Agron Kaja: Partizani me fat për transfertën. Egnatia mes të panjohurës

626

SUPERIORJA NË EUROPË/ Shorti i ditës së martë jo shumë bujar me skuadrat tona

Sigal

Nga Agron Kaja

“Partizani ka pak fat, sepse BATE Borisov e Bjellorusisë do t’i luajë të dyja ndeshjet në transfertë, ndërsa Egnatia është mes të panjohurës për premierën e saj të parë në Europë.”

Në këtë fillimjavë, katër skuadra të Abissnet Superiore i dhanë fund pritjes së tyre për emrat e skuadrave që do të kenë përballë për ndeshjet në Europë. Nga Partizani Kampion, Egnatia fituese e Kupës së Shqipërisë dhe Tirana me Vllazninë të renditura në vendet e kreut, këto janë katër “zonjat” shqiptare, të cilat në sfidat që do të luajnë, do t’i tregojnë Europës se sa të denja janë me etiketën “Futboll shqiptar”. Dhe duke i kaluar një e për një të katërta, duket se Partizani ka pak fat, sepse BATE Borisov e Bjellorusisë do t’i luajë të dyja ndeshjet në transfertë, pasi UEFA i ka dënuar skuadrat bjelloruse për shkak të përkrahjes që shteti i tyre i bën Rusisë në luftën kundër Ukrainës. E ndërsa Partizani duhet t’u besojë dy transfertave, ndryshe ndodh me tre skuadrat që do të luajnë në Ligën e Konferencës.Tirana mund të themi se ka patur fat kur është ndeshur ndaj skuadrave gjeorgjiane. Në dy përballje të mëparshme të tyre, skuadra bardheblu është kualifikuar: Në 2003-2004 ndaj Dinamo të Tbilisit dhe në 2020-2021 po ndaj Tbilisit në Champions League. Dhe nëse kualifikohet në turin tjetër, Tirana do ketë përballë Beshiktashin e Turqisë. Në debutimin e saj në Europë, Egnatia do luajë ndaj Ararat të Armenisë, dy sfida të panjohura dhe në rast kualifikimi do të luajë me Aris të Selanikut, në letër e eliminuar. Ndërkohë që Vllaznia e nis Europën nga Irlanda e Veriut ku do të ndeshet me Linfilld, skuadër që në 137 vite ka fituar 51 Kampionate dhe 42 Kupa të vendit të tij. Në Europë është skuadër e rregullt në të gjitha kompeticionet, histori që shkodranët duhet ta vlerësojnë që në ndeshjen e parë. Dhe nëse Vllaznia kualifikohet, e pret një tjetër vështirësi. Pogon Zhezçin e Polonisë është skuadra që do ta ketë përballë, nëse…! Gjithsesi, kjo është panorama pas shortit, ndërkohë që të gjitha këto skuadra i kanë nisur përgatitjet e tyre, njëherësh kanë hyrë edhe në merkaton e verës. Pasi ndërroi trajnerin, Partizani ka nisur përgatitjet në Pogradec, ndërsa ka afruar dy lojtarë dhe ka bërë një huazim për portën. Tirana e vazhdon bankinën me Orges Shehin, dhe pas pesë largimeve ka bërë po kaq afrime, duke treguar se e mban skuadrën të kompletuar. Egnatia i ka dyfishuar afrimet, në raport me largimet. Dy futbollistë u divorcuan me mbylljen e sezonit, ndërkohë që katër të tjerë kanë firmosur. Shkodranët i nisën përgatitjet e tyre me trajner të ri, Migen Memellin, ndërkohë që në merkato ka 13 largime dhe 6 afrime të reja.

4 skuadra

Nga Superiorja e futbollit shqiptar, Partizani, Tirana, Egnatia e Vllaznia do të luajnë në Europë

Renditja në UEFA

Partizani                      vendi 260

BATE Borisov            vendi 107

Tirana              vendi 305

Dinamo Batumi          vendi 279

Vllaznia                       vendi 338

Linfild             vendi 159

Egnatia                        pa renditje

Ararat                          vendi 200

 

2 kompeticione

Partizani do luajë në UEFA Champions Ligë, ndërsa Tirana, Egnatia e Vllaznia në Konferencë Ligë

Skuadrat shqiptare në Europë

UEFA Champions Ligë

Turi i parë eliminator

Ndeshja e parë

Datë 11 korrik 2023

Partizani-BATE Borisov (Blr)

Ndeshja e kthimit

Datë 18 korrik 2023

Europa Konferencë Ligë

Turi parë eliminator

Ndeshjet e para

Datë 13 korrik 2023

Tirana-Dinamo Batumi (Geo)

Linfild (Nir)-Vllaznia

Ararat (Arm)-Egnatia

Ndeshjet e kthimit

Datë 20 korrik 2023