Besnik Çela: “Futbolli, një hap para politikës”

553
Sigal

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i FSHF-së: “Kosovarët nuk mund të konsideroheshin të huaj në Shqipëri”

 Besnik Çela, Zëvendëssekretari i Përgjithshëm dhe Shefi i Sektorit të Garave, në Federatën Shqiptare të Futbollit, tha për gazetën “Telegraf” se, vendimin për të konsideruar si shqiptarë të gjithë futbollistët kosovarë, të cilët aktivizohen në vendin tonë do të ketë një efekt të madh pozitiv dhe do të krijojë një klimë të mirë për klubet shqiptare. “FSHF-ja nuk mund të qëndronte indiferente, kur Greqia nuk i trajton futbollistët shqiptarë si ekstrakomunitarë, apo Franca. Ishte nonsens që, ne t’i konsideronim lojtarët kosovarë si të huaj”, – tha Çela për gazetën. Këtë sezon në vendin tonë luajnë disa lojtarë kosovarë, si te Vllaznia, Kukësi, Besa, Teuta, Tirana, etj, por ata për momentin konsiderohen si të huaj.

– Zoti Çela, në mbledhjen e fundit të tij, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit mori vendimin për të konsideruar si shqiptarë të gjithë futbollistët kosovarë, të cilët aktivizohen në vendin tonë. Çfarë ndikimi pritet të ketë ky vendim?

 – E konsideroj një vendim pozitiv, duke e parë dhe në kuadrin e një bashkëpunimi të gjithanshëm midis Federatës Shqiptare dhe asaj Kosovare të Futbollit. E shoh atë vendin, edhe në këndvështrimin e kërkesave për krijimin e Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit. Nuk ka sesi që ne, si FSHF, të qëndronim indiferent, kur Greqia nuk i trajton futbollistët shqiptarë si ekstrakomunitarë, apo Franca. Ishte nonsens që, ne t’i konsideronim lojtarët kosovarë si të huaj. Ata janë shqiptarë, por me pasaportë kosovare. Pra, e konsideroj një vendim të drejtë dhe me efekte pozitive.

 – Kur do të nisë zbatimi i atij vendimi?

 – Sigurisht që, do të zbatohet sezonin e ardhshëm. Këtë sezon në vendin tonë luajnë disa lojtarë kosovarë, si te Vllaznia, Kukësi, Besa, Teuta, Tirana, etj, por ata për momentin konsiderohen si të huaj.

 – Në kampionatin tonë ka një rregull për aktivizimin e lojtarëve të huaj. A priten të përfitojnë skuadrat nga ky vendim?

 – Patjetër që, po. Dikur ishin pa limit. Sezonin e kaluar një skuadre i lejohej deri në gjashtë lojtarë të huaj, ndërsa këtë edicion vetëm pesë. Kampionatin e ardhshëm do të jenë vetëm katër në formacionin bazë. Lojtarët kosovarë konsideroheshin si të huaj, tani ata nuk do të përfshihen më në numrin katër të lojtarëve të huaj.

 – Përmes mediave është bërë e ditur, se dy ekipe kosovare: FK Prishtina dhe Trepça synojnë regjistrimin dhe aktivimin në kampionatin shqiptar. Sa të mundur e shikoni realizimin e asaj dëshire?

 – Është diskutuar gjatë dhe janë dhënë shumë mendime nga të gjitha palët. Mendoj se, ka disa pengesa ligjore që vijnë kryesisht nga FIFA dhe nga UEFA, por dhe nga legjislacioni aktual Federatës Shqiptare të Futbollit. Pa u kaluar këto pengesa, do të jetë vështirë që ato ekipe të aderojnë në FSHF dhe të luajnë në Shqipëri.

  – Cila është gama e bashkëpunimit futbollistik midis Shqipërisë dhe Kosovës?

