KATEGORIA E PARË/ Zëvendëstrajneri i Pogradecit, Bekim Kuli, tregon arsyet e humbjes së ndeshjes Play-out
Agron KAJA

Kategoria e Parë e sezonit 2025-2026 e uli siparin me ndeshjen Teuta-Pogradeci 1-0. Liqenorët bënë tentativën e dytë për ngjitjen në Abissnet Superiore, pas asaj të sezonit të kaluar ku u mposhtën nga Tirana. Por këtë herë, stafi drejtues dhe vetë skuadra janë të pakënaqur nga gjykimi, që sipas tyre, i penalizoi me kartonin e kuq që solli golin e avantazhit për durrsakët. Vetë zëvendëstrajneri i liqenorëve, Bekim Kuli, dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se humbja me Teutën ishte e pamerituar, për shkak të kartonit të kuq. “Humbja me Teutën na ka mërzitur shumë, sepse na penalizoi pas kartonit të kuq, i cili na e prishi lojën komplet. Loja e skuadrës sonë ishte e të njëjtin nivel me atë të Teutës, në mos më sipër se skuadra durrsake. Ne krijuam më shumë volum loje në fushë dhe raste të shumta e të pastra shënimi. Por fati nuk na deshi, edhe pse kishim përballë një skuadër e cila e tregoi se kishte më shumë presion se skuadra jonë, gjë e cila nuk u ndje tek lojtarët tanë”, kështu e nisi dje bisedën zëvendëstrajneri i Pogradecit, Bekim Kuli, i cili më pas në këtë bisedë veçoi edhe ecurinë e garës të skuadrës që drejton gjatë gjithë kampionatit. “Në gjithë sezonin, edhe skuadra e Pogradecit ka patur disa ulje e ngjitje, por së bashku me trajnerin Emiliano Çela, ne bëmë disa modifikime në ecurinë e garës. Kujtoj se në muajin janar na u larguan 9 lojtarë, dhe ne e kompletuam skuadrën me të tjerë futbollistë, por që nuk ishte e lehtë ti harmonizonim vlerat e tyre në fushën e lojës. Në vazhdimësi, kishim problemet tona, kryesisht tek ndeshja me Ilirinë 1-1, ku na penalizuan me 2 kartonë të kuq. Por edhe nga gjykimet jemi penalizuar, kryesisht me penallti të padhëna për ne, apo edhe me penallti të dhëna padrejtësisht kundër nesh. A e dini ju se ne si skuadër e Pogradecit kemi marrë vetëm një penallti, atë në përballjen me Apoloninë. Ndërsa rivalët tanë në kreun e renditjes kanë përfituar nga 12-13 penallti seicili”. Ndërkohë që Kuli tregoi se, ende janë duke pushuar dhe këtë javë do ulen me drejtuesit jo vetëm për analizë. “Natyrisht që ky pushim është edhe për një reflektim nga ana jonë. Do ulemi këtë javë me drejtuesit, jo vetëm për analizë, por edhe për vazhdimësinë në sezonin tjetër”, ishte kjo biseda me Bekim Kulin, aktualisht zëvendëstrajner i Pogradecit.
KOMBËTARJA
Silvinjo rikthehet në Tiranë, për vazhdimësinë, ose … jo!

Në ndeshjen e “Final 4”, AF Elbasani-Egnatia 0-4, në tribunën e medias në stadiumin “Air Albania” ishte i pranishëm edhe zëvendëstrajneri i Kombëtares sonë, Dorival Guindoni. Në komunikimin e shkurtër me gazetën “Telegraf”, tekniku u shpreh se ka ardhur pasi do të nisin përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor. Por, aty u mësua se edhe Silvinjo është rikthyer në Tiranë, ndërsa tashmë dihet që është në fundin e kontratës dhe do të merret një vendim final për të ardhmen e tij. Sylvinjo e ka marrë drejtimin e Kombëtares më 2 janar të vitit 2023, ndërsa grumbullon 34 ndeshje në bankinën e Kombëtares, me 15 fitore, 7 barazime dhe 12 humbje, me një golavarazh 40:29.
“Telenovela” e Muçit mbyllet me pagë rekord te Fenerbahçe

