Dhjetë ndeshjet midis klubeve

655
Sigal

Bilanci i kualifikimeve direkt është dy për ekipet shqiptarë dhe tre për skuadrat izraelite

Kontakti i parë midis futbollit shqiptar dhe atij izraelit nisi në mesin e viteve 1990, kur Tirana u përball me Hapoel Beer Sheva, në sezonin 1995-1996 të paraeliminatorëve të Kupës UEFA. Gjithsej, janë tri ekipe shqiptare: Partizani (3 herë), Tirana (1) e Vllaznia (1) që janë ndeshur me katër ekipe izraelite: Hapoel Beer Sheva (2 herë), Hapoel Tel Aviv (1), Hapoel Bnei Sakhnin (1) dhe Makabi Netanya (1). Bilanci i ndeshjeve është dy fitore për ekipet shqiptare dhe tetë për ato izraelite, ndërkohë që bilanci i kualifikimeve direkt është dy për ekipet shqiptare (Partizani, Vllaznia) dhe tre për ekipet izraelite (Hapoel Tel Aviv, Hapoel Beer Sheva dhe Hapoel Bnei Sakhnin).

TIRANA-HAPOEL BEER SHEVA

Në takimin e parë, të zhvilluar në “Qemal Stafa” (8 gusht 1995), Hapoel Beer Sheva fitoi 1-0, me një gol të shënuar qysh në minutën e parë të lojës me anë të austriakut Zeiberlins. Skuadra izraelite e përsëriti suksesin edhe në takimin e kthimit në Beer Sheva (22 gusht 1995), duke fituar 2-0 me golat e Gusev 20’ dhe Avigdor 23’, dhe u kualifikuar për në raundin e dytë me golaverazhin e përgjithshëm 3-0. Interesant është fakti, se kundërshtari i radhës i Hapoel Beer Sheva ishte Barcelona (fitoi 5-0 dhe 7-0).

PARTIZANI-HAPOEL TEL AVIV

Partizani është ndeshur me tri skuadra izraelite: Hapoel Tel Aviv dhe Hapoel Bnei Sahkin për kualifikueset e Kupës UEFA, ndërsa kundër Makabi Netanjës në eliminatoret e Kupës Intertoto. Bilanci i të kuqve është një fitore dhe pesë humbje. Partizani, i sapokthyer atëherë nga Kategoria e Dytë (sot e Para), doli në vendin e tretë në sezonin 2001-2002, duke fituar të drejtën për të marrë pjesë në sezonin 2002-2003 të Kupës UEFA. Të kuqtë u përballën me Hapoel Tel Aviv në raundin e parë kualifikues: humbën 1-0 takimin e parë të luajtur në Sofje me golin e shënuar nga Abukasis (49’). Braziliani Abilio humbi një penallti për Partizanin. Ndeshja u luajt në Bullgari, pasi situata në Izrael nuk ishte e qetë në atë kohë, dhe UEFA kishte marrë vendimin që, skuadrat izraelit t’i luanin ndeshjet ndërkombëtare shtëpiake në fushë asnjanëse. Në ndeshjen e kthimit në “Qemal Stafa”, nën një shi tepër të rënduar dhe në një terren të përbaltur, Hapoel Tel Aviv fitoi 4-1 me golat e realizuar nga Afek (28’), Balili (73’, 83’) dhe Udi (87’). Mbrojtësi brazilian Brakini (35’) shënoi golin e barazimi të përkohshëm 1-1.

PARTIZANI-MAKABI NETANYA

Në përfundim të sezonit 2002-2003, Partizani zuri vendin e tretë duke fituar kështu edhe të drejtën për të marrë pjesë në Kupën Intertoto të vitit 2003. Në turin e parë eliminator u përball me skuadrën izraelite Makabi Netanya, e cila mbërriti në kryeqytetin shqiptar me një skuadër me lojtarë të rinj dhe pa shumë përvojë, madje në Tiranë nuk e drejtoi trajneri i parë Landau skuadrën, por ndihmësi i tij, Rueven Atar. Partizani fitoi në Tiranë (21.06.2003) me rezultatin 2-0 (me dy gola të realizuar qysh në pjesën e parë nga braziliani Karioka 15’dhe Kuli 21’), ndërsa humbi në Varna të Bullgarisë (më 28.06.2003) me rezultatin 1-3, duke u kualifikuar kështu me gol në fushën kundërshtare, pavarësisht se në takimin e dytë luajti një pjesë të mirë të ndeshjes me dhjetë lojtarë. Partizani shënoi i pari në minutën e 16-të me anë të Muzakës, ndërkohë që në të 41’ Muzaka u ndëshkua me karton të kuq. Për ekipin izraelit shënuan Lior Genish 38’, Kobi Hasan 64’ dhe Dudu Hadad 80’. Në turin e dytë, Partizani u eliminua nga Dacia Kishianu, me moldavët që i fituan të dyja ndeshjet 2-0 në Kishinau dhe 3-0 në Tiranë.

