“Burgoset” Superliga, ndeshje pa shikues dhe jashtë fushe

518
Sigal

Flamurtari dhe Kukësi do të luajnë nga katër javë larg shtëpisë. Besa, dy takime pa spektatorë

Dhuna e shfaqur nga tifozeritë në javën e dytë, ku spikasin ato në stadiumet e Kukësit dhe Flamurtarit, nuk mund të mbetej pa u ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Kukësi, që bëri histori në Ligën e Europës, duke qenë skuadra e vetme që kaloi tre tyre eliminatore në kompeticionet europiane, u dënua me katër ndeshje jashtë fushe, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të ndeshjes Kukësi-Vllaznia (Vendimi: 17 shtator 2013). Gjyqtari kryesor u detyrua ta mbyllë lojën pa u konsumuar 90 minuta të plota. Tifozët vendës të irrituar me lojën e skuadrës kanë nisur të ofendojnë lojtarët dhe hedhin sende në fushë. Madje disa prej tyre janë treguar të paduruar duke lëshuar sharje banale te lojtarët dhe duke brohoritur për Vllazninë. Disa prej tyre, më ekstremistët, si në çdo ndeshje, edhe ndaj Vllaznisë nuk kanë nguruar të hedhin shishe në fushë. Pavarësisht se u mund me rezultatin 3-1 nga Vllaznia në fushën e lojës, skuadra e drejtuar nga Armando Cungu e humbet në tavolinë këtë sfidë, me rezultatin 3-0. Flamurtari, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar (goditja e presidentit të Skënderbeut, Artan Takaj), diskriminim të ekipit kundërshtar dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve në takimin Flamurtari-Skënderbeu (java e 2-të) u dënua me 4 ndeshje jashtë fushe, e shoqëruar kjo edhe me heqjen e tri pikëve nga klasifikimi, por në fuqi mbeti rezultati i ndeshjes 2-1 për vlonjatët (Vendimi: 17 shtator 2013). Ishte minuta e 18-të, kur Flamurtari shënoi golin e parë me anë të Shehajt. Në këto momente kryebashkiaku Shpëtim Gjika, njëkohësisht edhe president i Flamurtarit, u largua në tribuna “VIP” në drejtim të pjesës fundore të stadiumit, pasi po ofendohej dhe shahej pa pushim nga dy-tre tifozë, për të cilët u desh ndërhyrja e policisë për t’i larguar fillimisht nga ajo pjesë e stadiumit. Minuta e 36-të dhe një numër i vogël tifozësh të Flamurtarit kanë nisur të ofendojnë edhe presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj, i ulur në tribunën VIP. Ndaj tij janë hedhur fillimisht fara e topa letre dhe, më pas, edhe një send i fortë (tullë ose gur, sipas Takajt) në kurrizin e njëshit të klubit korçar. Direkt më pas ka shpërthyer sherri dhe një mori personash janë gjuajtur me njëri-tjetrin, derisa ka ndërhyrë policia. Presidenti Artan Takaj, gjatë një prononcim për mediat tha se “Skënderbeu nuk shkel më në Vlorë sa të jem unë president i këtij klubi”. Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, deklaroi për shtypin: “Për hir të një rrugaçi dhe disa policëve palaço që vijnë në stadium për të ngrënë fara, u prish gjithçka”. Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, tha se incidenti me Takajn ndikoi në rezultat (në humbjen 2-1). Besa u dënua me dy ndeshje pa spektatorë, për sjellje të gabuar të spektatorëve në takimin Besa-Teuta, java e 2-të (Vendimi: 17 shtator 2013). Laçi, për shkak të incidenteve të tifozerisë ndaj Partizanit, u gjobit me 50 mijë lekë, duke u bërë ekipi i dytë që gjobitet këtë vit pas Vllaznisë, në ndeshjen kundër Flamurtarit.

Dënime fushash ka pasur këtë vit edhe në Kategorinë e Parë. Kështu, Himara është dënuar me katër ndeshje pa spektatorë, për hedhje të sendeve të forta dhe akte dhune ndaj zyrtarëve në javën e parë të kompeticionit. (Vendimi: 5 shtator 2013). Edhe zyrtarët e drejtuesit e klubeve nuk kanë mbetur pa u ndëshkuar në këtë edicion. Kështu, Dedë Ndreca, presidenti i Mamurrasit është pezulluar 18 muaj nga aktivitetet (më 5 shtator 2013), për dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, kjo e shoqëruar edhe me një gjobë prej 250 mijë lekësh.

S’ndalen grushtet ndaj kundërshtarëve

 Futbollitët e Kategorisë Superiore kanë qenë të disiplinuar dhe korrektë në dy javët e para, ku ka vetëm një dënim, ai ndaj Aldi Bocit të Vllaznisë, të pezulluar katër muaj për lojë ndaj kundërshtarit. Përkundrazi, në Kategorinë e Parë numërohen shtatë raste pezullimesh, ku për gjashtë prej tyre janë për goditje me grushtë të kundërshtarit. Kështu, me nga pesë javë pezullim janë ndëshkuar Hergest Gjondeda (Himara), Mario Muxhaj (Tomori), Nedjad Drazhanin (Butrinti), Rigest Karaj (Mamurrasi), Gerando Sharavaolli (Tomori), Hekuran Koreshi (Albpetroli) dhe Aldo Branica (Shkumbini). Me katër javë është ndëshkuar Klaudio Rexhepi (Dinamo), për ofendim të zyrtarëve.

