Agron KAJA /Presidentët e klubeve, “kuzhinierë”dhe “ekspertë” të merkatos

608
KATEGORIA SUPERIORE/ Shifrat zyrtare të bëra publike nga klubet, duket sikur skuadrat shkrihen dhe nisin nga e para me afrimet!
Më në fund merkatua zyrtare e Kategorisë Superiore të futbollit shqiptar (në shqip quhet tregu i shit-blerjeve) e mbylli periudhën zyrtare të aktivitetit të saj, duke u publikuar shifra të cilat të joshin nga njera anë, por edhe të godasin nga ana tjetër. Të joshin se kësisoj duket sikur edhe në futbollin tonë po bëhet “gjëma” në kuptimin e lëvizjeve, ndërsa të godasin sepse cilësia në këtë treg duket shumë e ulët. Të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore u përfshinë në këtë treg, ku nuk munguan veç lojtarëve edhe trajnerët dhe që në total janë 242 lëvizje lojtarë-trajnerë, nga të cilët 102 lojtarë të larguar dhe 128 të afruar në skuadra, e mes tyre edhe 14 trajnerë. Kështu, nëse i referohemi vetëm shifrave të lëvizjeve, skuadra e Kukësit është “kampione” e merkatos pasi k bërë 34 lëvizje ku i janë larguar 14 futbollistë, ka afruar 18 të tjerë dhe ka zëvendësuar trajnerin. Të njëjta shifra në këtë merkato ka shënuar edhe skuadra debutuese për këtë sezon në Kategorinë Superiore, Tërbuni i Pukës, ku pasi ka larguar trajnerin Elvis Plori dhe ka ulur aty një tjetër shkodran, Samuel Nikën, i janë larguar 13 futbollistë nga sezoni i kaluar ndërsa ka marrë 19 futbollistë të tjerë. Tirana me 26 lëvizje, Bylis me 25 dhe Flamurtari me 23, janë skuadrat e tjera që në shifra kanë bërë shumë lëvizje. Gjithsesi, përpos shifrave duhet thënë se të gjitha lëvizjet e kryera në merkaton e verës në të gjitha skuadrat, ato janë ideuar e drejtuar nga presidentët e tyre, të cilët kësisoj po i quajmë si “kuzhinierët” e merkatos. Është mëse normale të ndodhë kështu, sepse “Njëshat” që kanë financat bëjnë ligjin kudo në Botën e futbollit, por me një të veçantë. Nëse do të ndalemi vetëm në Evropë në periudhën e merkatos, shohim e lexojmë në media se ata konsultohen me trajnerët, aq sa në Premier Ligën angleze shumë trajnerë janë edhe menaxherë në skuadrat respektive. Ndërsa në futbollin tonë presidentët e klubeve tashmë duket sikur janë bërë “ekspertë”të merkatos, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë stazh disa vjeçar në këtë post në Kategorinë Superiore. Ndërsa duke ju referuar CV-ve të tyre intelektuale e shoqërore, ka nga këta presidentë klubesh pa arsim të lartë, çka nënkupton bagazhin intelektual të tyre, ndërkohë që ka edhe nga ata me precedence penalë të mbyllura gjatë rrugës! Nuk është rasti të përmendim emra, por për një temë të tillë është shkruar edhe në të kaluarën këtu në gazetën “Telegraf” dhe e veçanta tek ata qëndron në “produktin” që përzgjedhin, sepse duke ju referuar emrave të merkatos të krijohet ideja sikur presidentët me njerën dorë largojnë lojtarë e trajnerë dhe me dorën tjetër i marrin ata brenda tregut shqiptar, më pak në tregun e huaj. Madje, në tregun shqiptar është zhvilluar thuajse 90% e kësaj merkatoje, duke bërë përjashtim përsëri skuadra e Kukësit që ka afruar 9 futbollistë dhe 1 trajner të huaj. Duke qëndruar pak më gjerë në anën cilësore të kësaj merkatoje, bazuar në emrat që skuadrat kanë “rrotulluar” mes njera-tjetrës si të larguar dhe të afruar, janë me pikatore ata lojtarë që i janë afruar kësaj merkatoje të Kategorisë Superiore në futbollin shqiptar. Dominon ky treg me Gërxhalliun, Bulkun, Gilman Likën e Bakajn te Tirana; Hristov e Salihi (nëse e vendos) te Skënderbeu; Sebino Plaku e Xhevair Sukaj te Partizani; Curri, Nexhipi e Peter Trap te Flamurtari; Franc Veliu e Polizoi Arbri te Vllaznia, ndërsa te skuadrat e tjera emrat e lojtarëve të afruar janë brenda qarkut të tregut të brendshëm që nuk bëjnë diferencën sikundër ata të përmendur më sipër. Kështu që edhe në këtë merkato është rishfaqur dukuria e zakonshme, ku futbollistë të veçantë ngrysen në një klub dhe gdhihen në një tjetër. Këto “çmenduri” ndodhin vetëm në futbollin tonë, pasi futbollistët shqiptarë që hyjnë në merkato rastis që të tregohen edhe të pabesë dhe dredharakë, ndërsa te trajnerët ky handikap nuk ekziston. Këto “varravingo” u mbyllën zyrtarisht të hënën në mesnatë, por nuk përjashtohet mundësia që të dëgjojmë edhe më pas për lëvizje të “nëndheshme” të bëra më parë e të konfirmuara në ditët e para të shtatorit ku Kategoria Superiore do të pushojë për 10 ditë pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të zhvillimit të dy ndeshjeve eliminatore të Kombëtares sonë për “Euro 2016”. E ndoshta pas kësaj mbylljeje zyrtare të merkatos së verës për sezonin futbollistik 2015-2016, FSHF-ja nuk do të bëjë një vesh shurdhë dhe një sy qorr për federimet e futbollistëve të veçantë.
