Armando Vajushi “saldon” fitoren e Liteksit

331
Sigal

Për shkodranin ky ishte goli i tij i 9-të sezonal në Bullgari, po aq sa tiranasi Jurgen Gjasula

Armando Vajushi hodhi firmën e tij në fitoren e thellë 3-0 të Liteks Loveçit ndaj Lokomotiv Plovdiv në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të të grupit të skuadrave që luajnë për titullin kampion të Bullgarisë. Një gol i realizuar në minutën e 80-të, që kompletoi kështu “tripletën portokalli” të Liteksit, pasi më parë kishin shënuar Gil (46’) dhe Cvetkov (64’). Pasim i Xhordanit, portieri i Plovdivit, Gospodinov nuk reagoi si duhet dhe Armanud Vajushi, i pambuluar nuk e pati të vështirë për të shënuar nga një distancë e afërt. Për Vajushin ky ishte goli i tij i dytë gjatë këtij sezoni ndaj Lokomotiv Plovdiv dhe i nënti në kampionat, duke u barazuar kështu me mesfushorin tjetër shqiptar, Jurgen Gjasula. Edhe Gjasula pati minuta të plota dhe të mira në këtë ndeshje. Liteksi luajti me një formacion të qartë ofensiv, pasi trajneri hodhi tre sulmues. Vajusi ishte një rrezik konstant për portën kundërshtare. Sinjali i parë i tij ishte ai i minutës së 12-të, kur gjuajtja nga distanca e shkodranit përfundoi pak mbi shtyllën horizontale. Në minutën e 35-të, Vajushi edhe pse ishte në pozicion të mirë shënimi, nuk arriti të shënojë, pasi gjuajtja e tij u bllokua nga një mbrojtës kundërshtar. Armandoja mori pjesë në kombinacionet që sollën edhe dy golat e tjerë. Fitorja erdhi pas një serie prej pesë humbjesh rresht midis kampionatit dhe Kupës së Bullgarisë duke rikthyer kështu edhe buzëqeshjen e munguar në kampin e Liteksit. Me fitoren e djeshme, Liteks Loveç u ngjit në vendin e dytë me 61 pikë, pesë më pak se kryesuesi i kampionatit bullgar, Ludogoretc. Në Ligën e Europës marrin pjesë ekipet që renditen në vendet 2-3, si dhe gjithashtu fituesi i Kupës së Bullgarisë.

   Atdheu, pas Shqipërisë “tradhton” edhe Kosovën

 Pas Shqipërisë, Atdhe Nuhiu i mbyll derën edhe përfaqësueses së Kosovës. Sulmuesit të Shefield Uednesdej në Championship, kategoria e dytë angleze, refuzoi një ftesë të Kosovës, pasi synimi i tij është të jetë pjesë e rëndësishme e kombëtares së Austrisë. Shtatlarti me origjinë kosovare u shpreh se në Evropë ka shumë futbollistë të mirë që luajnë për përfaqësuese të tjera me synimin për t’u kualifikuar në Evropian ose Botëror, por një mundësi të tillë nuk ta jep Kosova. Nuhiu, i cili më herët ka veshur fanellën e ekipit U-21 të Austrisë, pret një ftesë nga trajneri Marcel Koller, për t’u bërë pjesë e skuadrës së parë. Të njëjtën gjë 24-vjeçari pati deklaruar disa vite më parë, kur i shënoi dy gola Shqipërisë në eliminatoret e Evropianit për 21-vjeçarët. Një nga arsyet kryesore pse Nuhiu ka refuzuar të veshë fanellën e kombëtares shqiptare është fakti se në Austri nuk lejohet dy-shtetësi, ndaj nëse do të merrte pasaportën shqiptare duhet të dorëzonte atë austriake.

Partizani, për rekord kundër Teutës

 Partizani ka më shumë se një arsye për të marrë rezultatin e radhës pozitiv në “Niko Dovana” ndaj Teutës. Sigurisht se në radhë të parë trepikëshi ndaj “djemve të detit” nevojitet për pjesëmarrjen në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm, por të kuqtë ruajtja e vazhdimësisë vlen edhe për të synuar thyerjen e rekordit prej 13 ndeshjeve radhazi pa humbje, që mbahet nga Skënderbeu. Partizani nën drejtimin e portugezit Marcio Sampaio nuk humbet prej nëntë ndeshjesh, duke koleksionuar katër fitore dhe pesë barazime. 15 herë kampionët e Shqipërisë ndodhen aktualisht në vendin e tretë më 44 pikë, dy më pak se Kukësi i vendit të dytë, 46. Në mbrojtje, repart ku aktivizohet edhe Prençi, rikthehen Rrahmani, Gëzim dhe Besnik Krasniqi, por 20-vjeçari siguron se, askush nuk e di nëse do të luajë titullar. Askush nga ne nuk e di nëse do të luajë titullar. Trajneri na e thotë formacionin vetëm dy orë para ndeshjes. Është e vërtetë që nuk kam luajtur shumë, por jam ndihmuar edhe nga fakti që jam aktivizuar rregullisht me përfaqësuesen U-21. Sa i përket të ardhmes, dëshira e Prençit është të jetë pjesë e projektit të të kuqve. Unë shpresoj të jem pjesë e projektit të Partizanit, që është një klub i madh, por jo gjithçka varet nga unë. Në përfundim të sezonit do të flas me drejtuesit për këtë çështje.

