Ditë barazimesh në Serie A, Kumbulla rikthehet titullar, shtyhet Udinese-Atalanta!

367
Sigal

E dielë barazimesh në Serie A. Pas Verona-Cagliari edhe dy ndeshjet e luajtura në orën 15:00 u mbyllën me shenjën “X”, madje edhe pa gola. Roma nuk shkoi më shumë se një 0-0 përballë Sassuolos në “Olimpico”.

Ishte një ndeshje me shumë raste por në fund asnjëra prej dy skuadrave nuk festoi. Verdhekuqtë luajtën me një lojtar më pak për më shumë se një pjesë loje pasi në fundin e pjesës së parë Pedro u ndëshkua me karton të kuq ndërsa pak minuta më vonë Roma realizoi me Mkhitaryan gol që u anullua me ndërhyrjen e VAR.

Protestat e shumta në kampin verdhekuq sollën edhe përjashtimin nga fusha të trajnerit Fonseca. Edhe pse Sassuolo kishte një lojtar më tepër në fushë Roma rezistoi madje iu afrua golit me Dzekon në disa raste, ndërkohë që edhe skuadrës së De Zerbit iu anullua një gol për pozicion jashtë loje.

Një paraqitje të shkëlqyer bëri edhe Marash Kumbulla i cili u rikthye në formacionin titullar të Romës në Serie A pas infektimit me COVID-19. Përfundoi në barazim pa gola edhe sfida tjetër mes Parmës dhe Beneventos ndërkohë që u shty për shkak të motit të keq sfida mes Udineses dhe Atalantës.