Andrea Marko: “Partizani, i frikshëm!”

559
Sigal

Specialisti i njohur i futbollit: “Pres një luftë shumë të fortë në javët e mbetura”

Andrea Marko, specialisti i njohur i futbollit dhe trajner i disa ekipeve në vendin tonë, analizoi për gazetën “Telegraf” jo vetëm atë që ofroi java e 13-të e Kategorisë Superiore, por dhe një parashikim për skenarët e mundshëm të këtij edicioni. Ish-lojtari i Dinamos dhe i ekipit Kombëtar (1978-1986) shprehu keqardhjen për gjendjen kritike të Tiranës së vendit të fundit, ashtu sikundër nuk i kurseu lëvdatat për Partizanin, të cilin ai e sheh si një pretedent real për titullin kampion. Në optikën e ish-kampionit të Ballkanit me Shpresat nuk mungon edhe një skaner i dukurive të shëmtuara, që shoqëruan këtë fundjavë futbollin tonë, siç rasti i golit të dytë të Kastriotit në fitoren 2-1 ndaj Bylisit. Andrea Marko në vitin 1975 ai u bë pjesë e skuadrës së parë të Dinamos (me të rriturit). Ai është aktivizuar për 12 sezone me Dinamo (1975-1986). Në total shkon ka zhvilluar më shumë se 350 ndeshje, duke shënuar mbi 90 gola. Nga viti 1978 deri në 1986 ka qenë titullar me ekipin Kombëtar.

– Zoti Marko, u mbyll java e 13-të, ku pamë fitoret e radhës së Partizanit, Skënderbeut e Kukësit, por dhe humbjet e radhës së Vllaznisë e Tiranës. Sipas jush, cila ishte e veçanta e asaj jave?

– Unë mendoj se, kampionati sapo ka hyrë në fazën e nxehtë të tij, ku çdo gabim mund të lërë pasoja dhe nuk mund të korrigjohet. Nëse fitorja e Skënderbeut dhe e Partizanit mund të ishte e pritshme, kjo dhe për faktin se luanin në shtëpi humbja e Vllaznisë në Shkodër me Kukësin dhe e Teutës me Besën mund të konsiderohen edhe si surprizat e kësaj jave. Për më tepër kemi një problematikë në rritje të Tiranës, një ndalesë të Teutës, sikundër kemi vazhdimësinë normale të Skënderbeut dhe Partizanit. Pres një luftë shumë të fortë në javët e mbetura, pasi siç dihet do të dalin direkt katër skuadra nga Kategoria Superiore.

– Partizani regjistroi fitoren e tretë rresht, ndërkohë që tani është duke i bërë një presion të fortë kryesuesit të Skënderbeut. A e prisnit të këtë ecuri të skuadrës së kuqe, nisur edhe nga grupi i lojtarëve që ka në dispozicion trajneri Lika?

– Partizani po kalon me të vërtetë një moment shumë të mirë dhe kjo reflektohet në sukseseve në vazhdimësi të skuadrës. Partizani është bërë një ekip i frikshëm. Fitorja e çmendur me Laçin, me dy gola në dy minutat e fundit i ka dhënë një motivim të jashtëzakonshëm skuadrës. Jo vetëm që e shoh në Europë, por dhe një pretendent të fort për titull.  Do të luajë në Ballsh këtë javë. Partizani është abonuar me fitoret tashmë dhe skuadra e di farë mirë se çfarë presin tifozët dhe drejtuesit e saj.

– Prezantimi i trajnerit të ri të Teutës, italianit Roberto Sorrentino, nuk ka rezultuar deri tani i suksesshëm: një barazim me Bylisin në Ballsh dhe një humbje me Besën në Durrës. Cili është komenti juaj?

– Për hir të së vërtetës, nuk duhet të presim një revolucion brenda 180 minutave lojë në futbollin tonë. Sigurisht, është një prezantim jo i suksesshëm, por të mos harrojmë faktin se ai është produkt i marrëveshjes midis dy grupeve që zotërojnë nga 50 për qind të aksioneve dhe administrojnë klubin e Teutës. Nëse,  Gjithsesi, nëse Tefik Osmani do ta kishte realizuar penalltinë në e dhënë në favor të Teutës, atëherë rezultati me Besën do të ishte i barabartë (1-1). Megjithatë, jam i bindur se frytet e punës së italianit Sorrentino do të vijnë, pasi është ende shpejt për të parë të aplikuar në fushën e lojës filozofinë e tij. Unë besoj se, Teuta do ta rigjejë veten, pavarësisht se nuk po kalon momente të mira, qysh nga humbja e thellë me Partizanin.

– Skënderbeu po e dominon për të katërtin vit rresht futbollin tonë. Skuadra korçare duket se po shkon sërish drejt titullit…

– Skënderbeu fitoi ndaj Flamurtarit, në një ndeshje që u luajt pa spektatorë. Dalja e portierit Moçka me karton të kuq, qysh në pjesën e parë ua lehtësoi fitoren korçarëve, kjo për shkak se Skënderbeu diti ta shfrytëzojë maksimalisht epërsinë numerike.

