KOMBËTARJA/ Nisën dje përgatitjet anti-Serbi, ish-mesfushori kuqezi Artan Bano analizon situatën
LISTA E GRMBULLIMIT
Portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni
Mbrojtësa: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Enea Mihaj, Klisman Cake
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani
Sulmuesa: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rei Manaj, Mirlind Daku

Serbia bën ndryshime në listë, shton dy emra të rinj
Trajneri Dragan Stojkoviç ka bërë ndryshime në listën paraprake për ndeshjen me Shqipërinë, fton dy emra të rinj. Vanja Dragojeviç dhe Lazar Rangjeloviç morrën ftesën nga trajneri, ndërsa kombëtarja serbe filloi përgatitjet për ndeshjen kyçe në kualifikueset e Kupës së Botës kundër Shqipërisë në Leskovac, të shtunën 11 tetor.
“E gjithë vëmendja e shqiptarëve këtu në Shqipëri, në Kosovë dhe diasporë, ka shumë vëmendje për ndeshjen me Serbinë”, kështu e nisi dje bisedën Artan Bano, ish-mesfushor i Kombëtares sonë, i cili më pas për gazetën “Telegraf” tregoi edhe arsyet, por edhe mundësitë që kjo ndeshje të fitohet nga kombëtarja jonë. “Është një atmosferë shumë e ndezur, por që ekipi ynë duhet të jetë i shkarkuar nga ana psikologjike. Sepse si ballkanas që jemi, dëshira për ta fituar këtë sfidë e bën më të madhe ngarkesën emocionale të lojtarëve. Kjo ndikon në mbarëvajtjen e ndeshjes, dhe unë mendoj se nga ana e lojtarëve dhe e trajnerëve, kjo të trajtohet si ndeshja e radhës. Duhet që të jemi të kujdesshëm në 10-15 minutat e para të ndeshjes, sikundër edhe në takimin e muajit qershor këtu në Tiranë (0-0). Nëse do kemi këtë mentalitet, do dalim me sukses, sepse në ndeshjet e deritanishme, më profesionale ka qënë ndeshja me Serbinë këtu në Tiranë. Natyrisht që duhet të kemi edhe fatin brënda”. Nga ana tjetër, ish-mesfushori kuqezi kërkon që edhe Serbia të na trajtojë si kundërshtarë në fushë, jo si armiq. “Ka shumë rëndësi që edhe psikologjia e kundërshtarit, Serbisë, të jetë e përqëndruar te fusha e lojës. Nuk duhet që të na trajtojnë si armiq, por vetëm si kundërshtarë në fushën e lojës”. Ndërkohë që për listën e lojtarëve që ka menduar të grumbullojë trajneri Silvinjo, Artan Bano ka edhe emra që mund të ishin, por ai thekson se trajneri është treguar besnik tek ata lojtarë që ka aktivizuar në ndeshjet e fundit. “Kjo lista që publikoi trajneri Silvinjo, mendoj se ka specifikën e saj, sepse i fundit që vendos është ai. Kushdo që të jetë emër tjetër, trajneri do ishte i paragjykuar, ndaj në këtë moment nuk duhet të luajmë me emrat e munguar, por vetëm loja dhe fitorja jonë. Edhe këtë herë, trajneri është treguar besnik i lojtarëve që ka patur në ndeshjet e fundit, e ndjen përgjegjësinë e ndeshjes se duhen futbollistë të provuar dhe me karakter. Por them se Muçi me Mehmetin duhet të ishin thirrur”. Me Serbinë kemi bilanc të barabartë në tre ndeshje, por Bano mendoni se ky bilanc do të kthehet në favorin tonë pas sfidës së Leskovacit. “Jemi ndeshur 3 herë me Serbinë, 1 fitore jona në tavolinë, 1 barazim dhe 1 humbje, por në Leskovac unë shpresoj që ky bilanc të ndryshohet me një fitore për ne. Në futbollin modern nuk ka diferenca ekip i vogël, ekip i madh. Serbia ka futbollistë cilësorë, por edhe tek ne ka shumë të tillë, dhe mendoj se ata do t’ia dalin”, ishte kjo analiza e ish-mesfushori kuqezi Artan Bano, në prag të ndeshjes me Serbinë.
NDESHJET ME SERBINË
Datë 14 tetor 2014
Serbi-Shqipëri 0-3
(Rezultat në tavolinë)
Datë 8 tetor 2015
Shqipëri-Serbi 0-2
Datë 7 qershor 2025
Shqipëri-Serbi 0-0
BILANCI
Nd 3, F 1, B 1, H 1, G 3-2
Kualifikueset-Botërori 2026
Shqipëria në Grupin K
Ndeshjet e luajtura
Angli-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Andorra 3-0
Shqipëri-Serbi 0-0
Letoni-Shqipëri 1-1
Shqipëri-Letoni 1-0
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Anglia 5 15
2.Shqipëria 5 8
3.Serbia 4 7
4.Letonia 5 4
5.Andorra 5 0
Ndeshjet që do të luhen
Datë 11 tetor 2025
Serbi-Shqipëri 20:45
Datë 13 nëntor 2025
Andorra-Shqipëri 20:45
Datë 16 nëntor 2025
Shqipëri-Angli 18:00
FLASIN LOJTARËT QË “ZBARKUAN” TË PARËT
Qazim Laçi: E kemi në dorën tonë

Mesfushori Qazim Laçi dje deklaroi se me Serbinë do jetë një ndeshje e fortë dhe me emocione, njëherësh u shpreh se si do fitojmë. “Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, vendimtare ashtu siç thonë të gjithë. Ne jemi profesionistë, jemi mësuar me presionin, secili te ekipi i vet. Objektivi është të marrim 3 pikët, sepse është shumë e rëndësishme për ëndrrën në Botëror, kështu duhet ta përgatisim në mënyrën më të mirë për të marrë fitoren. E kemi në dorën tonë, do futemi nga minuta e parë për të fituar. Statistikat ua lemë juve, ne presim ndeshje të fortë dhe do përgatitemi për ta fituar”.
Julian Shehu: Në Serbi për tri pikët

Juljan Shehu, mesfushori i Kombëtares, dje në konferencën për mediat u shpreh se janë të përqëndruar për të shkuar dhe marrë 3 pikët, pasi duan të mbajnë gjallë ëndrrën për Botërorin. “Jemi futbollistë profesionistë dhe presioni për ne është gjë normale. Është ndeshje e rëndësishme për ne, shkojmë për të marrë maksimumin e mundshëm. Është e rëndësishmë që të jemi të fokusuar dhe përqëndruar për këtë ndeshje, sepse do shkojmë atje për të marrë 3 pikët. Kjo është më e rëndësishmja për ne, pavarësisht fushës dhe stadiumit. Është ndeshje e rëndësisë së madhe, na mban gjallë ëndrrën për Botëror”.



