PARTIZANI-HAPOEL BNEI SAKHNIN

Partizani fitoi Kupën e Shqipërisë në sezonin 2003-2004, duke fituar edhe të drejtën për të marrë pjesë në Kupën UEFA të sezonit 2004-2005. Në turin e parë eliminoi maltezët e Birkirakës: fitoi 4-2 në “Qemal Stafa” /15 korrik 2004 me golat e realizuar nga: Bulku 23’, Bylykashi 27’ (p), Alcani 51’ dhe Bejzade 69’), ndërsa humbi në takimin e kthimit në Ta’Qali me rezultatin 2-1 (29 korrik 2004): Bylykbashi shënoi një eurogol në minutën e 45-të, ndërkohë që maltezët përmbysën rezultatin me golat e realizuar nga Zahra (56’) dhe Dronca (84’), por që nuk u mjaftoi të kualifikoheshin për në të turin tjetër. Partizani u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 5-3 dhe në turin e dytë shorti e vendosi përballë skuadrës izraelito-palestineze, Hapoel Bnei Sakhnin. Të kuqtë humbën takimin e parë në Izrael (12.08.2004), të luajtur në stadiumin “Ramat Gan” të Tel Avivit, me rezultatin e pastër 3-0: Suan  16′, Agoye  33′ dhe Agoye  54′, por me Partizanin që luajti një nga ndeshjet më të dobëta të tij në Europë. Edhe në takimin e kthimit në “Qemal Stafa” (26.08.2004), Partizani humbi 3-1: dy golat e nigerianit Agoye (21’, 45’) zhvlerësuan çdo përpjekje të Partizanit. Goli i Bylykbashit (56’) thjesht ishte për statistikë, pasi Hamlid realizoi edhe golin e tretë për Hapoel Bnei Sakhnin në minutën e72-të, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 6-1 për skuadrën izraelite.

VLLAZNIA-HAPOEL BEER SHEVA

Pas përballjes me Tiranën në vitin 1995, skuadra izraelite Hapoel Beer Sheva do të vinte sërish në Shqipëri, kësaj radhe për të luajtur kundër Vllaznisë së Shkodrës. Hapoel Beer Sheva fitoi 2-1 në “Loro Boriçi” (20.06.2004), pavarësisht se Vllaznia shënoi e para me anë të Hamdi Salihit në minutën e 2-të. Kobi Vaknin (65’) dhe Oren Sagron (90’) firmosën fitoren e Hapoel Beer Sheva. Në ndeshjen e kthimit (26.06.2004), Vllaznia fitoi me rezultatin 1-0 (gol i Hamdi Salihit në minutën e 40-të), por për shkak të aktivizimit të një lojtari të pafederuar dhe të paregjistruar në listën që dërgohet në UEFA, Hapoel Beer Sheva e humbi ndeshjen në tavolinë 3-0, duke i dhënë kështu mundësinë Vllaznisë të kualifikohej me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Në turin e dytë, Vllanzia u eliminua nga kroatët e Slaven Belupo, fitoi 1-0 në Shkodër dhe humbi 2-0 në Kroaci.