 Trajneri shqiptar i Anderlehtit belg është partizan i disiplinës së fortë në skuadër

  Besnik Hasi: “Mendoj 24 orë vetëm futboll”

 Besnik Hasi, trajneri shqiptar i Anderlehtit, skuadrës së famshme belge, po përpiqet të fusë idetë e tij. Gjatë një interviste për portalin Levif.be, ai tregoi edhe “sekretin” e punës së tij.

 – Çfarë lloj futbolli pëlqeni?

– Unë dua të luaj në funksion të lojtarëve të mirë, por gjithmonë duhet mbështetur në këto gjëra: organizimi, zotërimi i topit, disiplina. Është kjo ajo që unë dua të punoj. Një lojtar si Mati Suarez mund të vendos ndeshjen kur ai është në formë. Për këtë dua ta lë të lirë, por duhet të ndërtoj gjithashtu një ekip të ekuilibruar rreth atij. Kur ke në dispozicion një sulmues si Aleksandër Mitroviç, duhet ta lejosh të shpërthejë me pikat e tij të forta dhe ta bësh më të mirë. Këto janë specifikat e një ekipi, që përcakton në një farë mënyre dhe mënyrën mbi të cilën punohet.

– Kur jo morët detyrën e trajnerit, media afirmuan faktin që, aq sa Anderlehti, por dhe ju morët një rrezik të madh. Klubi, pasi që zgjodhi një trajner pa eksperiencë në një situatë të vështirë dhe ju, pasi nuk kishit veçse 11 ndeshje për të treguar vlerat tuaja. A i shihni gjërat ndryshe tani?

– Mund ta konsideroj edhe si risk, por dhe si një mundësi të bukur. Të jesh trajner i Anderlehtit është gjëja më e bukur që mund të jetë. E quaj logjike që, klubi mendoi për mua. Përndryshe, këto do të kishte zgjedhur? Një trajner që nuk dinte asgjë nga futbolli belg dhe që do të dështonte ta çonte ekipin në “play-off”? Unë e njoh ekipin, mentalitetin e lojtarëve dhe cilësitë e tyre. Unë besoj se, vetëm ai që mendon se unë kam rrezikuar shanset e mia për të qenë vetëm një trajner i përkohshëm nuk i sheh gjërat shumë larg.

– Kur morët drejtimin e skuadrës, ju deklaruat, se nëse lojtarët do t’iu ndiqni shumë gjëra të ishin akoma të mundshme. A bënë ata?

– Jemi në një rrugë të mbarë. Ekipi është më mirë i organizuar, më kolektiv. Ne punojmë ndryshe dhe lojtarët kanë filluar ta kuptojnë. Ata e dinë më mirë atë që duhet të bëjnë në disa lloj situatash, luajnë për të shprehur cilësitë e tyre dhe bëjnë më pak disa gjëra. Në këtë kuptim, ne jemi në një rrugë të mbarë,, është pozitive. Por, kjo duhet të përkthehet në rezultate.

Kosova bëhet edhe me Kombëtare femrash

 Kosova është me “oreks”. Pas ekipit të meshkujve, tani ka bëhet edhe me Kombëtare femrash. Federata e Futbollit të Kosovës e ka nisur seriozisht punën edhe për ndërtimin e Kombëtares së femrave, të cilat do të grumbullohen për herë të parë në Durrës nga data 9 deri në 12 prill. Trajnere e Kombëtares është përzgjedhur Afërdita Fazlia, e cila ka thirrur për të mbrojtur ngjyrat e fanellës kosovare 28 vajza, të gjitha pjesë e Kategorisë Superiore. Lajmin e grumbullimit të kombëtares së femrave e bën të ditur Federata e Futbollit të Kosovës. “Ky është një rast i mirë që ekipi përfaqësues i femrave të bëjë një parapërgatitje për ndonjë ndeshje eventuale miqësore apo pjesëmarrje në ndonjë turne”, theksohet në njoftimin zyrtar të FFK-së, që mesa duket nuk ka ende asnjë skuadër kundërshtare për ndeshjen debutuese të femrave.

 

Feston Bajern, dështon Barcelona

Real Madrid, Çelsi, Bajern Munih dhe Atletiko Madrid! Këto janë katër skuadrat gjysmëfinaliste të Ligës së Kampioneve, pas ndeshjeve të djeshme çerekfinale ku triumfuan Bajerni dhe Atletiko e Madridit, respektivisht ndaj Mançester Junaitid (3-1) dhe Barcelonës (1-0). Mançester Junaitid shënoi i pari me anë të Evra në minutën e 57-të, por pas vetëm 69 sekondash Bajerni barazoi me Manzukiçin. Tomas Myleri e çoi në 2-1 në minutën e 68-të, ndërsa Robeni fiskuar shifrat në 3-1 në të 76’, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 4-2 për kampionët në fuqi të Europës. Ndeshje dramatike në Madrid, atje ku Atletiko fitoi 1-0 ndaj Barçës.  Atletiko shënoi një gol të shpejtë në minutën e 5-të me anë të Koke, ndërkohë që David Vija goditi dy herë shtyllën. Shorti i gjysmëfinaleve do të hidhet të premten në selinë e UEFA-s.