe duke qenë se kam përballuar me sukses e barazi të plotë, e duke qenë që në dy mandate (i dyti dhe i treti si kryebashkiak i Vlorës) kam qenë nga pozicioni jo i sfidantit, por i njeriut që ka bërë ligjin, qoftë për letrat, për shkresat, për listat, dhe jam munduar që ta trajtoj në mënyrë të barabartë kundërshtarin, në mënyrë që të shoh dhe vetveten”. Gjika është i qartë në pozicionin e tij: “Por kur e shoh që këtu nuk ka barazi në futboll, kur dikush mund të komandojë si ti dojë qejfi, për çfarë duhet të jem, për imazh, për koperturë? Megjithatë kjo pak rëndësi ka, unë e kam thënë që në fillim të kampionatit që ekipet pretendente do të jenë Flamurtari im, sepse normalisht edhe sikur mos të ishte me këto shpenzime, gjithsesi do ta thosha sepse jam tifoz, kam evidentuar ekipin e Skënderbeut sepse ka ruajtur grupin dhe është përforcuar me lojtarë siç ishte Pejiç, i cili jo për arsye financiare, por për arsye që ai dhe unë i dimë shumë mirë, por nuk dua të flas, pasi dua të ruaj kofidencialitetin, por edhe Laçi kam thënë që do të jetë një ekip i mirë. Kjo do të thotë se përveçse tifoz jam edhe objektiv, dhe përpos këtij objektiviteti nuk mund ta shmang atë që ndodhi në Korçë. Ai takim jo se do t’i hapte rrugën kampionatit, por u konfirmua se vitin e tretë një ekip si Korça brenda në fushën e vet të paktën duhet të kishte “fair-play”. Absolutisht nuk pati dhe ndodhi edhe çudia tjetër në Shkodër. Nuk mund ta shpjegoj dot përse duhet të ndodhte ajo në Shkodër. Megjithatë unë e kisha marrë vendimin më përpara. I garantoj lojtarët që janë në kontratë me mua, sepse pjesa e Bashkisë do të vazhdojë, se ana financiare nuk do t’u mungojë”. Ish-presidenti i Flamurtarit lëshoi edhe akuza për “xhaketat e zeza”. “Absolutisht nuk mund ta mohoj se pjesa që hoqi objektivin e Flamurtarit janë gjyqtarët. Të mendosh në fillim të kampionatit për t’u shpallur kampion nuk është e ndaluar, pastaj është tjetër gjë sesi shkojnë gjërat. Gjatë rrugës ka pengesa që mund të evitohen, por unë nuk dua t’i vë emër. Është i treti vit që në përballjet me Skënderbeun penalizohemi dhe presidenti i tyre thotë që Gjika është qaraman. Absolutisht nuk ka të bëjë me të qenurit qaraman. Presidenti i Skënderbeut ka gjetur metoda të tjera që unë nuk dua t’i gjej kështu. I kam pasur mundësitë edhe më përpara, sepse kam vite që jam në krye të Flamurtarit dhe asnjëherë nuk kam tentuar dhe nuk kam gjykuar që të bëhen zgjedhje futbollistike me zgjidhje politike, apo me zgjidhje që janë jashtë dëshirave të Federatës. Kjo jo për t’iu servilosur Federatës apo për t’i bërë “furçe” presidentit të FSHF-së, sepse tani ndoshta jam komod të flas shumë hapur dhe nuk dua të marr favore. Në ndeshjen me Korçën e kam parë presidentin e FSHF-së shumë të revoltuar, sepse në një ndeshje të tillë të bësh gabime të tilla kur unë që jam amator futbolli e shoh që është pozicion i parregullt dhe gjyqtari që paguhet për atë punë nuk e sheh, atëherë çfarë duhet të them unë?”, – tha Gjika, i cili zbuloi edhe pengun e tij. “Tani e theksoj që nuk jam më drejtues dhe president i Flamurtarit, më vjen keq për kohën që kam harxhuar, sepse përveç kënaqësisë personale apo të sportdashësve të Vlorës, kam dashur vërtet të fitoj një titull kampion. Nuk ia kam arritur dhe kjo është e keqja, ndërsa e mira është që nuk ka përdorur metoda apo forma që në futbollin e sotëm njihen”, – përfundoi ish-presidenti i Flamurtarit.

 KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XIII

Të shtunën, 01.12.20012

SHKUMBINI-LUFTËTARI        2-1

Shënues: Lluca 68’, Duka 80’ / Mersini 41’

 KASTRIOTI-VLLAZNIA         3-2

Shënues: Fataki 16’, Turdiu 53’, 85’ / Rexha 49’, Dragoi 83’

 TEUTA-TOMORI               3-1

Shënues: Pajaziti 76’, Tairi 79’, 86’ / Mile 89’

 SKËNDERBEU-KUKËSI          2-0

Golat: Orelesi 64’, Dimo 88’

 Të dielën, 02.12.20012

TIRANA-LAÇI                2-1

Shënues: Duro 63’, G.Lika 75’ / Nimani 42’

 BESA-BYLISI                1-3

Shënues: Sefa 60’ / Shoshi 20’, Meto 32’, Bakiu 52’

 FLAMURTARI-APOLONIA        3-1

Shënues: Muzaka 3’, Memelli 67’ (p), Lena 72’ /  Ribaj 90’s

 RENDITJA

1    Skënderbeu      13   +19  33

2    Teuta            13   +3   23

3    Tirana          13   +5   22

4    Bylis           13   +6   21

5    Kukësi          13   +5   21

6    Laçi            13   +1   21

7    Flamurtari      13   +5   19

8    Vllaznia        13   +1   17

9    Besa            13   -2   16

10   Kastrioti       13   -7   15

11   Shkumbini       13   -7   12

12   Luftëtari       13   -6   11

13   Apolonia        13   -11  8

14   Tomori          13   -12  6

TIRANA-LAÇI 2-1

Duro-Lika, binomi fitues i bardhebluve

 Falë golit të realizuar nga mesfushori i Kombëtares shqiptare, Gilman Lika, Tirana mori një trepikësh shumë të rëndësishme në fitoren e ngushtë 2-1 ndaj Laçit, duke e mbyllur në vend të tretë renditjen përfundimtare të fazës së parë. Një përmbysje e bukur dhe me shumë emocione, edhe pse u luajt në një “Qemal Stafa”, thuajse të zbrazët. Fatet në Europë të kryeqytetasve për këtë edicion luhen vetëm në këtë kompeticion, pasi kanë dalë jashtë Kupës së Shqipërisë (u eliminua nga Kukësi) dhe vendi i tretë në klasifikim nuk është edhe aq keq, kjo duke parë dhe situatën e komplikuar që kanë kaluar në këto katër muaj bardheblutë, boll të kujtosh faktin se drejtohen nga trajneri i tretë sezonal. Gjithsesi, 11 pikë larg Skënderbeut kryesues, janë shumë për skuadrën më të titulluar në Shqipëri, që nuk fiton një titull kampion nga sezoni 2008-2009. Kurbinasit e Ramadan Shehut e kthejnë në “tabelë qitjeje” portën e Ilion Likës, teksa ish-portieri i Kombëtares dëshmon se nuk i ka humbur aspak cilësitë.  Loja e Laçit, mjaft e organizuar dhe me grintë e dëshirë, kurorëzohet në minutën e 42-të, kur Nimani korrigjon shënjestrën dhe mposht portierin Ilion Lika. Në minutën e 63-të, pas një goditje nga këndi të Tiranës, sfera gjen kokën e elbasanasit Duro, që me pjekuri shënon dhe rikthen ekuilibrin rezultativ. Të njëjtën gjë bën edhe Gilman Lika në minutën e 75-të, teksa kalibron një gjuajtje të zgjuar drejt këndit të djathtë të Vashakut, me këtë të fundit të befasuar. Përmbyset gjithçka në favor të bardhebluve, që tashmë janë futur në shinat e duhura dhe luajnë bukur. Në ndeshjet e së shtunës, u regjistruan katër fitore nga skuadrat vendase. Kështu, Skënderbeu fitoi 2-0 më Kukësin, Kastrioti 3-2 me Vllazninë, Shkumbini 2-1 me Luftëtarin dhe Teuta 3-1 me Tomorin.

