Donald Suxho, shqiptari i Kombëtares amerikane

576
Sigal

Volejbollisti korçar: “Ëndërroj “Rio 2016”. Dëmtimi më mohoi  medaljen e artë në ‘Pekin 2008’”

Volejbollisti korçar, Donaldo Suxho, jeton që nga viti 1995 në Shtetet e Bashkuara. 37-vjeçari i formuar si sportist te Skënderbeu është prej 12 vjetësh lojtar i Kombëtares amerikane dhe vlerësohet si një nga volejbollistë emigrantë më të mirë të ardhur në SHBA. Suxho (1.96 m) ka luajtur në shumë vende të botës. Ai tani luan në Itali në radhët e “Trentino Volej”. Historia e shqiptarit i ka intriguar mediat italiane dhe veçanërisht gazetën e rajonit të Trentinos. Suxho zotëron dy pasaporta, atë shqiptare dhe që nga viti 2001 edhe atë amerikane. Në intervistën e tij të gjatë për gazetën e Trentos, “Trentino” Donaldi rrëfen rrugën e tij të gjatë në volejboll, sakrificat e bëra në Shtetet e Bashkuara, ëndrrat dhe projektet e tij.

 – Ku është lindur Donald Suxho, ngritësi i topave të Trentino Volej?

– Jam lindur në vitin 1976 në Korçë, një qytet shqiptar pranë kufirit grek. Një zonë malesh, por një orë larg nga deti, e pasur me liqene, e ngjashme paksa me Trentinon. Jam rritur në regjimin komunist, në një ambient sportiv shumë të organizuar, të pëlqyeshëm. Babai, Petraqi ishte prej njëzet vjetësh një volejbollist pasues profesionist, ishte docent në Universitetin e Edukimit Fizik, trajnonte skuadrat kombëtare shqiptare. Nëna ime ishte mësuese e gjuhës angleze.

– Cila ishte rrjedha e ngjarjeve për ty pas rënies së regjimit komunist?

– Në fund të Luftës së Dytë Botërore, gjyshja ime, amerikane, humbi anijen e fundit për të shkuar në Shtetet e Bashkuara. Regjimi dyshonte se ajo mund të ishte një spiune, duke e detyruar të qëndronte në Shqipëri për pesëdhjetë vjet pa i parë kurrë  familjarët e saj. Kur ra komunizmi në vitin 1991, ajo u shkroi autoriteteve amerikane dhe në vitin 1992 ajo u kthye në Shtetet e Bashkuara, fillimisht u riatdhesua, ndërsa më pas ajo nisi të bëjë dokumentet edhe për ne. Emigrimi për ne qe një gjë shumë e çuditshme, pasi kishin shumë paragjykime kundrejt botës perëndimore. Njëherë arritëm në Boston në vitin 1995, na u desh t’i bënim një vit lavazh trurit për t’u përshtatur me realitetin e ri në Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, në Shqipëri, ku ne ishim relativisht mirë, i kishim lënë të gjitha. Në Amerikë nuk kishim asgjë, për të jetuar, na duheshin para.

– Cili ishte impakti tënd i parë me Shtetet e Bashkuara?

– Ishte shkurti i vitit 1995, kishte dy metra borë… Për ne ishte mjaft e vështirë. Unë mendoja vetëm për karrierën time profesioniste, por në Shtetet e Bashkuara nuk kishte një Ligë Profesioniste. Kushërinjtë e mi më nxisnin të braktisja ëndrrat e mia, të harroja volejbollin, duke kërkuar më të më impononin vizionin e tyre kapitalist për jetën: për të jetuar nevojiten para, për të bërë para duhet të punosh. Unë nuk dëshiroja të bëja kolegjin dhe shkoja të punoja: ditën si pjatalarës, në mbrëmje në industrinë e ëmbëlsirave, duke ruajtur formën duke luajtur në nivel amator. Por, isha me të vërtetë i trishtuar. Dy vjet pas kësaj jetë kisha dëshirë të kthehesha në Europë.

– Dhe më pas, një tjetër zhvillim, ai vërteti….

– Po. Një kushëriri im më tha se njihte një trajner të Universiteti i Harvardit. Ishte një turk që më mbante mend mua nga kohët e Kampionatit Ballkanik. Me hapi një portë të vogël, atë të universitetit. Por, universiteti kushtonte një thes me para dhe në Harvad shkojnë vetëm ata që janë me tru. Unë shkollë kam qenë i mirë, por jo aq sa duhet… Kërkova një kolegj tjetër, por kushtonin të gjithë shumë. Më pas, trajneri turk më fli për një kontratë të mundshme me Universitetin e Los Anxhelesit, të gjitha në kërkim të një pasuesi. Më erdhi një letër, nuk u kuptoja mirë se çfarë ishte e shkruar dhe e lashë për disa muaj në një kuti. Nga Los Anxhelesi më telefonin vazhdimisht, por unë nuk përgjigjesha. Pastaj, ajo letër përfundoi në duart e një të afërmi tim, i cili filloi të qajë nga gëzimi, duke më shpjeguar se universiteti kalifornian më ofronte katër vjet bursë studimi. Në atë moment firmosa dhe jeta ime ndryshoi si dita me natën. Ishte rasti që, unë kisha pritur gjithmonë, niveli im ishte rritur.

– Si erdhi kalimi te profesionistët?