PËRBALLJET MIDIS KLUBEVE

KUPA UEFA

Sezoni 1995-1996

Raundi paraeliminator

08.08.1995

Tirana-Hapoel Beer Sheva   0-1

22.08.1995

Hapoel Beer Sheva-Tirana   2-0

Kualifikohet Hapoel Beer Sheva

Sezoni 2002-2003

Raundi i parë kualifikues

15.08.2002

Hapoel Tel Aviv-Partizani 1-0

29.08.2002

Partizani-Hapoel Tel Aviv  1-4

Kualifikohet Hapoel Tel Aviv

Sezoni 2004-2005

Raundi i dytë kualifikues

12.08.2004

Hapoel Bnei Sakhnin-Partizani 3-0

26.08.2004

Partizani-Hapoel Bnei Sakhnin 1-3

Kualifikohet Hapoel Bnei Sakhnin

KUPA INTERTOTO

Sezoni 2003

Raundi i parë kualifikues

21.06.2003

Partizani-Makabi Netanya 2-0

28.06.2003

Makabi Netanya-Partizani 1-3

Kualifikohet Partizani

Sezoni 2004-2005

Raundi i parë kualifikues

20.06.2004

Vllaznia-Hapoel Beer Sheva 1-2

26.06.2004

Hapoel Beer Sheva-Vllaznia 0-3

Kualifikohet Vllaznia

ERVIN BAKU/ Çudira shqiptare 

Këtë fund-javë futbolli shqiptar u rikthye me Kategorinë e tij Superiore dhe bashkë me të edhe çudirat shqiptare. Do të ndodhë patjetër diçka që të bëhemi qesharakë dhe gazi i botës. Që të bëhemi thjesht skandalozë dhe të pabesueshëm. Sepse ajo që ka ndodhur po bën realisht xhiron e botës në “Youtube”. Gjithçka ndodh në Kavajë, në një ndeshje jo pak të rëndësishme. Gjyqtari Enea Jorgji, gjyqtar i FIFA-s dhe një ndër gjyqtarët më të mirë në Shqipëri, anuloi në mënyrën më absurde të mundshme transformimin në gol të një 11-metërshi në favor të vendasve të Besës kundër Laçit. Gjyqtari Jorgji jo vetëm që nuk dha përsëritjen e 11-metërshit, por na la me gojë hapur të gjithëve: ai akordoi një faull në favor të miqve nga Laçi. Në stadiumin e Kavajës, askush nuk kuptoi asgjë. As tifozi më i çmendur dhe më fanatik i Laçit. Ndeshja në atë moment ishte Besa – Laçi 0-2. Ky vendim skandaloz i një prej gjyqtarëve më të mirë në Shqipëri i bëri një dëm Besës në këtë rast, një dëm direkt. Por jo vetëm. Lajthitja mendore e Jorgjit i bëri një dëm të madh futbollit. Sepse ndeshja degjeneroi. Më pas, Jorgji nxori 3 kartonë të kuq për Laçin dhe favorizoi pastër Besën vendase në rastin e golit të barazimit 2-2. Pas lajthitjes mendore erdhi lajthitja qëllimore. Të vjen realisht keq, sepse u pa qartë që Jorgji nuk kishte për qëllim të favorizonte ndokënd. Por skandali ndodhi. Skandali është aty. Gati për të shtuar fletën e re në librin e rekordeve “Guiness”. Shqipërisë i mungonte një rekord i këtij lloji. E megjithatë ka një pikëpyetje shumë të madhe për atë çka ngjau në Kavajë. Mirë Jorgji lajthiti, madje shumë rëndë. Po asistentët e tij pse bënë sehir? Po gjyqtari i katërt pse bëri sehir? Pse nuk komunikuan me të menjëherë dhe ta njoftonin për mega-gafën? Apo edhe ata ishin dakord me lajthitjen mendore të Jorgjit? Sepse Jorgji na habiti edhe me deklaratën e tij pas ndeshjes, kur aftësia e tij mendore ishte në rregull. “Rregullorja ka ndryshuar. Në momentin kur Sefa gjuajti 11-metërshin, disa futbollistë të Besës hynë brenda zonës. Ky është faull dhe penalltia nuk përsëritet”. Zot, na ruaj Enea Jorgjin. Se është një ndër 3 gjyqtarët e FIFA-s.  Vetëm pak ditë më parë përfundoi në Tiranë seminari katër ditor i arbitrave te futbollit shqiptar. Gjithçka është zhvilluar në planin teorik dhe praktik për rritjen e nivelit të gjyqtarëve të futbollit tonë. Federara Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n, kanë përqendruar një vëmendje intensive për këtë sektor të rëndësishëm. Në këtë epilog ka marrë pjesë edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka. Ai ka kërkuar “nga xhaketat e zeza” më shumë profesionalizëm, korrektësi dhe drejtësi sportive brenda të gjitha rregulloreve. Duka ka shpërndarë me këtë rast edhe stemat e FIFA-s për 3 gjyqtarë kryesorë dhe 7 asistentë. Bardhyl Pashaj, Enea Jorgji dhe Lorenc Jemini mbeten në vazhdim gjyqtarë kryesorë të FIFA-s. Dhe menjëherë pas këtij seminari, në ndeshjen e tij të parë, Enea Jorgji bën të pabërën, të padëgjuarën. Jemi bërë gazi i botës…