Flet Rexhep Alimemaj/ Ajo që shkruhet me gjak, nuk ndryshohet me bojë. LANÇ ishte mbarë popullore, partizanët e kanë vendin në tribunën e nderit. Ballistët mbeten tradhtarë të Atdheut

833
Sigal

Bashkë me vëllezërit shqiptarë luftuan në një llogore edhe minoritarët grekë, nga radhët e të cilëve dolën 1500 partizanë dhe ranë në fushën e betejës 138 dëshmorë

 

Ajo që shkruhet me gjak, nuk ndryshohet me bojë

Rexhep Gani Alimemaj

 

Lufta Antifashiste ishte mbarë popullore

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte ajo që bëri Shqipërinë me të vërtetë të lirë e të pavarur. Ishte luftë mbarë popullore. U ngritën në këmbë një popull i tërë që nga debatikasit e vegjël e deri tek të moshuarit. Bashkë me vëllezërit shqiptarë luftuan në një llogore edhe minoritarët grekë, nga radhët e të cilëve dolën 1.500 partizanë dhe ranë në fushën e nderit 138 dëshmorë. Në ballë prinin komunistët. Nga radhët e tyre ranë heronj të shquar. Heronjtë e Shkodrës, të Vigut, të Kodrës së Kuqe, të Topanasë etj. Shembulli i të cilëve u bë flamur dhe frymëzim për të gjithë luftëtarët e lirisë.

Periudha 7 prill 1939 – 9 maj 1945 është e mbushur me akte të shumta heroizmi e patriotizmi popullor u ndez flakë në të gjithë vendin: në Pezë e në Labëri, në Skrapar e në Çermenikë, në Gorë-Opar e kudo. Lufta jonë Antifashiste kishte nisur para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Heroi Mujo Ulqinaku me shokë i kishte pritur pushtuesit fashistë jo me lule e livadheve të vendit, por me “lulet” e vezmeve që kishim në brez. Dhe lufta u ndez në të katër anët e Shqipërisë, që nga çeta e Pezës e para në Evropë, e deri te njësitet guerile, që shtrinin përdhe spiunët e tradhtarët, të shitur te fashizmi, që nga heroizmi i heroit Qemal Stafa, që “luftoi me patllake, sa i doli xhani”, e deri te heroi Vojo Kushi, që u hodh me trimëri mbi tankun armik, që nga Koci Bako që ra heroikisht në demonstratën e Korçës e te Mine Peza, që ra si shqiponjë në demonstratën e grave të Tiranës., që nga partizanët pionier e deri te heroizmi i Vasil Shantos e Kajo Karafili, që u përlesh me armiq të shumtë dhe bënë fli jetën e tyre, që nga 27 të vrarët, që litarin armik e pranuan, por Atdheun nuk e tradhtuan, midis tyre 4 partizane, nga 5 gjithsej që janë varur nga nazizmi në Evropë, e deri te ata mijëra të internuar në kampe të përqendrimit, të cilët qëndruan me kokën lart si malet tona, e sa e sa shembuj të tjerë, që flasin për atë luftë titanike të popullit tonë, i bashkuar në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar.

Në këto momente veteranët dhe ne pasardhësit e tyre, kujtojmë me respekt të lartë të gjithë ata patriotë, të cilët u “këndonte” në duar pena dhe pushka për mëmëdheun, që donin ta shihnin zonjë. Kujtojmë me mall e respekt të gjithë dëshmorët e Atdheut, pushka e të cilëve gjëmoi si top në male për çlirimin e vendit. Kujtojmë ata luftëtarë e veprimtarë ilegalë të qyteteve që vepronin trimërisht nën hundën e armiqve të jashtëm e të brendshëm dhe ishin kurdoherë me “qefin në kokë”. Kujtojmë me nderim të veçantë ata trima dëshmorë, të cilët me gjakun e tyre të pastër skuqën çdo pëllëmbë tokë, duke rënë një në çdo kilometër. Dhe nga lartësia e 75 vjetëve, u drejtohem sot dëshmorëve mirënjohjen tonë të thellë! I shohim ata mes zemrave tona ashtu siç ishin, krenarë, të rinj, të gjallë, trima, në pararojë, me pushkë në sup, përmes betejash, që luftuan me heroizëm të pashembullt, duke e shkruar historinë jo me bojë, por me gjak, jo me penë, por me bajonetë dhe e vulosën çlirimin e Shqipërisë, më 29 nëntor 1944.

Populli, dëshmitari më i mirë

Ballistët pretendojnë se janë ata “çlirimtarët”. Se sa “çlirimtarët” të vendit janë ballistët, mjafton një fakt: Nuk ka asnjë këngë për një dëshmor apo hero të rënë në “Luftën Çlirimtare”. Po ka marrëveshje Dalmaco-Këlcyra, 1943. Që vulosi bashkëpunimi e Ballit Kombëtar me gjermanët e jo që luftën që iu paskan bërë ballistët. Në shenjë ata vinin jo pushtuesit, se me ta hanin në një çanak, por partizanët dhe njerëz të pafajshëm të popullit. Na qëlluan, pa i qëlluam. Na vranë, pa i vramë, veç emri “partizan” i bënte të dridheshin si purteka. Edhe ferrat e drizat u dukeshin sikur ishin partizanë, sikur ishin komunistë. Dëshmitar më i mirë që ballisto-zogistët nuk kanë luftuar kundër pushtuesve është populli, që ka vuajtur në kurriz të zezat e tyre. Por dëshmitar janë edhe misionarët e huaj, që ishin në atë kohë në Shqipëri.

Gjenerali Dejvis ka shkruar se “në të gjithë veprimet e kryera në Luftën Nacionalçlirimtare, partizanët janë ndeshur me trupa të përziera gjermano-balliste, të armatosura mirë”.

Misionari anglez F. Brand shprehte se “Mit’hat Frashëri e Hasan Dosti të Ballit Kombëtar, Abaz Kupi i Legalitetit e të tjerë, janë elementë që kanë bashkëpunuar me gjermanët”.

Kurse misionari tjetër Xh. Bllok, ka shkruar se “Balli është një thes me kriminelë”. S’ka më nevojë për koment.

Partizanët e kanë vendin në tribunën e nderit

 

Historia është histori. Tradhtia është tradhti, partizanët e kanë vendin e tyre në tribunën e nderit. Janë çlirimtarë e fitimtarë të vërtetë. Ballisto-zogistët e dinë vetë ku e kanë vendin. Ti vësh ballistët e zogistët në një plan me partizanët, që u robtuan maleve, me bukë e pa bukë, të zbathur e të zhveshur e që luftën se pushuan deri në çlirimin e plotë të vendit, e përtej kufijëve shtetëror për çlirimin e vëllezërve kosovarë e të popujve të Jugosllavisë, duke luftuar me heroizëm 20.000 partizanë shqiptarë nga të cilët ranë mbi 600 dëshmorë, pra të vesh në një plan ballisto-zogistët me partizanët heronj, është njëlloj si të quash lepurin luan, të zezën të bardhë, errësirën dritë, natën ditë, gjarprin ngjalë, gjembin trëndafil.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare shqiptare ishte pjesë përbërëse e Luftës Antifashiste të Botës dhe u lidh me koalicionin e madh Anglo-Sovjeto-Amerikan. Populli dhe ushtria e tij luftuan dhe fituan kundër 700.000 ushtarëve pushtues italianë e gjerman, çizmja e të cilëve shkeli vendin tonë, ishin një partizan me 10 fashistë e nazistë pushtues. Raporti del 1:10 për pushtuesin. Këtu në territorin e Shqipërisë u angazhuan 15 divizione të pushtuesve dhe u nxorën jashtë luftimit pothuajse 70.000 pushtues. Fashistët panë me sytë e tyre çdo të thotë të zaptosh Shqipërinë. E panë si u ndez zjarr e flakë toka arbërore. I panë trimat e Nënës Shqipëri si të marrin gjak në vetull. E panë shqiptarin se si “mikut i jepnin bishtin, armikut gishtin”. I panë të rinjtë e të rejat se si e jepnin jetën në lulen e tyre të rinisë, në vitet më të bukura të jetës. I panë gratë se si vërsuleshin me sëpatë e me hanxharë. Dhe nazi-fashistët tmerroheshin dhe bërtisnin “mama mia!”.

Neoballistët Sali Berisha, Edi Rama dhe zëdhënësi i tyre, Agron Tufa, drejtori i Institutit për Studimet e Pasojat e Krimeve të Komunizmit kanë kohë që nxijnë Epopenë më të Lavdishme të Popullit tonë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, heronjtë dhe dëshmorët e saj. Prej 29 vjetësh, po baltoset ajo gjeneratë që e radhiti Shqipërinë në krah të fitimtarëve antifashistë në mbarë globin Anglo-Sovjeto-Amerikan. Kjo ka ardhur duke u theksuar në vitet e fundit, ku janë konvertuar në heronj e janë dekoruar bashkëpunëtorët e fashizmit, një pjesë e të cilëve kanë qenë pjesëtarë në masakra e në djegie të fshatrave. E për të gjitha këto, përsëri, të ashtuquajtur veteranë s’thanë një gjysmë fjale kundër, as me gojë e as me shkrim. Sidoqoftë vendin historik të ballistëve dhe të miqve të tyre zogistë sikurse e ka përcaktuar me shumë mençuri Fan S. Noli ynë i madh ka shkruar, “sikur të ngjante e pangjara dhe ballistët…të kishin qëndruar në fuqi pas disfatës gjermane, përfundimi do të ishte një anarki e plotë, më e keqe se ajo e Greqisë, e cila do ta shpinte ose në një diktaturë reaksionare, ose në copëtim final. Pra mos u varni torbën, po u tregoni vendin dhe vendi i tyre në varret e fashizmit.”

68 vajza e gra nga Fieri në vitin 1943 dolën partizane dhe ishte një koincidencë kuptimplotë, por edhe e çuditshme, duke qenë 68 partizane, midis tyre 15 partizane e kishin emrin Liri, madje njëra nga ato do të ishte Heroina e Popullit, Liri Gero. Veshur me rroba partizane, me yll të kuq në ballë, me armë në krahaqafë, duke nderuar me grushtin lart e duke shqiptuar fjalët “Vdekje Fashizmit, Liri Popullit!”. Ajo që të bën përshtypje është fakti që ato vinin nga të gjitha shtresat e shoqërisë, por të gjitha të ndërgjegjshme e të vendosura për detyrat që u ngarkonte Lufta për çlirimin e Shqipërisë dhe luftë të ashpër kundër bashkëpunëtorëve të nazi-fashistëve.

Ndërsa e kundërta ishte fytyra e vërtetë e eksponentëve të Ballit Kombëtar, të cilët thoshin se Partia Komuniste e hodhi popullin në luftë civile. Në fakt ishin ata që u përpoqën ta fusin në luftë civile popullin. Drejtuesit e Ballit, më së shumti, u kthyen në kriminelë të Luftës dhe të popullit dhe u dënuan si të tillë, siç u dënuan të gjithë kriminelët e Luftës së Dytë Botërore në gjithë botën.