SHIFRAT E MERKATOS
Skuadrat Lëvizje Lojtarë Trajnerë
Skënderbeu 14 -4+10 0
Kukësi 35 -15+19 -1+1
Partizani 16 -6+10 -1+1
Tirana 26 -12+13 -1+1
Laçi 12 -6+6 0
Flamurtari 25 -13+12 -1+1
Vllaznia 22 -9+13 0
Teuta 23 -10+11 -1+1
Bylis 26 -7+17 -1+1
Tërbuni 35 -11+21 -1+1
SHUMA 243 -103+132 -7+7
KATEGORIA SUPERIORE
Ndal Kampionati, Kombëtarja i jep “pushim të detyruar”
Pas ndeshjeve të javës së dytë të Kategorisë Superiore që u luajtën në datat 28, 29 dhe 30 gusht 2015, Kampionati do të marrë dy javë pushim, sepse Kombëtarja do të luajë dy ndeshjet eliminatore për Evropianin 2016. Në dy javët e para janë luajtur 9 ndeshje (Vllaznia-Skënderbeu do të luhet më 9 shtator), ku janë shënuar 18 gola me një mesatare me 2 gola për ndeshje. Por, në javën e dytë rezultatet që u fiksuan ishin sa interesantë, aq edhe të befasishëm. Duke e filluar me kampionen, Skënderbeun, duhet thënë se me golin e vetëm të bullgarit Hristov, skuadra korçare e bëri një “aksilirim” para ndeshjeve në grupe të Europa Ligë, por edhe Kukësin e paralajmëroi se nuk është lodhur me ndeshjet në Europë. Partizani me fitoren në minutat e fundit ndaj Flamurtarit i ka bërë një kolaudim të mirë vetes për vazhdimësinë nën ritmin e titullit kampion, ndërsa Flamurtari me humbjen tregoi se ende nuk e ka formatimin e fituesit. Në takimin Laçi-Tirana 1-1, veç barazimit duhet përmendur goli “perlë” i Karabecit që jo vetëm i dha pikën bardhebluve, por e bëri Laçin që të zbresë me këmbë në tokë këtë kampionat. Teuta këtë javë e konformoi se është një “nëndetëse” e vërtetë teksa fitoi qetë e pastër 2-0 ndaj Vllaznisë. Shkodranët e bënë sefte këtë kampionat me humbje, ndërsa në Ballsh i luajt një “derbi” debutuesish, ku pukjanët me fitoren 2-0 e zhytën skuadrën ballshiote në fundin e renditjes, ndërsa nga ana e tyre që sot duhet të mendojnë për ndeshjen me Skënderbeun në javën e tretë. Deri më 12 shtator skuadrat do gjejnë kohën e korrigjimeve pas mangësive që kanë vërejtur në dy takimet e para.
Ndeshjet-Java e dytë
Datë 28-30 gusht 2015
Partizani-Flamurtari 2-1
Laçi-Tirana 1-1
Skënderbeu-Kukësi 1-0
Teuta-Vllaznia 2-0
Bylis-Tërbuni 2-0
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Teuta 2 6
2.Partizani 2 4
3.Tirana 2 4
4.Tërbuni 2 3
5.Skënderbeu 1 3
6.Kukësi 2 3
7. Laçi 2 2
8.Vllaznia 1 0
9.Flamurtari 2 0
10.Bylis 2 0
Golashënuesit
2 gola: Sukaj (1p) (Partizani)
1 gol: Çela (goli i parë i Kampionatit, Partizani-Laçi 1-1, në 56’), Xhejms (Laçi), Trashi (Partizani), Mihani, Magani, E. Hoxha (Teuta), Lima, Flores (Kukësi), Malindi, Danaj, Sulmataj (Tërbuni), G. Lika, Fukui, Karabeci (Tirana), Trap (Flamurtari), Hristov (Skënderbeu)
Ndeshjet-Java e tretë
12 shtator 2015
Flamurtari-Laçi
Vllaznia-Partizani
Kukësi-Teuta
Tërbuni-Skënderbeu
Tirana-Bylis
Sigal