Barcelona përgatit ofertë të re për Neymarin

443
Sigal

Barcelona mbetet e përkushtuar ta kthejë yllin e Paris Saint-Germain, Neymar, në Camp Nou dhe do ta bëjë një ofertë të re dhe të përmirësuar në afatin kalimtar të verës 2020.

Braziliani u përfshi në një saga të gjatë këtë verë, por PSG-ja përfundimisht e refuzoi ofertën e Barçës, me gjithë dëshirën e hapur të Neymarit për t’u kthyer te ish klubi, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Neymar ka vazhduar të bëjë paraqitje të shkëlqyera që prej rikthimit nga lëndimi në javët e fundit, dhe, sipas burimeve të afërta me klubin, Barça është e gatshme ta bëjë atë përsëri prioritet kryesor të klubit.

Gjatë kësaj vere, gjiganti katalonas ia doli ta përforcojë skuadrën me yje si Antoine Griezmann nga Atletico Madrid dhe Frenkie de Jong nga Ajax, por verën e 2020-es do të përqendrohen plotësisht vetëm në Neymarin.

Mësohet se Barcelona shpreson ta sigurojë gjysmën e shumës prej 222 milionë euro për transferimin e tij, përmes shitjes së lojtarëve.

Verën e kaluar, drejtori sportiv i PSG-së Leonardo kërkoi 222 milionë euro për Neymarin, por mbetet të shihet nëse kjo shumë do të mbetet e pandryshueshme.

Neymar do të jetë një vjet më i vjetër dhe me një vjet më pak në kontratë, edhe pse shumë mund të varet edhe nga forma e tij në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve.