Daku shkëlqen me gola në Rusi, te Zenit do të pendohen për refuzimin

Mirlind Daku tashmë po konfirmohet si një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit të futbollit në Rusi. Këtë fundjavë, lojtari shqiptar ka shënuar dy gola duke i dhënë fitoren 2-1 Rubin Kazanit. Fillimisht në minutën e 12-të Daku ktheu në gol një penallti që vetë e fitoi, dhe në minutën e 78-të shënoi golin e fitores për Rubin, me një goditje me hark, jashtë zonës kundërshtare. Kështu me këto rrjeta të tundura, Daku ka shkuar në kuotën e 3 golave, në po aq ndeshje të zhvilluara në këtë fillim të kampionatit. Me këtë formë që ai po tregon, te Zeniti ndoshta do të jenë penduar që nuk i ofruan pagën e kërkuar Dakut, në mënyrë që të siguronin firmën e tij në qershor. Kjo formë e mirë e tij është edhe një lajm i mirë për trajnerin e Kombëtares sonë Silvinjo, në pragun e ndeshjes së 9 shtatorit kundër Letonisë në Tiranë.

 

NOA