Artan Mergjyshi: Skuadrat janë brenda pritshmërive, Bylisi kampion dimri

32

KATEGORIA E PARË/ Ja si e shikon Artan Mergjyshi rrugëtimin e kësaj kategorie në 15 javë

Sigal

Agron Kaja

Agron Kaja

“Të gjitha skuadrat janë brenda pritshmërive. Madje Bylisi e ka bërë si rrugë të shtruar Kategorinë e Parë me hyrje e daljet, ndërsa AF Elbasani është shfaqur me organizim e përbërje të mirë.”

Java e 15-të e Kategorisë së Parë u luajt në dy ditë, 10 dhe 11 dhjetor 2023 duke e mbajtur të palëvizur renditjen e skuadrave, nga kreu e në fund. Në këtë javë, skuadrat treguan oshilacione në lojën e tyre, dritëhije që u refletuan edhe në rezultate, ashtu edhe në renditjen e tyre. Por specialisti i futbollit Artan Mergjyshi  mendon se skuadrat janë profilizuar përsa kanë dhënë në këto javë të luajtura. “Nisur nga rezultatet dhe renditja aktuale në këto 15 javë, mendoj se pak a shumë janë profilizuar skuadrat. Të gjitha janë brenda pritshmërive, ku Bylisi dhe AF Elbasani u nisën si pretendentë dhe aty janë. Madje Bylisi e ka bërë si rrugë të shtruar Kategorinë e Parë me hyrje e daljet, ndërsa Elbasani është shfaqur me organizim e përbërje të mirë. Në grupin e katër skuadrave të para, Flamurtari duhet të ishte më lart në renditje, por tregoi oshilacione me një grup ende të pa konsoliduar. Vora u nis si prentendente me organikë të mirë dhe është brenda pritshmërive. Por nuk mund të vish direkt nga Kategoria e Dytë në Superiore dhe ky edicion po i shërben për t’u përshtatur më mirë me rrugëtimin në elitë”, kështu e mendon aktualitetin e 15 javëve Artan Mergjyshi, i cili rendit edhe skuadra të tjera si premtuese për kreun. “Edhe Apolonia është një skuadër premtuese dhe me elementë të rinj e konkurrues, dhe kështu mendoj edhe dy apo tre skuadra të tjera. Të gjitha skuadrat duan që ta mbyllin në mënyrën më të mirë gjysmën e parë të sezonit dhe java e 16-të besoj se do të sjellë lëvizje të vogla në renditje, por fundin e kreun do ta ketë të palëvizshëm”. Kategoria e Parë ka edhe një ndeshje pa u luajtur, AF Elbasani-Bylisi, për të cilën specialisti Mergjyshi e mendon Elbasanin  favorit, por që sipas tij, Bylisit nuk do ia prishë pozitat në kreun e renditjes. “Java e 16-të do ta pozicionojë Bylisin si kampione të dimrit, si do që të dalë sfida e prapambetur AF Elbasani-Bylisi. Ndërsa Elbasani kështu do ta ndjekë skuadrën ballshiote deri në fund, pasi e kanë treguar në këto javë të luajtura se janë rivalë të denjë mes tyre. Por Nuk mendoj ndryshim në katër skuadrat e fundit të renditjes: Burreli, Tomori, Besa dhe Luzi 2008. Duke qënë se janë të pozicionuara në zonën e ftohtë të renditjes, lufta mes tyre për mbijetesë do jetë edhe më e ashpër, në kuptimin sportiv. Gjithsesi, duke qëndruar te java që sot i luan të gjashta ndeshjet, pres edhe ndonjë rezultat surprizë”, ishte ky mendimi i Artan Mergjyshit për situatën e skuadrave në Kategorinë e Parë.

Sot, KREU në “TEST”

KUKËSI-PARTIZANI 13:30

Aksi Durrës-Kukës, në ndjekje të kreut

Kukësi luan sot sfidën e fundit të vitit 2023 në stadiumin e tij, dhe pret Partizanin me pretendime që të kapë kreun e renditjes brenda vitit 2023. Te skuadra kuksiane pritet që në formacionin titullar të jenë shtatë lojtarë të huaj, të cilët nën drejtimin e Stavri Nicës janë integruar mirë me skuadrën. Në përballjen e fundit ndaj Erzenit u aktivizuan pesë prej tyre si titullarë, aq sa e lejon edhe rregullorja e garës. Ndërsa sot, mesfushorët Abdou Mbarak, Mateus Mota dhe Daniel Momoh, mendohen titullarë pas paraqitjeve të mira në kampionat. Edhe Mbarak dhe Momoh do jenë bazë e në përballjen me Partizanin, duke e shtuar numrin e të huajve që mund të jenë të gatshëm për trajnerin Stavri Nica.

DINAMO CITY-EGNATIA 17:00

Dinamo ka fat në Durrës, Egnatia me dilema

Sot, Dinamo City si skuadër pritëse do të udhëtojë në Durrës për të luajtur në stadiumin “Niko Dovana” për sfidën me Egnatian. Deri tani, blutë kanë luajtur dy ndeshje si pritës në Durrës dhe në të dyja rastet kanë fituar. Ndeshja e parë ishte me Erzenin 1-0, dhe e dyta me Laçin 2-0. Stadiumi i Durrësit, të paktën deri tani, duket se u sjell fat dinamovitëve, ndërkohë që Egnatia ka dilema për formacionin në këtë sfidë. Mbrojtësi Arben Xhemajli nuk do të luajë për shkak pezullimi, ndërsa Stiven Janku pritet të rikthehet në mbrojtje si titullar, së bashku me Fangaj. Sot në “Niko Dovana” pritet një përballje interesante, pasi të dyja ekipet kanë ambicie për pikët e plota, për ta mbyllur vitin 2023 me tri pikë.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 16 

Të shtunën, 16 dhjetor 2023

Korabi-Bylis                13:30

Luzi 2008-Kastrioti     13:30

Tomori-Vora               13:30

Flamurtari-Lushnja      13:30

Burreli-Apolonia                     13:30

AF Elbasani-Besa                    17:00

Ndeshja e prapambetur

E enjte, 21 dhjetor 2023

AF Elbasani-Bylis                   17:00

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Bylis (-1)                  14        38

2.AF Elbasani (-1)      14        32

3.Flamurtari                 15        27

5.Vora             15        27

4.Apolonia                  15        26

6.Korabi                      15        20

7.Lushnja                    15        18

8.Kastrioti                   15        15

9.Burreli                      15        12

10.Besa                       15        11

11.Tomori                    15        10

12.Luzi 2008   15        9

AF Elbasani e Bylis, mëndjen te 21 dhjetori

Java e 16-të e Kategorisë së Parë i luan sot të gjashta ndeshjet. Nga kreu në fund, të gjitha janë sfida të vështira, ku nga dy kryesueset më të favorizuar shikojnë AF Elbasanin, që pret Besën, ndërsa Bylis luan transfertë të vështirë në Peshkopi. Por më i komplikuar duket fundi i renditjes, ku Luzi 2008 pret Kastriotin për tri pikë të daljes nga fundi i renditjes. Tomori pret në Berat Vorën ambicioze për t’u ngjitur në kryesim dhe Burreli pret Apoloninë, sfida që më shumë favorizojnë udhëtueset. Në Vlorë, Flamurtari-Lushnja në letër duket si “kryesfidë” e javës, pasi lushnjarët po tregojnë ngjitje në renditje.