  – Dy federatat kanë marrëdhënie të shkëlqyera me njëra-tjetrën, qoftë institucionale, dhe po ashtu konfidenciale. Bashkëpunimi është i shumanshëm dhe i gjithanshëm. Ky bashkëpunim ka efekte pozitive të dyanshme. Ju e dini se, një numër i madh lojtarësh kosovarë janë përfshirë në të gjitha ekipet e moshave, duke filluar nga U-17, U-19, U-21 dhe Kombëtarja A, por dhe te ato të Femrave dhe futbollit në sallë. Janë lojtarë që luajnë në Kosovë, apo dhe në Europë. Ka shumë lojtarë kosovarë të talentuar.

  – Vitet e fundit, në vendin tonë po marrin pjesë në kurset e organizuara nga FSHF-ja edhe trajnerë kosovarë…

  –  Është diçka e natyrshme që ata të marrin pjesë. Ka disa vite që ata janë të pranishëm. Janë shumë trajnerë kosovarë që, kanë marrë licencat të disa kategorive, duke filluar nga “UEFA C” e deri të “UEFA A”. Gjithsesi, specialistët tanë, së bashku dhe me ata të huaj kanë dhënë leksione në Kosovë, si për trajnerët ashtu dhe për gjyqtarët, madje shumë shpejt do të shkojnë në Prishtinë dy specialistë të gjykimit, të cilët do të ndihmojë Shoqatën e Gjyqtarëve të Kosovës.

  – Zoti Çela, a ka një strategji të FSHF-së në lidhje me promovimin e sa më shumë lojtarëve të rinj?

 – Po. Shkurtimi i numrit të lojtarëve të huaj bëhet me qëllimin e vetëm që, t’u jepet më shumë hapësirë futbollistëve të rinj që nxjerrin vetë klubet. Tani një skuadre i lejohet të regjistrojë deri në 30 lojtarë, ku tetë prej tyre duhet të jenë patjetër deri në moshën U-21 dhe prodhim i ekipeve zinxhir të klubit. Kjo do të sjellë aktivizimin e sa më shumë lojtarëve të nxjerrë nga klubi përkatës.

 – Si e vlerësoni këtë kampionat, kur dalin katër skuadra direkt?

 – Sigurisht që, struktura e kampionatit aktual e rrit më shumë rivalitetin. Ekipet janë shumë të kujdesshme, pasi dalin katër nga kategoria dhe ngjiten dy nga e Para. Do të ketë rivalitet për ato që do të bien nga kategoria, por dhe për ato që do të luajnë në zonën e Europës. Kupa e Shqipërisë është bërë shumë interesante, me formulën që ajo ka.

LIGA E KAMPIONEVE

“Kualifikohet Milani im”

 Besnik Çela njihet botërisht si një nga tifozët më të thekur të Milanit dhe, sigurisht që ndihet tepër i lumtur pas fitores 2-0 ndaj Barcelonës, në ndeshjen e parë të raundit të 1/16-ve të Ligës së Kampioneve. “Milani bëri një ndeshje të shkëlqyeshme. Trajneri Masimiliano Alegri e vendosi shumë mirë skuadrën në fushë. E ndërtoi me mjaft imtësi çdo detaj. Tregoi se ka aftësi shumë të mëdha në fushën e trajningut. Milani e dominoi në lojë takimin, por dhe si rezultat. Taktika e zgjedhur nga Alegri nuk i lejuan treshes Mesi-Iniesta-Ksavi të dilnin në lojën e tyre. Me atë Milan që pashë të mërkurën, besoj se do të kualifikohet, pavarësisht ndeshjes së kthimit që do të luhet në Barcelonë. Dua të kujtoj finalen e Ligës së Kampioneve, kur Milani fitoi 4-0 në Athinë. Milani mbetet një skuadër e madhe, pavarësisht se Barcelona konsiderohet si ekipi më i mirë në botë”.