 BESA-BYLISI 1-3

Bylisi “blen” një ashensor,tani sheh nga kati i katërt

 Bylisi duket se ka gjetur shpëtimtarin. Pikërisht, trajnerin karizmatik kosovaro-turk, Naxhi Shensojin. Dy fitore në dy në po aq ndeshje. Pas Tiranës në “Adush Muça”, dje ishte radha e Besës. Vendi i katërt në përfundim të fazës së parë. Më mirë se kaq, as më optimisti në Ballsh nuk e kishte menduar. Bylisi “blen” një ashensor, tani i sheh kundërshtarët nga kati i katërt. Bylisi shpalosi sërish vlerat e tij në atë fitore të bukur 3-1 ndaj Besës, të luajtur në fushën asnjanëse të Peqinit, teksa zona Europiane, hë për hë është një realitet i prekshëm. Kavajasit vazhdojnë të mos dalin nga kriza jo vetëm psikologjikë për shkak të pezullimit të fushës së saj nga Komisioni i Disiplinës, por edhe e rezultateve. Besa vinte në këtë ndeshje me tri mungesa kryesore, të cilat u pa qartë se patën ndikim të konsiderueshëm negativ në lojën e saj. Pa Mihanin, Abrahamin dhe Bathën, skuadra e Ilir Dajës nuk ndryshoi dot kurs, duke vijuar në rrugën e rezultateve negative, që e përfshijnë atë rrezikshëm në luftën për mbijetesë në përmbyllje të gjysmës së parë të kampionatit. Pas humbjes me Apoloninë në Fier, verdhezinjtë kanë dështuar edhe në Peqin. Verdhezinjtë pritës janë mundur me shifrat 3-1 nga Bylisi. Ka qenë një dominim i mallakastriotëve, të cilët e mbyllin pjesën e parë me avantazhin e dyfishtë, me golat e shënuar nga Shoshi (20’) e Meto (32’). Në fraksionin e dytë janë sërish miqtë që shënojnë dhe golin e tretë me anë të Bakiut (52’), ndërsa ai i nderit për kavajasit realizohet nga sulmuesi shtatlartë Fatjon Sefa në minutën e 60-të. Bylis ngjitet në vend të katërt, duke shtuar ambiciet për një vend në Evropë. Besa mbetet në vendnumëro, në vendin e 9-të, me 16 pikë.

 Ndihmëstrajneri i Anderlehtit: “Më erdhi keq kur refuzova stolin e Shqipërisë”

 Besnik Hasi: “Jam ambicioz i madh!”