– Në fund të vitit 2000 kisha mbaruar universitetin dhe dëshiroja të kthehesha në Europë. U kontaktova për një testim në Finlandë dhe u çmenda nga gëzimi. Më pas do të hapeshin dyert e Kombëtares amerikane. Trajneri im kontaktoi me Daug Billin, por në këtë pikë problemi kishte të bënte me pasaportën. Për ta pasur duhet të qëndroja edh tre vjet, por Los Anxheles më ndihmoi për ta shpejtuar praktikën dhe e mora në vitin 2001. Kështu që, debutova me Shtetet e Bashkuara në muajin maj, në Japoni. Dhe qysh atëherë kam luajtur gjithmonë në Kombëtaren amerikane, me të vetmin kujtim të hidhur në Lojërat Olimpike të Pekinit, në të cilën shokët e mi morën medaljen e artë: luaja në Itali, me Montikiarin, dhe mu dëmtua kavilja pikërisht në ndeshjen kundër Romës së trajnerit Serniotit.

– Kur ia dole te kthehesh në Europë si…fitues?

– Në vitin 2001, në Poloni, me Olsztyn. Unë u bëra edhe amerikani i parë i kampionatit polak. Mbërrita në orën dy të mëngjesit dhe më çuan menjëherë… në një MekDonald.

– Dhe më pas nisi xhiroja rreth botës: Rumani, Greqi, Montikiar, sërish Greqi, ku njohe edhe gruan ukrainase, Turqi, Taranto, Rusi, Bellunon, Argjentinë dhe në Trento. “Diatec” është për ty një pikë mbërritje?

– Është bukur të luash në Trento, me një skuadër që ka fituar gjithçka.

– Je 37 vjeç, deri kur mendosh të luash?

– Deri në fund, por vetëm në nivel të lartë. Nuk dëshiroj të luaj në A2 apo të luaj kur nuk do të jem më në gjendje të jap maksimumin. Objektivi im është të luaj në Lojërat Olimpike “Rio 2016” me Kombëtaren amerikane. Jam stërvitur gjithmonë me grupin, që në vitin 2008 fituan medaljen e artë në Pekin, vuaj ende për atë dëmtim që më hoqi nga duar atë objektiv të madh.

– Tani ti jeton në Los Anxheles. Çfarë mendon për Trenton dhe Trentinon? A ke qenë më parë?

– Kisha ardhur për të luajtur, por nuk kisha parë gjë. Tani jam në Klarina prej katër muajsh, kam provuar të nxehtin, freskinë dhe të ftohtin. Më pëlqen Trentino, Trento është një qytet i qetë dhe i pastër.

– A ke pasur kontakte me shqiptarë të tjerë që jetojnë në Trento?

– Po, sigurisht. I kam njohur bashkëkombësit e mi të picerisë “Groff” dhe sigurisht kam takuar Orlando Kojën: ka një familje të shumë të famshme volejbolliste në Shqipëri.

– Le të rikthehemi te skuadra. Iu rëndon dualizmi me Xhek Sintinin?

– Jo, nuk më rëndon, përkundrazi më pëlqen konkurrenca me të. Si sportist jam rritur më këtë frymë.

– Në Shqipëri apo në Shtetet e Bashkuara?

– Në Shqipëri shkon përpara vetëm nëse njeh dikë, në Shtetet e Bashkuara përkundrazi luan gjithmonë më i miri. Dhe mua më pëlqen kështu: konkurrenca më nxit të stërvitem më shumë, kur më mungon bie.

– Sipas mendimit tënd, çfarë i mungon “Diatec Trentino”, për t’u bërë një skuadër e madhe?

– Vetëm pak eksperiencë. Si në Botërorin e Klubeve ashtu dhe në kampionat kemi hedhur poshtë sete dhe ndeshje të tëra, pasi na ka munguar eksperienca për të kuptuar se kur është momenti për të luajtur me kokë apo me forcë, nuk dimë akoma të mbyllim situata në favorin tonë. Por, kjo faza e një zhvillim normal rritjeje.

Revolucion taktik tek ekipet kombëtare të futbollit. Trajnerët unifikojnë skemat e lojës

  De Biazi: “Nga U-17 deri te Kombëtarja A me një modul”

 Revolucion taktik te ekipet kombëtare të futbollit. Përfaqësueset e moshave të Shqipërisë duhet të luajnë me të njëjtin modul loje, që përshtatja nga njëra-grupmoshë në tjetrën, deri në kombëtaren A të jetë më e shpejtë dhe në mënyrë organike. Kjo ka qenë tema kryesore e diskutimit në mbledhjen e zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit mes trajnerëve të ekipeve kombëtare, ku morën pjesë Xhani De Biazi (trajneri i Kombëtares A), Skënder Gega (U-21), Foto Strakosha (U-19) dhe Xhemal Mustedanagic (U-17). Në këtë takim pune asistuan gjithashtu shefi i zyrës së talenteve, Redi Jupi, si dhe menaxheri i kombëtares, Alban Bushi. Teknikët e ekipeve kombëtare, pasi diskutuan mbi ecurinë e skuadrave respektive në kualifikuese si dhe për mënyrën sesi janë bërë seleksionimet, dolën në konkluzionin se loja e përfaqësueseve shqiptare duhet të ketë të njëjtën fizionomi që nga U-17 e deri në kombëtaren A. Skemat e përdorura nga trajnerët nuk duhet të ndryshojnë, që edhe kontributi I lojtarëve nga njëra grupmoshë te tjetra të jetë më e ndjeshme. Në fakt, nëse u referohemi rezultateve, përfaqësuesja U-17 e drejtuar nga Xhemal Mustedanagic ka pasur ecurinë më pozitive gjatë 2013, pasi ka mundur të kualifikohet në “Elite Round” në Kampionatit Europian të vitit 2014.