Eduard Dervishaj: 30 vite më parë… Një ndeshje futbolli ndërmjet vëllezërve

153
Sigal

Ish-Jugosllavia ishte një nga vendet me nivel të lartë sportiv, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë. Skuadrat e tyre janë shquar, në mënyrë të veçantë, në sportet kolektive ku një vend të rëndësishëm zinte futbolli. Si një vend fqinj, natyrisht që futbolli i tyre kishte të apasionuarit e tij në Shqipëri. Nuk e ndiqja shumë kampionatin jugosllav mbasi për mua dhe mjaft të tjerë kishte më shumë interes ai italian. Çdo gjë do të ndryshonte dhe interesi ynë u rrit kur një nga ekipet tona, K.F. “Prishtina”, fitoi kampionatin e Kategorisë së Dytë dhe për herë të parë do të merrte pjesë në Kampionatin e Ligës së Parë të Jugosllavisë, në sezonin 1983-‘84. Ishte një arritje jashtëzakonisht e madhe për futbollin e Kosovës, po të kemi parasysh situatën politike si dhe rrethanat jo shumë të favorshme të klubeve të Kosovës në ish-Jugosllavi, të krahasuara me ato të klubeve të tjera. Çdo javë ndiqja rezultatet e Prishtinës. Për disa vite rresht luajtën një futboll të bukur e kompetitiv, një skuadër shumë solide dhe e vështirë për t’u mundur, veçanërisht në fushën e tyre në Prishtinë. Nga brezi i artë i Prishtinës, megjithëse kishte dhe lojtarë të tjerë shumë të mirë, më kanë ngelur në kujtesë emrat e Fadil Muriqit, Kujtim Shalës, Agim Canës e natyrisht Fadil Vokrrit. Një nga ngjarjet e bukura që Prishtina na dhuroi, e që u konsiderua si një befasi e kampionatit jugosllav, ishte fitorja e tyre në Beograd kundër “Yllit të Kuq” (Cërvena Zvezda) me rezultatin 1-3. “Cërvena Zvezda” ishte një nga ekipet më të mirë në historinë e kampionatit jugosllav si dhe një nga emrat e spikatur në futbollin europian. Pak vite më vonë (1991) fitoi Kupën e Kampionëve të UEFA-s, pasi eliminoi në gjysëmfinale ekipin e frikshëm të “Bayern”-it të Mynihut. Por fitorja e Prishtinës në stadiumin “Cërvena Zvezda” të Beogradit (në mënyrë popullore stadiumi ku ata luanin thirrej “Marakaná” nuk u pranua me sportivitet nga autoritetet jugosllave.