– Kukësi, pas fillimi të dobët që, solli edhe shkarkimin e ish-trajnerit Aramndo Cungu, duket se e ka rigjetur veten nën drejtimin e Naxhi Shensojit. Fitorja ndaj Vllaznisë në Shkodër flet shumë…

– Kukësi e ka rimarrë veten, pas startit jo të mirë, të cilin unë ia vë fajin edhe lodhjes fizike për shkak të pjesëmarrjes së gjatë në Ligën e Europës. Të mos harrojmë se kaloi tre ture dhe luajti tetë ndeshje ndërkombëtare, të cilat janë shumë për një ekip shqiptar. Fitorja në Shkodër me Vllazninë vendase është sinjali më i qartë se, Kukësi duhet llogaritur seriozisht tek ekipet pretendente për titull. Kukësi e ka ndeshjen e radhës pikërisht me Skënderbeun. Takimin e fazës së parë, të luajtur në Korçë e fituan kuksianët, kështu që pritet me të vërtetë një ndeshje shumë e fortë. Kukësi luan më pas me Teutën jashtë, ndërkohë që në transfertë e ka edhe me Partizanin.

– Fitorja e Kastriotit ndaj Bylisit ka provokuar shumë dyshime në ambientin futbollistik shqiptar…

– E vërteta është që, për mënyrën sesi u realizua goli i dytë (nga ana e Shetës) dhe që rezultoi vendimtar në rezultat, pra në fitoren 2-1, lë një hije dyshimi. Mjafton të sjell një fakt, video e atij goli ka bërë shumë bujë dhe është një ndër më të klikuarit dhe më të komentuarit në “You Tube”.

  Kampion me Dinamon

Marko ka dalë kampion me Dinamon në sezonin 1976-1977 (me trajner Durim Shehun), 1979-1980 (me trajner Stavri Lubonjën) , si dhe ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë, përkatësisht në vitin 1978 dhe 1982.

 Kampion i Ballkanit

Me ekipin e “Shpresave”, Andrea Marko u shpall “Kampion Ballkani” në vitin 1978.  Ai ka zhvilluar në total me kombëtaren dhe klubin  rreth 25 ndeshje ndërkombëtare zyrtare, teksa ka luajtur edhe kundër ekipeve me emër.

 Ndeshjet me Kombëtaren

Andrea Marko ka luajtur pesë ndeshje me ekipin Kombëtar, në periudhën 1980-1985. Ish-mesfushori blu dallohej për kondicioni e tij  fizik. U aktivizua kundër Austrisë (2 ndeshje), Finlandës, Turqisë dhe Polonisë.

 Ish-trajneri i Dinamos: “Pikët e mbetura në këto nëntë javë i japin mundësi matematikore”

  “Misioni i Maganit të shpëtojë Tiranën”

 Tirana nuk i shpëtoi humbjes së radhës, e pesta rresht, që solli edhe shkarkimin brenda 24 orëve nga emërimi i Sokol Bulkut si trajner dhe zëvendësimin e tij me Gugash Maganin. Përse kjo Tiranë kaq e dobët dhe në fund të renditjes? Marko argumenton për “Telegraf”: ‘Mund të gjesh një mijë arsye dhe një mijë argumente për, këtë që po kalon Tirana. Ne jemi përpara një fakti që, nuk mund të mohohet. Tirana po kalon momentin më të vështirë në historinë e saj futbollistike, duke e prishur imazhin e saj. Ka prishur besimin për një rikthim cilësor të skuadrës. Dhe kur Tirana nuk shkon mirë, ashtu si vite më parë Partizani dhe Dinamo, atëherë mund ta themi se futbolli cilësor po largohet nga kryeqyteti. Gjithsesi, matematika e futbollit, pra pikët e mbetura në lojë dhe janë 27 pikë të tilla në nëntë javët e mbetura, i japin mundësi Tiranës të arrijë mbijetesën. Gugash Maganin e konsideroj një trajner të zotin dhe që tashmë ka përvojë, por për momentin ne mund të flasim vetëm për një shpëtim nga rënia të Tiranës, pasi ndoshta dhe vetë në klub kapja e një vendi në Europë mund të duket e parealizueshme”.

  Kupa e Shqipërisë, kryesfida në kryeqytet

 Gjashtëmbëdhjetë skuadrat e kualifikuara nga raundin e parë do të nisin sot ndeshjet e turit të dytë, të ndarë në dy grupe A dhe B. Ballafaqimi kryesor i këtij “stacioni” të Kupës së Shqipërisë është ai mes Vllaznisë dhe Partizanit, por nuk mbeten pas as çiftet Lushnja-Tirana, Bylis-Kastrioti dhe Besa-Laçi. Fatlumë duket se janë Skënderbeu dhe Kukësi që do të luajnë repketivisht kundër Mamurrasit dhe Apolonisë. Partizani, i cili humbi në ndeshjen e parë ndaj Vllaznisë në kampionat ka shansin të marrë revanshin në Kupë. Janë dhjetë skuadra të cilat e kanë fituar të paktën nga një herë Kupën e Shqipërisë: Partizani (15), Tirana (15 trofe), Dinamo (13), Vllaznia (6), Flamurtari (3), Teuta (3), Elbasanin (2), Apolonia (1), Besa (1) dhe së fundi Laçi (1). Fituesi siguron pjesëmarrjen direkte në Ligën e Europës.

Sot, 13:30

Grupi A

Mamurrasi-Skënderbeu

Shkumbini-Teuta

Lushnja-Tirana

Besa-Laçi

Grupi B

Tomori-Flamurtari

Apolonia-Kukësi

Partizani-Vllaznia

Bylis-Kastrioti