Qeveria e Kosovës: Kurti ofroi nënshkrimin e marrëveshjeve, Vuçiç refuzoi

51
Sigal

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për shtyp ka dhënë detaje mbi takimin mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel (26 tetor) me liderët evropianë në kuadër të dialogut.

Sipas qeverisë së Kosovës Kurti ka ofruar nënshkrimin e tij për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, përfshirë edhe draftin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10, por është refuzuar nga Aleksandër Vuçiç.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

“Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet tutje në komunikatë.

Më tej, në deklaratën e qeverisë, bëhet e ditur se Kurti e ka falëndëruar pesëshen evropiane për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ka kërkuar edhe sanksione ndaj Serbisë.

“Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë”.

“Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin”.

“Në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha: Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”, thuhet në komunikatë.