Ndeshjes iu dhanë ngjyra politike dhe shumë nga sportdashësit e zjarrtë që shoqëronin ekipin e Prishtinës u akuzuan si irredentistë dhe vuajtën pasojat. Nuk e kisha menduar kurrë që 10 vite më vonë, pas atij viti kur dalja e Prishtinës tronditi futbollin jugosllav, së bashku me kolegët e mi të federatës do të bëheshim protagonistë të ndeshjes së parë miqësore të futbollit ndërmjet dy përfaqësueseve të një kombi të ndarë padrejtësisht. Sot Kombëtarja udhëton lirshëm dhe luan në anën tjetër të Shqipërisë, në Kosovë, ashtu si dhe ka ndodhur në këto vitet e fundit, madje futbollistët e saj kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kombëtaren e Shqipërisë. Por në vitin 1993 gjërat ishin ndryshe. Ishim aq afër dhe aq larg Kosovës! Duhej ngritur ura dhe ne guxuam! Propozimi i parë për të luajtur një ndeshje të tillë na u bë nga një miku ynë kosovar, Remzi Bedrolli. Një burrë fisnik dhe atdhetar. U njoha me të në Zvicër, në fund të vitit 1992, ndërsa ndodhesha atje për një mbledhje në UEFA. Më tregoi se drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës kishin shumë dëshirë të zhvillonin një ndeshje ndërmjet dy përfaqësueseve tona dhe ishin përpjekur të na kontaktonin, por për disa arsye kontakti nuk ishte bërë i mundur. Pa dyshim që m’u duk një ide e mrekullueshme realizimi i një “ëndrre” të tillë. Duke patur parasysh tranzicionin e komplikuar që vendi dhe futbolli ynë po kalonin, mundësinë e një reagimi nga federata jugosllave si dhe nga FIFA dhe në mënyrë të veçantë situatën e vështirë politike në të cilën gjendej Kosova, e kisha të qartë se duhej menduar mirë e seriozisht përpara se të hidheshim në këtë “aventurë”. Remziu m’u përgjigj se federata e Kosovës i kishte marrë parasysh të gjitha problemet që ata mund të ndeshnin me autoritetet serbe dhe ishin shumë të vendosur të luanin ndeshjen e tyre të parë ndërkombëtare. Ëndrra e tyre kishte tejkaluar pengesat si dhe pasojat serioze që mund t’ju shkaktonte kjo ndeshje. Kishim shumë detaje për të diskutuar përpara se të arrinim te ndeshja. Megjithatë, një gjë ishte e qartë: s’kishte kthim mbrapa. Për këtë arsye vendosëm, që rreth dy javë më vonë, të takoheshim në Maqedoni. Duhet të ketë qenë fundi i dhjetorit (më mungon data e saktë), kur u takuam me Remziun në hotelin “Grand” në Shkup. E kujtoj me mall dhe emocion atë mbrëmje. Ai shoqërohej nga një prej trajnerëve më të mirënjohur shqiptarë dhe njeriu i mirë Ajet Shosholli si dhe disa përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës. Siç thuhet, aventura fillon aty ku përfundojnë planet; në përfundim të atij takimi vendosëm organizimin e ndeshjes në Shqipëri. Nuk diskutuam për datën e ndeshjes mbasi duhet të merrja më parë konfirmimin nga trajneri i Kombëtares, Bejkush Birçe. Për këtë arsye menduam të takoheshim përsëri, por kësaj radhe në Tiranë.

Takimi u realizua në datën 20 janar 1993, në zyrat e FSHF-së poshtë shkallëve të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” (sa histori ai stadium…). Të pranishëm nga federata e Kosovës ishin Ajet Shosholli, Enver Nuredini dhe Sejdi Merkoja dhe nga federata jonë: isha unë, Gjergj Thaka, Bejkush Birçe, Edmond Gëzdari, asokohe drejtori teknik i FSHF-së. U vendos që ndeshja të luhej në datën 14 shkurt 1993. Tri ditë përpara takimit të 17 shkurtit 1993 që Kombëtarja do të luante kundër Irlandës së Veriut për kualifikueset e Kampionatit Botëror 1994. Gjithashtu u vendos që përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillonte dhe një ndeshje tjetër, më 16 shkurt, në Patos ndaj ekipit vendas “Albpetrol”, që në atë kohë ishte finalist i Kupës së Shqipërisë. Në fund të mbledhjes hartuam dhe një procesverbal, si një dokument historik që do të “vuloste” këtë ngjarje të rëndësishme kombëtare. Edhe njëherë tjetër futbolli do të dëshmonte se ishte një pararendës i atyre ngjarjeve të bukura që do të vijonin më pas e në të cilat ai do të ishte përsëri i pranishëm.

NOA

Takimi i parë u luajt në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Rezultati nuk ishte aspak i rëndësishëm. Ai ishte një takim i shumëpritur dhe një moment historik për futbollin tonë në të dy anët e kufirit. Nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli, ishte një takim vëllezërish i realizuar për herë të parë e jo me lehtësi dhe një ngjarje që do të hynte në histori, si e para ndeshje ndërkombëtare e përfaqësueses tjetër shqiptare, Kosovës. A nuk mund të ishte më mirë e më bukur se ndaj Shqipërisë? Ishte gjithashtu historike, se në këtë takim morën pjesë dhe e ndoqën atë edhe përfaqësues nga Lidhja Shqiptare e Futbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dy ditë më vonë, më 16 shkurt 1993, përfaqësuesja e Kosovës zhvilloi dhe ndeshjen me “Albpetrolin” duke e fituar 3-2. Mirënjohje kryetarit të parë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyqit, kolegëve të tij të kryesisë, si dhe futbollistëve e teknikëve kosovarë, të cilët me shumë kurajë sfiduan autoritetet serbe dhe bënë të mundur realizimin e këtij takimi historik.