 Stadiumet, në rrezik licencimi nga UEFA

 Besnik Çela, për shkak të detyrës së mëparshme të tij, është një nga njohësit më të mirë të gjendjes së stadiumeve në të gjithë vendin. “Klubet duhet të investojnë fuqishëm në infrastrukturë, pasi aty nis e krijohet futbollisti cilësore. Nga ana tjetër, gjendja aktuale e stadiumeve tona lë shumë për të dëshiruar. Shikoni, nëse “Qemal Stafa” prishet, atëherë “Selman Stërmasi” është i shkatërruar. Duhet që, Bashkia e Tiranës duhet të gjejë fonde dhe të vërë dorë që, “Selman Stërmasi” t’u rikthehet parametrave. Tiranës, me tre ekipet që ka: Tirana, Dinamo dhe Partizani, minimalisht i duhen dy stadiume dhe tepër cilësore. UEFA ka kërkesat e saj dhe kërkon plotësimin e parametrave. Stadiumi i Skënderbeut është më i ploti, por dhe aty mund të zhvillohen ndeshjet e disa niveleve të Ligës së Kampioneve”

KATEGORIA SUPERIORE

Skënderbeu-Bylisi 2-2

Një nigerian i bën ballë i vetëm Skënderbeut

 Solomonson Izuçukuaka. Ky emër do të mbahet mend gjatë në Korçë. Mesfushori nigerian 24-vjeçar realizoi një dopjetë për Bylisin, duke fiksuar barazimin 2-2 ndaj kampionit në fuqi dhe liderit të sezonit 2012-2013. Skënderbeu dështon për të dytën herë rresht në shtëpi, pas humbjes 0-1 me Vllazninë, në javën e parë të fazës së dytë. Ndeshja përmbyllëse e javës së 16-të të Kategorisë Superiore tërhoqi një numër të madh shikuesish në “Skënderbeu’, teksa tifozeria korçar dhuroi spektaklin e radhës. Takimi nisi me një gol të anuluar të vendasve, ishte Izuçukuaka ai që kaloi në avantazh Bylisin, me golin e tij të minutës së 10-të. Kampionët në fuqi u befasuan, por ia dalin të barazojnë në të 18’, falë një goditje të lirë të ekzekutuar mjeshtërisht nga sulmuesi kroat Pero Pejiç. Bylisi i ideuar taktikisht nga një trajner race dhe me përvojë të gjatë, si kosovaro-turku Naxhi Shensoj, ishte i rrezikshëm në kundërsulm, duke e detyruar Orges Shehin të tregojë klasin e tij. Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, është i qartë se, skuadra nuk është në një ditë të mirë, duke bërë zëvendësimet e para. Mbrojtësi Ditmar Bicaj, lezhjani që i dha fitoren minimale kundër Apolonisë në Fier, i dha avantazhin 2-1 Skënderbeut, pas një harkimi nga goditja e dënimit në minutën e 57-të. Bylisi vepron bukur me sulmuesin nigerian, Piter, por ballshiotët nuk arrijnë të konkludojnë. Por, Izuçukuaka nuk gabon në minutën e 81-të, duke fiksuar përfundimisht shifrat 2-2 dhe dhurua një pikë shumë të vlefshme skuadrës së tij. Pas këtij barazimi – i 4-ti për korçarët në 16 javë kampionat, Skënderbeu e ruajti diferencën prej +7 pikësh nga Teuta e vendit të dytë, që barazoi 1-1 me Tiranën ditën e shtunë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XVI

Të shtunën, 23.02.2013

Luftëtari-Vllaznia         2-1

Kukësi-Apolonia            1-0

Kastrioti-Laçi             2-1

Tirana-Teuta               1-1

Flamurtari-Tomori          5-2

Dje, 24.02.2013

Besa-Shkumbini             1-1

Skënderbeu-Bylis                2-2

 RENDITJA

1    Skënderbeu      16   +19  37

2    Teuta           16   +8   30

3    Flamurtari      16   +12  28

4    Kukësi          16   +7   27

5    Tirana          16   +5   26

6    Laçi            16   +0   24

7    Bylis           16   +3   23

8    Vllaznia        16   +2   23

9    Kastrioti       16   -3   22

10   Besa            16   -4   17

11   Shkumbini       16   -9   16

12   Luftëtari       16   -9   14

13   Tomori          16   -15  9

14   Apolonia        16   -16  8