Presidenti Biden bisedime në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësin e Indisë Modi

85
Sigal

Presidenti Joe Biden po zhvillon bisedime në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, i cili po qëndron për një vizitë shtetërore në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë ceremonisë së pritjes në Shtëpinë e Bardhë zoti Biden tha se sfidat botërore kërkojnë që India dhe Shtetet e Bashkuara të bashkëpunojnë dhe “ne po e bëjmë” një gjë të tillë, tha presidenti.

Udhëheqësi i Indisë falenderoi zotin Biden për miqësinë e tij.

“Kjo ceremoni e madhe mirëpritjeje në Shtëpinë e Bardhë është nder dhe krenari për popullin e Indisë, është nder edhe për 4 milionë qytetarë me origjinë nga India, që jetojnë këtu në Shtetet e Bashkuara. U jam mirënjohës”, tha ai.

Më shumë se 7 mijë persona ishin mbledhur para Shtëpisë së Bardhë në ceremoninë pritëse për udhëheqësin e Indisë.

Përpara bisedimeve, Shtëpia e Bardhë tha se vizita e zotit Modi “do të forcojë përkushtimin e përbashkët të dy vendeve për një rajon Indo-Paqësor të lirë, të hapur, të begatë dhe të sigurtë dhe vendosmërinë e përbashkët për të ngritur në një nivel më të lartë partneritetin teknologjik, duke përfshirë mbrojtjen, energjinë e pastër dhe hapësirën”.

Udhëheqësi i Indisë dhe presidenti Joe Biden kanë shumë çështje për të diskutuar – duke përfshirë marrëdhëniet me Kinën, konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Në një veprim të pazakontë për udhëheqësin indian, zoti Modi dhe zoti Biden, ranë dakord të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp këtë të enjte.

Zoti Modi nuk ka mbajtur asnjëherë një konferencë për media që nga marrja e detyrës së kryeministrit 9 vjet më parë dhe vizita e tij ka tërhequr mjaft vëmendje lidhur me shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut ne Indi.

Dy udhëheqësit synojnë të forcojnë marrëdhëniet tejet të rëndësishme, por të ndërlikuara mes të dy vendeve.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës amerikanë kanë ngritur pikëpyetje mbi vendimin e zotit Biden për t’i ofruar nderim të lartë një udhëheqësi, gjatë mandatit nëntëvjeçar të të cilit, liria politike, fetare dhe liria e shtypit është përkeqësuar.

Zoti Modi pritet gjithashtu të mbajë një fjalim në një seancë të përbashkët të Kongresit. Agjenda e tij këtë të enjte mbyllet me një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë./VOA