Astrit Hafizi: Broja është i talentuar, nuk duhet që ta humbasim

43

KOMBËTARJA/ Flet për “Telegraf” ish-trajneri kuqezi, Astrit Hafizi, kërkon kujdes në angazhimin e lojtarëve

Sigal

Agron Kaja

Kombëtarja do përgatitet për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Europian, cilën e shikoni më të vështirën?

Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, vetë renditja i bën të rëndësishme dhe të vështira të dyja ndeshjet e radhës. Nëse me Moldavinë marrim sikur barazimin, kualifikimi është i mbyllur, por edhe tri pikët me Ishujt Faroe na sigurojnë plotësisht.

Me vdekjen në fushë të sulmuesit të Egnatias, Rafael Duamena, kjo situatë do ketë ndikim te Kombëtarja?

Nuk mendoj se do ketë, sepse në Kombëtare luajnë futbollistë jashtë kampionatit shqiptar. Natyrisht që edhe ata e kanë mësuar këtë vdekje të paralajmëruar të Duamenës, por që ndikim të drejpërdrejtë nuk do ketë.

Trajneri Silvinjo ka grumbulluar 24 lojtarë, mendoni se janë më në formë për këto dy sfida?

Këta lojtarë që Silvinjo ka grumbulluar për këto dy ndeshje, unë mendoj se ata  kanë luajtur më shumë, kryesisht në katër-pesë ndeshjet e fundit. Ky grup është i plotë dhe mjaftueshëm për objektivin që ka Kombëtarja në këto dy ndeshje.

Çfarë mendoni se do të bëjë Kombëtarja në këto ditë përgatitore?

Programi është detajuar nga stafi teknik. Sepse lojtarët vijnë nga ngarkesat në ndeshjet me skuadrat e tyre, dhe më shumë do ketë punë në anën tekniko-taktike. Kështu bëhet më mirë edhe harmonizimi i grupit, ky është synimi kryesor.

Armando Broja po bëhet çështje, e shikon afër apo larg Kombëtares?

Armando Broja është një sulmues i rrallë dhe me standard të lartë, është i  talentuar dhe nuk duhet ta humbasim. Mendoj se Silvinjo duhet ta kishte pranë me grupin. sepse luajti në fundjavë me Çelsin, madje u bë protagonist për barazimin.

Dje nisi me mungesa dita e parë stërvitore në grumbullim, janë shqetësuese?

Unë mendoj se mungesat e djeshme janë brenda normales. Sepse duke qënë në aktivitet të plotë me klubet ku luajnë, nuk janë të imunizuar nga problemet fizike e dëmtimet. Trajneri ka në dispozicion 24 lojtarë e mes tyre bëhen zgjedhjet.

E mendoni se në Moldavi jemi 90 minuta larg kualifikimit në Europian 2024?

Janë të tre rezultatet në sfidën me Moldavinë, dhe llogaritë e kualifikimit mundet të mbyllen që aty. Është e pamundur që skuadra jonë të mos marrë sikur 1 pikë në dy ndeshje, ndaj them se kujdesi i kualifikimit do jetë parësor.

Si e mendoni formacionin titullar të Kombëtares, së pari kundër Moldavisë?

Trajneri i referohet më shumë gjendjes fizike të lojtarëve, por edhe aktivizimit të tyre në ndeshjet me klubet. Mendoj se bazë e formacionet në këto dy ndeshje do jenë ata futbollistë, që luajtën në fitoren ndaj Çekisë, ndoshta me ndonjë ndryshim të vogël.

Asllani ka probleme, në dyshim për Moldavinë

Mesfushori Kristjan Asllani do të punojë i diferencuar, sepse jo gjithë grupi i lojtarëve që ai ka thirrur në grumbullim janë të gatshëm plotësisht. Në vendin e tij Silvinjo ka marrë mesfushorin Medon Berishën, i cili është pjesë e U 21 dhe luan për Leçen në Serinë A. Nuk dihet nëse Silvinjo do e marrë Asllanin në Moldavi.

LOJTARËT E GRUMBULLUAR

PORTIERË: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati.

MBROJTËS: Elseid Hysaj, Ivan Balliu Kampenj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Frederik Veseli, Mario Mitaj.

MESFUSHORË: Ylber Ramadani, Kristjan Asllani?, Keidi Bare, Klaus Gjasula,

Qazim Laçi, Nedim Bajrami.

SULMUES: Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Jasir Asani, Arbnor Muja,

Arbnor Muçolli, Sokol Cikalleshi, Mirlind Daku.

 

“EURO 2024” / SHQIPËRIA

GRUPI E

NDESHJET E LUAJTURA

Poloni-Shqipëri              1-0

Shqipëri-Moldavi           2-0

Ishujt Faroe-Shqipëri     1-3

Rep. Çeke-Shqipëri        1-1

Shqipëri-Poloni              2-0

Shqipëri-Rep. Çeke        3-0

BILANCI I SHQIPËRISË

Nd 6, F 4, B 1, H 1, Golat 11:3

 

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Shqipëria           6        13

2.Rep. Çeke                   6        11

3.Polonia              7        10

4.Moldavia           6        9

5.Ishujt Faroe       7        1

 

DO TË LUHEN

E premte, datë 17.11.2023

Moldavi-Shqipëri           18:00

E hënë, datë 20.11.2023

Shqipëri-Ishujt Faroe     20:45

Ajeti mungesa e radhës, vjen Mersinaj

Në listën e Kombëtares për dy ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, FSHF-ja bëri të ditur dje se mbrojtësi Arlind Ajeti nuk do të jetë i gatshëm për këto dy sfida për shkak dëmtimi. Në këto kushte, trajneri Sylvinjo ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin Jon Mersinaj, i cili pritet që të bashkohet me ekipin sa më parë. Kjo është një mungesë serioze për Kombëtaren, pasi Ajeti tregoi një formë të shkëlqyer në fitoren me republikën Çeke.

RASTI I DUEMANËS DHE REALITETI

FSHF e sanksionon dhomën mjeksore me Defibrilator

Java e 13-të e Abissnet Superiore 2023-2024 nisi me një ngjarje tragjike. Kapiteni i Egnatias, Rafael Duamena, humbi ndjenjat në minutën e 24-t në ndeshjen me Partizanin, dhe më pas humbi jetën. Gatishmëria mjekësore në stadium ishte për t‘u vlerësuar, por pa mundur që t’i shpëtohej jeta. Po cilat janë masat mjekësore në Superiore, dhe çfarë thotë rregullorja e FSHF-së? Në rregulloret e saj, ajo ka të sanksionuar disa masa mjekësore, ku kryesisht në Rregulloren e licencimit të klubeve kërkohet “dhomë mjekësore me defibrilator”. Në rregulloren e veprimtarisë futbollistike 2023-2024, në nenin 8, pika 4, shkruhet: “Klubi pritës është përgjegjës për zbatimin e rregullores mjekësore të FSHF-së”.

RREGULLORJA

Rregullorja parashikon se, çdo aplikant për licencën e FSHF-së duhet të sigurojë që të gjithë lojtarët e zgjedhur për të luajtur për skuadrën e parë, t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor të përvitshëm. Në çdo stadium duhet të ketë dhomë mjekësore të pajisur me defibrilator. Në nenin 50 të Rregullores së FSHF-së thuhet se: “Listat duhet të shoqërohen me konfirmimin nga mjeku i ekipit se të gjithë lojtarët kanë kryer ekzaminimet mjekësore të nevojshme. Mjeku i ekipit mban përgjegjësi për garantimin e kryerjes së ekzaminimeve nga lojtarët”.