Dënimet e fushave

Besa       2 ndeshje pa spektatorë

Kukësi     4 ndeshje jashtë fushe

Flamurtari 4 ndeshje jashtë fushe

Himara     4 ndeshje pa spektatorë

Zyrtarët

Dedë Ndreca 18 muaj pezullim

Pezullimet e lojtarëve

Aldi Boci (Vllaznia) 4 muaj

Hergest Gjondeda (Himara) 5 javë

Mario Muxhaj (Tomori) 5 javë

Nedjad Drazhanin (Butrinti) 5 javë

Rigest Karaj (Mamurrasi) 5 javë

Gerando Sharavaolli (Tomori) 5 javë

Hekuran Koreshi (Albpetroli) 5 javë

Aldo Branica (Shkumbini) 5 javë

Klaudio Rexhepi (Dinamo) 4 javë

DOSIER/ Për Flamurtarin kjo është hera e dytë që, i hiqen tri pikë, pas rastit me Laçin në 2010-2011

 Dhjetë skuadra të dënuara me heqje pikësh

  Dënimi i Flamurtarit me heqjen e tri pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm, pas incidenteve të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Artan Takaj, nuk është një rast pa precedent në Shqipëri. Madje janë të paktën dhjetë raste të tilla të mëparshme, ndërkohë që në total janë dhjetë skuadra që e kanë provuar këtë shije: Flamurtari (2 herë), Vllaznia, Kastrioti, Elbasani, Gramozi, Dinamo, Laçi, Pogradeci, Shkumbini dhe Bylisi. Për vlonjatët kjo është hera e dytë që, i hiqen tri pikë, pas rastit me Laçin (1-1) në sezonin 2010-2011, kur Flamurtari braktisi ndeshjen. Sezonin e kaluar (2011-2012), Komisioni i Disiplinës (më 9 maj 2012) ndëshkoi Shkumbinin me heqjen e tri pikëve, pas një ndeshjeje të fituar 1-0 me Flamurtarin në fushë, por më pas të homologuar 0-3 në favor të vlonjatëve. Disiplina e mori vendimin e ashpër të bazuar në relacionin e gjyqtarëve Jubicaj, Dervishi dhe Qeseri, të delegatit Petrit Brahja dhe vëzhguesit Astrit Mema, për shkak të kërcënimeve të zyrtarëve të Shkumbinit ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ku mbizotëroi incidenti i provokimit me një pistoletë lodër nga ana e deputetit të Peqinit, Dashnor Sula. Disiplina u hoqi edhe tri pikë peqinasve nga klasifikimi i përgjithshëm, pikë që i çuan peqinasit në zonën “play-off”, një javë përpara përfundimit të sezonit. Interesant është fakti, se sezoni i kaluar do të mbahet mend si “kampionati i heqjes së pikëve”, pasi katër skuadra u ndëshkuan me heqje të pikëve: Laçi (-6 pikë), Pogradeci (-3 pikë), Shkumbini (-3 pikë), të tri nga Komisioni i Disiplinës, ndërkohë që në listë është dhe Dinamo (me –3 pikë), por kësaj të fundit iu hoqën tri pikë nga FIFA për shkak të mospagimit të ish-lojtarit të saj kroat, Dario Bodrusiç. Kroati ishte pjesë e bluve në sezonin 2007-2008 dhe në fazën e parë të sezonit futbollistik 2009-2010.

  1. VLLAZNIA

U ndëshkua me heqjen e tri pikëve, për shkak të një gabimi teknik në protokoll, gjatë ndeshjesh Vllaznia-Skënderbeu (sezoni 2009-2010).

 2. KASTRIOTI

Krutanëve iu hoqën tri pikë nga Komisioni i Disiplinës (FSHF), për braktisjen e lojës në takimin me Flamurtarin në Vlorë (Superliga 2009-2010).

 3. GRAMOZI

Skuadrës kolonjare iu hoqën pikët, pas incidenteve në ndeshjen Gramozi-Skënderbeu, të mbyllur para kohe (më 27 mars 2010), në sezonin 2009-2010.

 4. ELBASANI

Në sezonin 2010-2011, Elbasanit iu hoqën tri pikë nga FIFA për mospagimin e lojtarit kroat, Darko Periç.

 5. FLAMURTARI

Skuadra vlonjate u ndëshkua me -3 pikë pas braktisjes së ndeshjes me Laçin (1-1) në edicionin 2010-2011.

 6. DINAMO

Bluve iu zbriten tri pike nga FIFA, për shkak të mospagimit e të lojtarit kroat Dario Bodrusiç (Superliga 2011-2012).

 7. LAÇI

U ndëshkua me heqjen e gjashtë pikëve nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini (Superliga 2011-2012).

 8. POGRADECI

U ndëshkua me zbritjen e tri pikëve nga Disiplina, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Enea Jorgji (Superliga 2011-2012).

 9. SHKUMBINI

Shkumbinit iu hoqën 3 pikë nga Disiplina, për shkak të dhunës psikologjike ndaj arbitrave në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari, java e 25-të e sezonit 2011-2012.

 10. BYLISI

Ballshiotëve iu hoqën tri pikë, për shkak të aktivizimit të gjashtë lojtarëve të huaj në ndeshjen Skënderbeu-Bylisi (java e 16-të e sezonit 2012-2013).

 11. FLAMURTARI

Vlonjatëve i hoqën tri pikë nga klasifikimi i përgjithshëm, për shkak të incidentëve të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Artan Takaj (java e 2-të e sezonit 2013-2014)