Bujar Qesja: Për ikonën e sportit e gazetarisë, Benardina Qeraxhia

944
Sigal

Shembulli unikal i kryezonjës së sporteve: Gazetarja e parë sportive, aktore, poliglote, çikliste, notare, trajnere volejbolli e basketbolli etj

 

Benardina Qerraxhia, monument i sportit dhe i kulturës

 

Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

 

Benardina Qerraxhia! Sa mall! Sa dëshirë për të folur me të, në kujtesën dhe imagjinatën time. Nuk mund të pretendoj, se jam njohës i mirë i jetës së saj. Madje mund të renditem tek modestët. Krejt i qetë në veten time, duke vendosur në maksimum turbinat e fuqishme të kujtesës, në morinë e shumtë të ngjarjeve, fakteve e dukurive jetësore, u zbulua një lloj drite ku më nxiti të bërtisja:

-Po. Benardina Qerraxhia. Si nuk kam shkruar njëherë tamam, për këtë kryezonjë të kulturës, edukatës, të karakterit të paepur qytetar, të kësaj heroine të sporteve, të kësaj kategorie kuadri dhe intelektualeje, që na bën nder të gjithëve pa përjashtim po ta kujtojmë, e jo më të guxojmë si unë tani, të hedh mendime dhe fakte për të.

Formimi ekselent i Qerraxhisë

Benardina Qerraxhia, është një kapitull i artë i sportit dhe kulturës durrsake. Jo pa mundim, më është dashur të rrëmoj, për të marrë ndonjë të dhënë për një figurë madhore të qytetarisë durrsake, ndonëse ishte lindur në Shkodër me 24 janar 1919. Jeta e saj me dritë hije për sistemin e kohës, ka kursyer shumë publicistikën shqiptare t’i kushtohej portretit të saj të veçantë. Formimi kulturor, ishte në maksimumin e mundshëm për kohën. Zysh Beni, siç u popullarizua emri i saj, ishte fëmija i tetë i prindërve Gjergjush dhe Roza Qerraxhia. Shpejt e la qytetin e lindjes- Shkodrën, për t’u ngulitur në Kavajë. Shkolla bujqësore shqiptaro-amerikane e Golemit, ishte shumë e njohur dhe Beni mësoi aty. Fare e njomë, përvetësoi njëherazi dy gjuhë të huaja anglisht dhe italisht. E folura anglisht e zysh Benit, në versionin amerikan ishte e përsosur dhe shumë dalluese nga anglisht folësit e tjerë. Sipas kësaj gjiganteje të mençurisë durrsake, e folura amerikane është më e fisme, më lozonjare, më artistike, më shprehëse, më e butë, më joshëse se sa anglishtja e folur në Angli. Nga shkolla shqiptaro amerikane e Kavajës, në të mesmen e njohur“Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Disiplina, edukata, kultura e gjerë, komunikimi njerëzor në raport me shoqërinë, krijuan profilin e një intelektualeje ekselencë, gjë që do ta ndihmonte në krijimin e një profili të një gruaje të pakonkurrueshme.

Formimi kulturor i Benardina Qerraxhisë, nuk kishte të sosur. Ai u bë gradualisht, duke kulmuar me fitimin e një burse studimi në Akademinë e Fizkulturës në Orvjeto, pranë kryeqytetit italian Romë. Në mbarim të studimeve, shqiptarja Benardina Qerraxhia do të klasifikohej me notën maksimale 30 në metodën e mësimdhënies. Dashuria për atdheun, tradita patriotike e familjes së saj, me një mbiemër shumë të njohur në Shkodër Qerraxhia, e detyruan këtë vajzë magjike të rikthehej në Durrës. Dhe kjo gjë për kohën, duhej të konsiderohej si një fat i rënë nga qielli, pasi kuadër të këtij rangu nuk kishte Shqipëria dhe jo më Durrësi. Punon si mësuese në shkollën qytetëse dhe në të vetmin gjimnaz të Durrësit “16 Shtatori”. Anglishtes së përsosur, iu shtua edhe një italishte po e tillë, një frëngjishte dhe spanjishte perfekt. I gjithë formimi kulturor i Benardina Qerraxhisë, ishte një vlerë e shtuar për qytetarinë dhe civilizimin e jetës kulturore, sociale dhe sportive në Durrës dhe veçanërisht i shërbente emancipimit në një nivel superior të femrës shqiptare.

Do t’ju rendis, se çfarë ishte në gjendje të bënte kjo kryezonjë me një formim kulturor shumë të veçantë dhe ju të nderuar lexues të këtyre radhëve, tentoni po të doni të vendosni një të dytë si shkallë krahasimi.

