INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit Eduard Zhupa. Ja skaneri i tij për tre fazat e para!
Agron KAJA

Në javën e kaluar të “derbi”-it të kryeqytetit, cila prej ndeshjeve u veçua si më e mira, dhe pse?
Realisht, të gjitha ndeshjet treguan të veçantat e tyre, por në “derbi”, në pjesën e dytë Dinamo u tregua më e pjekur, me eksperiencë në vendosje dhe në finalizim. Në pjesën e parë për Tiranën kishte hapësira, por kishte ngërç psikologjik. Ishte ndeshje tek mesatarja.
Po ndeshja surprizë në lojë dhe në rezultat, cila ishte sipas jush?
Fitorja e Skënderbeut në Ballsh ishte “Super surprizë”. Bylisi ishte skuadër e lodhur, por edhe se pjesa taktike nuk ishte e kujdesshme. Futbolli shqiptar po tregon se ngarkesat janë të larta me ndeshjet afër e afër, se skuadrat nuk kanë kualitete.
Me rezultatet e kësaj jave të 27-të, si ka ndryshuar renditja në të dy kahjet e saj?
Pas rezultateve që u arritën këtë javë, mendoj se lëvizjet në renditje edhe ishin të pritura. Me barazimin 1-1 me Egnatian, Teuta bëri një hap të mirë në ditën e inaugurimit të stadiumit të Rrogozhinës. Dinamo u ngjit me meritë një vënd.
U shënuan 16 gola, çfarë tregon kjo shifër për pesë ndeshjet e fundit të fazës së tretë?
Golat e shënuar këtë javë, 16, janë një mesatare e mirë. Por duhet që të presim më shumë, sepse duke ju referuar rezultateve të maparshme, ato kanë qënë më shumë me shifra minimale. Duhet të ngrihet niveli, të rritet spektakli që të afrohen tifozët.
U mbyllën tre fazat e para të Superiores dhe Tirana preku fundin e renditjes, jemi drejt një “rënie të lirë” për bardheblutë?
Pesë skuadrat e fundit të renditjes janë të gjitha në lojë. Asnjëra prej tyre nuk do ta ketë të sigurtë deri në fund. Nëse Tirana do luajë si në pjesën e parë me Dinamon, mendoj se ja del. Por, si Laçi, Bylisi, Teuta, Tirana e Skënderbeu janë në barazi.
Në javët e fundit, ku mund të presim ndryshime në renditjen e skuadrave?
Në fazën e katërt unë them se do ketë ndryshime, menjëherë pasi të saktësohen skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës. Atëhere kampionati do ketë më shumë frymëmarrje dhe të gjitha skuadrat do ndryshojnë në renditje nga java në javë.
Java e 28-të nis sot me dy ndeshje ku përballen katër skuadrat e zonës “Final 4”, si i parashikoni?
Mendoj se është një javë e vështirë, përplasen skuadrat e kreut dhe të fundit të tabelës. Vështirësia më e madhe do jetë për skuadrat e fundit, të cilat këtë javë duhet të jenë më të kujdesshme në rezultat, pasi hapat fallso ju rrezikojnë kategorinë.
Gjatë muajit mars, kampionati do ketë një ndërprerje 10 ditore pasi luan Kombëtarja, do ndikojë në ritmikën e garës?
Nuk mendoj se kjo hapësirë 10 ditore pa ndeshje zyrtare do ta prishë ritmikën e garës. Jemi në një periudhë dimërore dhe kjo hapësirë do jetë edhe si një periudhë rikuperimi për shumë futbollistë. Është një hapësirë e nevojshme pushimi.
Ecuria në fazën e tretë, edhe këtu, Egnatia kampione
Abissnet Superiore mbylli fazën e tretë, dhe në një vështrim të renditjes për 9 javët e luajtura, nxjerr në pah disa tregues. Së pari, Egnatia në këtë fazë ka grumbulluar 19 pikë, nga 27 të mundshme, si kampione e kësaj faze. Nga skuadrat e zonës “Final 4”, Partizani grumbulloi 10 pikë, Dinamo 16 e Vllaznia 15. Ndërsa Teuta grumbulloi vetëm 6 pikë në këtë faze, por kjo ecuri e bën edhe më interesante fazën e katërt që nis sot me dy ndeshje: Egnatia-Dinamo City e Vllaznia-Partizani.

ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java 28
Sot, datë 5 mars 2025
Egnatia-Dinamo City 16:30
Vllaznia-Partizani 16:30
Nesër, datë 6 mars 2025
Bylis-Teuta 13:30
AF Elbasani-Skënderbeu 16:30
Tirana-Laçi 16:30
(Në “Niko Dovana”, Durrës)
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 27 49
2.Dinamo City 27 47
3.Vllaznia 27 46
4.Partizani 27 40
5.AF Elbasani 27 34
6.Laçi 27 31
7.Bylis 27 28
8.Teuta 27 28
9.Tirana 27 26
10.Skënderbeu 27 26
FAZA E KATËRT NIS SOT ME DY SFIDA TË “FINAL 4”
Egnatia-Dinamo City 16:30
Të barabartë në këtë sezon, renditja bën diferencën
Egnatia është duke kryesuar renditjen e Abissnet Superiore në tre fazat e para, duke treguar se është një kandidaturë serioze për të përsëritur suksesin e sezonit të kaluar si kampione në fuqi. Ndërsa Dinamo City vjen në këtë sfidë të parë të fazës së katërt si e dyta në renditje pas Egnatias, por me fushën rrogozhinase kundër. Në fazën e parë Egnatia fitoi 1-2 me Dinamon në transfertë, në fazën e dytë u ndanë në barazim 1-1, dhe në fazën e tretë Dinamo fitoi 2-1. Kjo është e katërta brënda këtij sezoni, ndërkohë që në historinë e tyre kjo është ndeshja e 15-të mes tyre në Superiore, me bilanc të barabartë: 7 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje. Parë kështu, gjithçka mendohet si e barabartë, por e hapur për 1X2, duhet “dëgjuar” fusha e lojës sot, e cila luhet në stadiumin komod të Rrogozhinës, nisur nga ora 16:30.
Vllaznia-Partizani 16:30
Shkodranët superiorë në renditje, të kuqtë kanë historinë.
Në historinë e ndeshjeve mes tyre, Vllaznia e Partizani kanë rregjistruar bilanc që anon nga skuadra e kuqe. Në 164 ndeshjet e luajtura mes tyre që nga viti 1946 që Partizani u krijua si skuadër, të kuqtë kanë fituar 79 ndeshje, janë barazuar 22 dhe Vllaznia ka fituar 63 sfida. Por në realitetin e tre fazave të para të këtij kampionati, të dyja skuadrat janë në barazim me nga 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. E përbashkëta e kësaj sfide është se të dyja këto skuadra renditen në zonën “Final 4”, ku janë katër skuadrat që pas mbylljes së fazës së katërt do të diskutojnë titullin kampion për këtë sezon. Partizani ka barazuar 2-2 në Shkodër në fazën e dytë, ka humbur në fazën e parë në Tiranë 0-1 dhe ka fituar në fazën e tretë 2-0. Sot në “Loro Boriçi”, shkodranët duken më favoritë, por të treja rezultatet mbeten në lojë.



















