KATEGORIA E PARË/ Flet për “Telegraf” Artan Mërgjyshi, e quan rast unik ikjen pas fitores e rezultateve të mira
Agron Kaja

Java e 8-të në Kategorinë e Parë ka sjellë në skenë edhe “sëmundjen” e vjetër me bankinat, me të cilën Superiorja po vuan që nga java e dytë. Por ndryshe ndodh në Kategorinë e Parë, ku largimet e trajnerëve kanë edhe çudinë nga pas, sepse ata largohen edhe kur kanë fituar, apo barazuar. Pas largimit të Bledar Devollit nga bankina e Luzi 2008, Artan Mergjyshi largohet nga Vora pas fitores 3-0 në transfertë me Kastriotin, ndërsa Klodian Arbri largohet nga Tomori pas barazimit 2-2 me Besën. Dje, Artan Mergjyshi tregoi për gazetën “Telegraf” se largimi kishte ardhur pas një kompromisi, që sipas tij i referohej këndvështrimeve ndryshe për lojën. “Unë u largova nga bankina e Vorës pa shkak, kur punët ishin në terezi. Pas fitores me Kastriotin në javën e 8-të, zhvillova një bisedë me drejtuesit e klubit dhe vendosëm të dy palët të ndërprisnim bashkëpunimin. Nuk na puqeshin idetë për lojën e vazhdimësinë, duke patur këndvështrime të ndryshme. Unë i falenderova për bashkëpunimin që nisi nga sezoni i kaluar në Kategorinë e Dytë, ndërsa ata e vlerësuan punën time deri tani, si dhe rezultatet e Vorës në drejtimin tim”, kështu e nisi fillimisht bisedën ish-trajneri i Vorës, Artan Mergjyshi, i cili largimet e trajnerëve në fillim apo në mesin e kampionatit i shikon si veprime, që nuk i shkojnë në të mirë futbollit. “Trajnerin thonë që e mban rezultati, por ka raste unike si ky imi që pas fitores e rezultateve të mira, të largohem! Është e pakuptimtë kjo që ndodh dhe në këndvështrimin tim, nuk shkon në trajningun e futbollit, që kërkojmë të kapim. Por, kështu funskionon futbolli shqiptar, ndërsa skuadrës së Vorës unë i uroj suksese, sepse është një ekip cilësor dhe ka mundësi të bëjë rezultate të mira, ndoshta të ngjitet në Superiore në sezonin tjetër. Suksesi i ekipit të Vorës është njëkohësisht dhe imi, dhe kam shumë besim se janë të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë mision”. Në Kategorinë e Parë të këtij sezoni janë luajtur tetë javë, por janë larguar tre trajnerë, konkretisht: Bledar Devolli nga Luzi 2008 dhe në vendin e tij erdhi Xhevair Kapllani, Artan Mergjyshi nga Vora dhe Klodian Arbri nga Tomori. Një “Trendi” që me këtë ritëm ndoshta edhe në kategori do të arrihet “rekordi” i Superiores, ku në nëntë javë janë larguar gjashtë trajnerë, madje edhe me probleme gjyqësore, siç është rasti i Orges Shehit me Tiranën.
Datëlindje dhe premtim, në 100 vjetor, Besa me stadium të ri
Ditën e mërkurë është festuar 98 vjetori i krijimit të KS Besa të Kavajës, një nga skuadrat më të vjetra dhe me histori në futbollin shqiptar. Por veç këtij përvjetori, me interes për Besën e qytetin e Kavajës ishte lajmi se do të rindërtohet stadiumi, dhe përurimi i tij do të bëhet dy vite më pas, në 100 vjetorin e klubit. Kështu, pas dy viteve do marrin fund shëtitjet e skuadrës nëpër stadiumet e Shqipërisë.
TRAJNERËT E LARGUAR
Në tetë javët e para të Kategorisë së Parë, këta janë trajnerët e larguar: Bledar Devolli nga Luzi 2008, Artan Mërgjyshi nga Vora dhe Klodian Arbri nga Tomori.
KATEGORIA E PARË
NDESHJET, JAVA 9
Të shtunën, 29 tetor 2023
Apolonia-Bylis 14:00
Besa-Luzi 14:00
Burreli-Flamurtari 14:00
Lushnja-Kastrioti 14:00
Vora-Korabi 14:00
AF Elbasani-Tomori 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Bylis 8 21
2.Apolonia 8 17
3.AF Elbasani 8 16
4.Flamurtari 8 15
5.Vora 8 15
6.Korabi 8 11
7.Tomori 8 10
8.Kastrioti 8 9
9.Lushnja 8 7
10.Besa 8 5
11.Burreli 8 4
12.Luzi 2008 8 2