Elidon Demiraj: Tomori, Besa dhe Lushnja, zhgënjimet e këtij sezoni

134
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Mbyllet kampionati i sezonit 2023-2024, specialisti Elidon Demiraj analizon garën

 

Fitore me aromë kampioni, AF Elbasani e mbyll i pari

Të enjten, jo vetëm qyteti i Elbasanit, por e gjithë Shqipëria ka parë një ndeshje nga më të mirat në Kategorinë e Parë. Një mbyllje e këtij kampionati që foli shumë me këtë sfidë të fituar nga elbasanllinjtë, jo si të zotët e shtëpisë, pasi me miratimin e Bylisit kjo ndeshje u luajt në Elbasan. Fitore me gol në minutën e 94-t, me aromë kampioni duke e rikthyer AF Elbasanin në elitë, pas një “agjerimi” të gjatë në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar. Urime!

 

Agron KAJA

 

Kategoria e Parë e sezonit 2023-2024 e uli siparin e 33 ndeshjeve kalendarike të saj. Në këtë rrugëtim me 12 skuadra, u përcaktuan përfundimisht edhe verdiktet, ku më së shumti veçohen Lushnja me Besën që do të diskutojnë Play-off-in me dy skuadra nga Kategoria e Dytë, por edhe rënia e Tomorit nga kjo kategoria. Për gjithçka që prodhuan 198 ndeshjet në 17.820 minutat e tyre, ish-trajneri i Apolonisë Elidon Demiraj thekson për gazetën “Telegraf” se ky kampionat ka qënë i dominuar nga dy skuadrat kryesuese. “Unë e kam ndjekur nga afër Kategorinë e Parë në këtë sezon që u mbyll, edhe për faktin se edhe Apolonia ishte pjesëmarrëse, dhe mendoj se AF Elbasani e Bylisi e kanë dominuar kampionatin. Nga skuadrat e kreut kam zhgënjim për Flamurtarin, sepse nuk ishte brenda pritshmërive, nisur nga përbërja dhe investimet. Po kështu do të thoja edhe për Apoloninë,  por më shumë për Tomorin që zbriti në Kategorinë e Dytë. Skuadra beratase me rënien në Kategorinë e Dytë, mendoj se mbetet zhgënjimi më i madh i këtij sezoni”, kështu e nisi bisedën specialist i futbollit Elidon Demiraj, por ai tregon edhe disa prej arsyeve të këtyre skuadrave zhgënjyese. “Në mendimin tim, zhgënimet që sollën Tomori e Lushnja, më shumë tregojnë se futbolli duhet të jetë në duart e privatit, jo të bashkisë. Prandaj ndodhin këto me skuadrat e traditës, që konkretisht janë Tomori e Lushnja. Drejtuesit e bashkive respektive, nëse duan të tregojnë respekt për futbollin në qytetin e tyre, së pari duhet të largohen nga drejtimi i skuadrave dhe menjëherë duhet të gjejnë investitorë seriozë. Vetë ecuria e skuadrave që kanë bashkitë mbi krye, ka treguar se ato trajtohen si një ndërmarrje ujësjelës-kanalizime se sa si një skuadër futbolli”. Të enjten në mbrëmje, sfida e kryesuesve Bylis-AF Elbasani 2-3 që u luajt në “Elbasan Arena”, bëri edhe mbylljen zyrtare të 33 ndeshjeve të kampionatit, ndërsa specialisti Demiri mendon se me zbritjen e Kukësit dhe Erzenit në Kategorinë e Parë, kampionati do bëhet edhe më i fortë në sezonin e ardhshëm. “Elbasani kampion dhe Bylis nënkampion, ishin dy skuadra të merituara, ndërkohë që në sezonin tjetër në Kategorinë e Parë do të kemi dy skuadra të tjera të traditës në futbollin tonë, Erzenin dhe Kukësin. Do bëhet edhe më të fortë kjo kategori në sezonin e ardhshëm, por nga ana tjetër, po shohim zbritjen e traditës në kategori inferiore. Kështu edhe këto do bëhen më shumë se të forta, dhe këtu kryesisht e kam fjalën për Kategorinë e Parë. Por unë po insistoj se niveli do ngrihet me investitorë e presidentë seriozë, dhe për këtë shëmbulli më konkret është Egnatia”.

Si u “trazuan” skuadrat e të Dytës në Play-off

KATEGORIA E DYTË

Ndeshjet Play-off

Të enjten, 9 maj 2024

Besëlidhja- Sopoti          0-2

Iliria-Tërbuni                  2-0

Luftëtari-Butrinti            1-0

Shkumbini-Oriku            2-0

Të dielën, 12 maj 2024

Sopoti-Iliria                    16:00

Shkumbini-Luftëtari       16:00

Ditën e enjte, Kategoria e Dytë luajti ndeshjet ndeshjet e para play-off për ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ishin tetë skuadra që u ndeshën mes tyre për të nxjerrë katër fitueset në këtë Play-off të parë, të cilët do ndeshen mes tyre për të përcaktuar dy skuadrat që do të luajnë Play-off me Lushnjen e Besën, dy skuadrat e Kategorisë së Parë që u renditën në vëndet 9 e 10. Dhe në këtë tur, Sopoti do të ndeshet me Ilirinë dhe Shkumbini me Luftëtarin, sfida të cilat do të përcaktojnë dy skuadrat që duhet të luajnë me dy skuadrat që janë renditur në vëndet 9 dhe 10 në Kategorinë e Parë. Fituesi i çiftit Sopoti-Iliria ndeshet me Lushnjën, ndërkohë që fituesi i çiftit Shkumbini-Luftëtari do të ndeshet me Besën. Të dyja këto sfida luhen ditë e dielë 12 maj, ora 16:00.

Lushnja dhe Besa bëjnë “nxemjen” e mbijetesës

Duke qënë se Lushnja dhe Besa u renditën në vëndet 9 dhe 10 në Kategorinë e Parë të sezonit 2023-2024, skema e kampionatit i ka dërguar të dyja në Play-out. Duke grumbulluar të dyja nga 38 pikë në 33 javët e luajtura, lushnjarët dhe kavajasit nuk mundën të bënin më shumë se sa Burreli e Kastrioti, që me nga 40 pikë u renditën në vëndet 6 dhe 7, në zonën që nuk ka asnjë shqetësim në të dy kahjet e renditjes përfundimtare. Në këto sfida përcaktuese për të qëndruar ose jo në Kategorinë e Parë, Lushnja do të ndeshet me fituesin e çiftit Sopoti-Iliria, ndërsa Besa do të ketë përballë fituesin e çiftit Shkumbini-Luftëtari. Ndeshjet Play-off të Kategorisë së Dytë mbyllen të dielën, ndërkohë që në mesjavën e ardhshme do vihen përballë Lushnjës e Besës.

KATEGORIA E PARË

RENDITJA, 2023-2024  

Skuadrat             Nd     Pikë

1.AF Elbasani (S)  33      79

2.Bylis            (S) 33      71

3.Flamurtari(P-Of) 33      58

4.Vora         (P-Of) 33      50

5.Apolonia (P-Of) 33      46

6.Korabi      (P-Of) 33      44

7.Kastrioti            33      40

8.Burreli               33      40

9.Lushnja  (P-Ou) 33      38

10.Besa     (P-Ou) 33      38

11.Luzi2008 (K2) 33      31

12.Tomori   (K2) 33      17

 

Luzi 2008 i gëzohet golashënuesit Itodo

Nigeriani 21 vjeçar i Luzi 2008, Peter Itodo Mandela, është gëzimi i vetëm i skuadrës nga Luzi për sezonin që u mbyll. Ai shënoi 19 gola në 33 javë, duke e kaluar Bedri Grecën e AF Elbasanit me 1 gol, i cili në 32 javë ishte në krye të listës së golashënuesve në Kategorinë e Parë. Tre golat që shënoi në javën e fundit ndaj Vorës, e shpallën atë “Këpuca e Artë” e sezonit 2023-2024.