Veliaj: Tirana është ringritur më e fortë e më e bashkuar se kurrë më parë

953
Sigal

“Krishtlindja e Tiranës sonë”. Koncert festiv në sheshin “Skënderbej” me veprat më të bukura të muzikës

Me një atmosferë festive dhe argëtuese për qytetarët e Tiranës, por edhe vizitorët e shumtë nga brenda dhe jashtë vendit, Tirana kremtoi mbrëmjen e sotme  vigjiljen e Krishtlindjes. Kastriot Tusha, Vikena Kamenica dhe orkestra filarmonike e Universitetit të Arteve “Ibrahim Madhi”, nën dirigjimin e Gridi Krajas, interpretuan veprat më të bukura të muzikës shqiptare dhe botërore klasike. Të pranishmit që kishin mbushur sheshin “Skënderbej” i përshëndeti kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha se pas tërmetit, Tirana i është rikthyer normalitetit.

“Kishim shumë nevojë që qyteti të kthehej në normalitet, që të kuptojmë se ka ardhur koha që edhe të gëzojmë. Kishte një moment hidhërimi, vështirësie, sfide, por ka edhe një moment për të ngritur kokën, për t’u përqafuar, për t’i kujtuar njëri-tjetrit që jeta vazhdon edhe me më shumë forcë, pasion dhe energji pozitive. Ndonjëherë, shumë gjëra që ne i ndërtojmë me mund gjithë jetën, mund të na prishen përpara syve në pak sekonda. Tërmeti në fakt na tregoi ekzaktësisht këtë. Plaçkat, katandia, gjërat fizike, janë gjëra që prishen. Por, ama gjithashtu, kuptuam se ka disa gjëra që nuk prishen kollaj: Ajo që dimë dhe ajo që duam nuk prishet. Faleminderit nga zemra dhe në emër të familjes time, të Ajolës, të Kajos, ju urojmë gëzuar festat. Shumë faleminderit të gjithëve”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se Tirana di gjithmonë të ngrihet me më shumë forcë dhe energji pas çdo sfide. “Në këtë sfidë të madhe që kaluam në vitin e fundit të shekullit të parë të Tiranës si kryeqytet, mësuam që vërtet kombet nuk maten nga sa herë rrëzohen, por nga sa shpejt ngrihen; qytetet gjithashtu, maten nga sa shpejt ngrenë kokën, rikuperojnë energjinë, përqafojnë njëri-tjetrin dhe ecim përpara. Unë jam sot krenar që Tirana është ringritur dhe pavarësisht se nuk kemi zgjidhur çdo problem me sfidën që sapo kaluam, jam i bindur se edhe këtu brenda nesh, edhe në këtë orkestër, edhe këtu në këtë shesh, ka njerëz që akoma kanë shtëpi të dëmtuara, ka ndoshta nga ata që janë akoma diku me qira. Por, di t’ju them këtë, me kaq dashuri dhe me kaq energji pozitive që ka Tirana, e sigurt që do të ngrihemi më të fortë dhe më të bashkuar e më solidarë se kurrë më parë”, tha ai.

Kryebashkiaku deklaroi se Tirana vjen në këtë 100 vjetor të saj si një qytet ku çdokush mund të gjejë veten, ndërsa siguroi se ky shekull i dytë që po vjen me energji pozitive do ta gjëjë Tiranën si një nga qytetet më të mira në rajon. “Tirana ka vend për të gjithë. Ka vend për njerëz që kanë ngjyra të ndryshme të lëkurës, bindje të ndryshme politike, fe të ndryshme, pasione të ndryshme dhe punë të ndryshme. Tirana mbush 100 vjet vitin tjetër, në 2020. Është shekulli ynë i parë, për moshën e qyteteve është vetëm fillimi. Ndaj mezi pres që të gjithë bashkë me këtë energji pozitive të hyjmë në shekullin e dytë të Tiranës si kryeqytet, jo vetëm si qyteti më i mirë në Shqipëri, po edhe ndoshta si një nga qytetet më të mira në rajon. Jam i bindur se bashkë, si një familje e madhe, njerëzit që keni në krahë, majtas, djathtas, para, mbrapa, nuk janë të panjohur, janë pjesë e asaj që quhet familja e madhe e Tiranës tonë”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë i shprehu mirënjohjen edhe të gjithë atyre që këto ditë festash apo sfidash janë në krye të detyrës, duke shërbyer për njerëzit. “Dua sot t’ju dërgoj një përshëndetje të veçantë atyre njerëzve që ndoshta i shohim përditë, por harrojmë t’ju themi faleminderit; atyre që punojnë në spitale, që janë policë, ushtarakë, Shërbimet e Emergjencës, Shërbimet e Zjarrfikëses, mësuesve, edukatorëve, dhe në momentet e vështira harrojmë që edhe ata kanë familje. Por ama shohim te këta, dikë që duhet të na shërbejë edhe ne, përtej familjes së tyre”, shtoi Erion Veliaj.