Beckenbauer e kërkoi te Bayerni? Vjen përgjigja e Jurgen Klopp

464
Sigal

Jurgen Klopp nuk ka ndërmend që të largohet nga Liverpooli pas triumfit në Ligën e kampionëve. Strategu gjerman ka refuzuar ftesën e Franz Beckenbauerit për të marrë drejtimin e Bayernit të Mynihut.

Pas finales së Championsit, e fituar nga Liverpooli, “Kaiser”-i e shprehu hapur dëshirën për të parë në krye të bavarezëve trajnerin gjerman të Liverpoolit: “Është një nga trajnerët më të mirë në botë.”

Por Klopp, kontrata e të cilit me klubin legjendar anglez skadon në vitin 2022, ishte i qartë teksa u shpreh për “Bild” së nuk do të transferohet në “Allianz Arena” në një të ardhme të afërt.

“Më pëlqen shumë Franz dhe unë i pëlqej atij, por kam një kontratë afatgjatë me Liverpoolin. Pastaj, si Dortmundi ashtu edhe Bayerni drejtohen aktualisht nga trajnerë shumë të mirë. Se çfarë mund të ndodhë pas 4 apo 5 vitesh, nuk e di. Ndoshta do të dalin trajnerë krejtësisht të ndryshëm.”