Benardina Qerraxhia ishte:

  1. Gazetarja e parë që bënte kronikat e ndeshjeve të futbollit, duke nisur nga viti 1945.
  2. Trajnerja parë e vajzave të volejbollit të Durrësit, duke i prezantuar me një veshje mahnitëse dhe befasuese për kohën. Bëhet fjalë për vitin 1947.
  3. Pjesëmarrëse e garës së parë kombëtare çiklistike për femra, me itinerar Durrës – Vorë, ku edhe tani nuk kemi çiklizëm për femra. Kjo nga fundi i viteve 40-të.
  4. E vetmja gjyqtare femër në sportet e boksit dhe të mundjes.
  5. Notare dhe organizatore e notit. Pjesëmarrëse në ballkaniadën e njohur të Splitit në vitin 1947.
  6. Gjyqtare e garave të notit, deri në moshën 70 vjeç.
  7. Qëndistare e një niveli cilësor, duke qepur dhe stolisur pjesën më të madhe të kostumeve të manifestimeve sportive, sidomos ato në kuadrin e spartakiadës së parë kombëtare në vitin 1959.
  8. Ka qenë trajnere edhe në sportet e basketbollit, notit dhe atletikës.
  9. Ndër aktoret e para të teatrit profesionist të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, që në krijim me 11 janar 1953.
  10. Një artiste e pa konkurruar edhe në gatim.
  11. Nga të parat që nisi kurset për anglisht në Durrës, duke pasur një preferencë superiore.
  12. Një mësimdhënëse e lindur, që edhe sot e kësaj dite nxënësit e saj të moshuar, e kujtojnë me shumë mall. Formimi i tyre konkurrues, është edhe meritë e zysh Benit.

Pse tentonin ta poshtëronin këtë fisnike

Çfarë më tregoi, një e njohura e hershme e zysh Benit – Belina Hotova.

-Isha 16-17 vjeçe. Viti 1967. Shkolla e mesme “Naim Frashëri”, ku luante edhe artisti i njohur Mirush Kabashi, vuri në skenë premierën “Qielli i Kuq”. Zysh Beni kishte rolin e një punëtoreje. Kur shfaqja u kontrollua nga një komision politik, një person kërkoi sqarime se çfarë donte kjo grua në këtë shfaqje. Dhe jepet urdhri që të largohej. Erdhi tek ne atë mbrëmje dhe të qarat e saj nuk pushonin. “Eh, Zot thamë, çfarë po ndodh kështu?!”

Kujtohet gjithashtu edhe një fakt, për një qëndrim flagrant dhe përçmues ndaj Zyshës sonë të mirë deri në dhimbje. Diku para fundit të viteve ’60-të, në Durrës kishte pak televizorë dhe Benardina Qerraxhia, dëshironte të ndiqte një eveniment ndërkombëtar sporti. Gjykatën e kishte fare pranë shtëpisë dhe nxiti dëshirën si kushdo të shkonte atje. Se kush e pa, dha urdhër të fikej televizori. Dhe pas kësaj të gjithë vështruan zysh Benin, që duhej të ikte prej andej që ata të shikonin evenimentin sportiv. Përfytyrojeni gjendjen shpirtërore të Ben Qerraxhisë në atë moment. Më parë shpirti ia mbushi zemrën me lot, e më pas sytë u përfshinë në ngashërimin e një dhimbje të tmerrshme. Ia sfumonin meritat. Nuk e evidentonin. Klikoni po të doni në google, nuk gjendet një radhë për të, një foto për të, një…, një….. Asgjë fare. Dhe për kë? Për një grua e një dimensioni kolosal. Për një mburrje tonën.

25 maj 1994! Në shtëpinë e parë, majtas kur fillon rruga e famshme e lagjes “Sefer Efeniu”, ishin mbledhur me qindra njerëz. Arkivoli me trupin e të ndjerës, kalonte lart në duart e njerëzve. Aty ishte strehuar për gjithmonë, trupi i pajetë i heroinës së sporteve dhe kulturës durrsake, të një zonje që i dha shumë qytetit të Durrësit, të një perle të mësimdhënies, të një gruaje me një kulturë të jashtëzakonshme, me emrin emblematik Benardina Qerraxhia. Falë intuitës, për të mos harruar më në fund një ngjarje të tillë, siç është 25 maji i vitit 2019, 25 vjetori i largimit nga jeta të Benardina Qerraxhisë, iu përkushtuam me një përkujtim të tillë figurës më qendrore të kulturës dhe sportit në Durrës. Shkolla e mesme kombëtare sportive në Durrës, mban emrin e kësaj pioniereje të sportit durrsak “Benardina Qerraxhia”. Mos’harresa ndaj teje, ishte një detyrë parësore, zysha ime e shtrenjtë Benardina Qerraxhia!

Kujtimi për ty, të mos zbehet kurrë!