Anderlehti fitoi me përmbysje 2-1 ndaj Serkël Bryzhit, dhe zëvendëstrajneri shqiptar i klubit belg, Besnik Hasi, u shpreh mjaft i kënaqur për mediat. “Një ekip të tillë kaq joshës sa sot (të shtunën), nuk e kisha parë prej një kohe të gjatë. Aktualisht, skuadra është e jashtëzakonshme. Pamë Anderlehtin e vërtetë, atë që tifozët e prisnin prej kohësh. Grupi njihet prej disa viteve dhe ambienti në gjirin e tij është i shkëlqyeshëm. Lojtarët i adhurojnë stërvitjet që kryen prej (trajnerit) Xhon van den Bromit. Nuk kemi të dëmtuar, çka na lejon të perfeksionojmë skemat çdo ndeshje”, – citohet Hasi nga portali “Anderleht-online.be”. Besnik Hasi foli dhe për të ardhmen e tij tek Anderlehti, për më tepër që ish-mesfushori shkatërrues i Kombëtares shqiptare vlerësohet shumë trajneri Xhon van den Brom dhe nga menaxheri Herman Van Holsbek, ky i fundit e shikon kosovarin në të ardhmen, si trajnerin e parë të klubit të njohur belg: “E vlerësoj mendimin e tij. Megjithatë, fillimet e mia si trajner i Anderlehtit nuk kanë qenë aspak të thjeshta, pasi unë erdha në kohën kur sapo kisha përfunduar karrierën time si lojtar te Sërkël Bryzhi. Presidenti Rozher Vanden Shtok refuzoi me forcë që unë të largohesha nga Anderlehti, para disa muajsh. Mua më priste një kontratë katërvjeçare para një viti, kur mund të bëhesha trajneri i ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Të zgjidhja midis Anderlehtit dhe vendit tim qe e vështirë, por Rozher Vanden Shtok më bindi”. Hasi shton: “Unë jam i lumtur te Anderlehti dhe drejtuesit dëshirojnë që unë të punoj akoma dhe disa vjet si ndihmës. Por, unë jam ambicioz. Dhe teksa tani nuk mund të kërkoj një vend si trajner kryesor te Anderlehti, herët e vonë unë duhet të bëj një zgjedhje. Një eksperiencë e parë, si një trajner i parë në një klub të vogël, nuk do të më trembte aspak”.

Etrit Berisha, e ardhmja flet italisht

Bolonja mund të jetë destinacioni i ardhshëm i portierit të Kalmarit në Suedi dhe i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha. Lajmin e kanë dhënë mediat suedeze, dhe pikërisht gazeta “Barometern”. Klubi i Serisë A është e interesuar për të siguruar shërbimet e gjigantit kuqezi, dhe këtë e konfirmon vetë Berisha. “Kam folur me agjentin tim, i cili më ka thënë se Bolonja është e interesuar, por ende nuk ka ndonjë gjë konkrete”, – citohet kosovari nga “Barometern”. Në fakt, Berisha menaxhohet nga dy agjentë, Elvjer Raça, i cili ka të drejtën e tij, ndërkohë që në lojë është dhe menaxheri i Kalmarit, Svante Samuelson. Sipas Raçës, për Etrit Berishën ka një interesim nga Italia, ndërkohë që Samuelson, tha se të paktën ai personalisht, pra klubi, nuk është kontaktuar nga asnjë klub. “Asnjë klub italian nuk më ka kontaktuar lidhur me Etrit Berishën. Gjithsesi e di që klubet kanë përcjellë ndeshjet e Etritit me përfaqësuese”, – tha Samuelson për gazetën suedeze “Barometern”. Gjithsesi, portieri i i Shqipërisë shton: “Janë disa agjentë, të cilët më kanë telefonuar dhe kontaktuar me mua, pas paraqitjeve të mia me Kombëtaren e Shqipërisë, edhe pas përfundimit të sezonit futbollistik në Suedi. E di se, ka një interesim nga Seria A, por deri tani nuk ka ndonjë zhvillim konkret”.  Berisha ka edhe një vit kontratë me Kalmarin. Berisha ka bërë të ditur se interesim për të ka treguar Bolonja. “Kam folur me menaxherin tim që më ka thënë se Bolonja është e interesuar. Por, nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Berisha. Portieri 23-vjeçar është aktivizuar në 78 ndeshje me Kalmarin në Superligën suedeze. “Nuk e di nëse do të largohem tani. Kam edhe një vite kontratë me Kalmarin. Por nëse shoh se është një ofertë e mirë dhe një klub që më përshtatet, mund të ndodh që të largohem nga Kalmari”, – tha Berisha.