Këtë javë, Ernest Muçi do të zyrtarizohet përfundimisht te Trabzonspori, dhe në mediat turke shkruhet se për transferimin e tij te Trabzonspor, Beshiktashit do t’i paguhet shuma prej 8.5 milionë eurosh. Detaje të tjera zbulojnë se Muçi do të përfitojë një pagë rekord, pikërisht 3.5 milionë euro në sezon, ndërsa kontrata e tij vlen deri në vitin 2029. Kështu, mesfushori me tipare sulmuese do të bëhet lojtari më i paguar i Kombëtares shqiptare. Në Superligën e Turqisë, Muçi shkëlqeu te Trabzonsporri, edhe pse ishte i huazuar, madje duke u bërë lojtari që po e shtyn Trabzonin drejt fitimit të Kupës së Turqisë. Ai ka shënuar 15 gola në 34 paraqitje, ndërsa dje nuk luajti ndaj Genclerbirli, si i skualifikuar nga kartonët.
Reagimi i pogradecarëve pas humbjes me Teutën

Humbja në ndeshjen Play-out ndaj Teutës, për pogradecarët ka edhe arsye. Sipas tyre, janë kartonët fajtorë! “Momenti kur arbitri Enea Jorgji ndëshkoi me karton të kuq lojtarin tonë, Pius, si dhe me karton të verdhë trajnerin Çela, ishte një vendim që solli shumë diskutime dhe pakënaqësi gjatë ndeshjes. Në këndvështrimin tonë, gjykimi ishte i padrejtë dhe ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e takimit”. Kështu shkruhej dje në rrjetet sociale për këtë sfidë.
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
PAS VENDIMIT TË FSHF
E mërkurë, 28 maj 2026
Kukësi-Butrinti 15:00
(Fituesi në Kategorinë e Parë)
RENDITJA PËRFUNDIMTARE
Skuadrat Nd P
1.Laçi 33 79
2.Skënderbeu 33 77
———————————–
3.Pogradeci 33 68
4.Iliria 33 45
5.Besa 33 39
6.Kastrioti 33 39
———————————–
7.Burreli 33 37
8.Korabi 33 36
———————————–
9.AF Luftëtari 33 34
10.Kukësi 33 31
———————————–
11.Apolonia 33 28
12.Lushnja 33 26
Në Librazhd, festë dhe punë në infrastrukturë
Në Librazhd u zhvilluan këtë fundjavë festime për ngjitjen e Sopotit në Kategorinë e Parë. Atmosfera në qytet ishte festive, ndërsa drejtuesit e klubit po shikojnë edhe për plotësimin e kushteve infrastrukturore të kërkuara nga FSHF-ja për sezonin e ardhshëm, si rikonstruksioni i dhomave të zhveshjes, zgjerimi i pankinave dhe përmirësimin e platformave televizive në disa sektorë të stadiumit.
Verdiktet ende të papërfunduara, sezoni 2025-2026
# Laçi kampion, Skënderbeu nënkampion
#Pogradeci, Iliria, Besa dhe Kastrioti në Play-off
Ndeshjet: Pogradeci-Kastrioti 3-0 dhe Iliria-Besa 0-2
Ndeshja finale: Pogradeci-Besa 1-0
Ndeshja për Superiore: Teuta-Pogradeci më 16 maj
#AF Luftëtari dhe Kukësi në Play-out
Ndeshjet: AF Luftëtari-Sopoti 1-1 dhe Kukësi-Bylis B 1-1
Bylis B do luajë në Kategorinë e Dytë
Kukësi-Butrinti, finale për në Kategorinë e Parë
#Apolonia dhe Lushnja zbritën në Kategorinë e Dytë




















