Agron KAJA/ Në Botëror, “Samba” valle e vjetruar!

495
Sigal

OPINION/ “Brazil 2014”, në 64 ndeshje u “zbardh” ndryshkja amerikano-jugore dhe progresi europian

Data 13 korrik 2014, më shumë se finishi i Botërorit “Brazil 2014’do të shënohet edhe si finishi i emocioneve e zhurmës që sollën 64 ndeshjet e luajtura atje. Por, një herë në katër vite, është shumë bukur të festosh si ”pushtues” i futbollit Botëror, e kjo festë e 20-të këtë herë i takoi me meritë Gjermanisë, e cila njëherësh fitoi edhe titullin e saj të katërt si Kampione e  Botës. Por edhe tifozët anë e kënd Botës, e kanë këtë të drejtë feste, sidomos këtu në Europë ku dominuan skuadrat e elitës së topkëmbës së kontinentit tonë. Të gjithë ata që e përjetuan orgazmën e golit të Gëces, e quajtën atë edhe si një “magji” që ndryshoi traditën e krijuar në 19 Kampionatet e tjerë Botërorë, ku nga 7 të zhvilluar në Kontinentin Amerikan, asnjëherë nuk kishin fituar skuadrat europiane. Të dielën “ra perdja” e “Botërori 2014” me një ndeshje ku diferencat mes dy finalisteve ishin sa në fushë, aq edhe në bankinë. Gjithsesi, pa lënë mënjanë këtë finale, duke i parë me një “lupë” më intime të dyja skuadrat finaliste, duhet theksuar se suksesi i Gjermanisë nuk erdhi vetëm në 120 minutat e luajtura kundër Argjentinës, ndërkohë që “panzerat” e evidentuan veten si kandidatët numër 1 që në ndeshjet në grupe. Kështu, në 7 ndeshje në total, Gjermania shënoi 6 fitore, 1 barazim dhe 0 humbje, me golavarazhin pozitiv 18-4 dhe në Grupin G kryesoi në 3 ndeshje me 2 fitore e 1 barazim, me golavarazhin 7-2. Ky ishte një grup interesant dhe i vështirë, ku edhe prognozat evropiane e botërore e mendonin si “pjella” e Kampiones së re, sepse veç Gjermanisë, aty ishte edhe Portugalia dështake, me futbollistin më të mirë në Botë, Kristiano Ronaldon dështakun. Por, Gjermania kishte 24 vite që e priste këtë Botëror, ku pasi kishte fituar të tretin në vitin 1990 në Itali, në një finale të luajtur po kundër Argjentinës të udhëhequr nga Maradona, në “Marakana” bëri që Brazili ta humbiste ritmin e Sambas së tij në fushë e jashtë saj. Dhe këtë kjo Gjermani e meritoi, ndërkohë që finalistja tjetër, Argjentina, erdhi deri në “Marakana” si një “dhelpërushe”  që s’mund të “hante” më shumë se sa arriti, natyrisht se nuk kishte këllqe për më shumë. Në këtë skuadër amerikano-jugore, përveçse kishte dy-tre “kokrra” që të tërhiqnin dhe të impononin ta shikoje, të tjerët e shëtitën fanellën çeleste në shtatë stadiume, duke i bërë marketingun fanellës se sa lojës që luajtën. Në Grupin F, Argjentina i fitoi të tria ndeshjet me një golavarazh të mirë 6-3, por brenda saj nuk kishte lojë, nuk kishte art si dikur Maradona, apo le të mendojmë se kësisoj kjo skuadër më shumë po luante për Messin. Dhe meqenëse se e kujtuam këtë lojtar tre herë më i miri në Botë, le të themi se me performancën në Brazil ai e mbylli karrierën e tij elitare. Në ndeshjet e tjera, Argjentina tregoi se në Brazil kishte marrë ‘fallxhorë” fatsjellës, ku pasi mundi “in-extremis” në 1/8 e finaleve Zvicrën, këtë e bëri edhe në çerekfinale me Belgjikën, të dyja skuadra evropiane këto që treguan se ishin të denja për më shumë. Në ndeshjen gjysmëfinale me Holandën, skuadra argjentinase ju fal penalltive, ndërkohë që në finale me Gjermanin tregoi vlera fragmentare, me një Mesi të përhumbur në fushën e lojës, tek i cili ata mendonin se do të varnin kurorën e kampionit. Këto ishin diferencat e dy skuadrave finaliste të Botërorit “Brazil 2014”, ndërkohë që si një konkluzion mund të thuhet se në “Brazil 2014”, Gjermania dhe Holanda treguan se futbolli në Europë është më i plotë, më domethënës në lojë e në përshtatjen e vlerave individuale të individëve të veçantë lojtar apo trajner, ndërkohë që në skuadrat amerikane në tërësi, këto dukuri ishin më evidente te skuadra që s’kanë shumë emër të mirë në Botërorë. Skuadra amerikano-latine si Kili, Meksika, Kosta Rika e Kolumbia treguan më shumë vlera se Brazili e Argjentina, që së bashku kanë fituar 7 Botërorë. Por në Brazil nuk mund të themi se Europa shkëlqeu në gjithë gjerësinë e saj, sepse aty dështuan Italia, Anglia, Franca dhe Spanja, të cilat së bashku kishin fituar 7 Botërorë, një fakt ky që pas festës gjermane duhet të ketë shumë domethënie nga trevat e tjera të futbollit evropian. Në këtë udhëtim 32 ditor të 64 ndeshjeve të luajtura në Botërorin “Brazil 2014” nuk mbetën pa lënë gjurmë edhe emrat shqiptarë, pasi ishin nëntë të tillë në katër skuadra evropiane. Një moment emocionues ky sa i përket krenarisë shqiptare, por që vetë ata e dinë mirë se kjo krenari nuk ka ardhur nga Shqipëria mëmë, se sa nga investimi që vetë ata kenë bërë për të shkuar deri në një Botëror jashtë kombëtares shqiptare. Ndërsa kështu mund të pyesim se: Po Shqipëria ku është pas 20 kampionateve Botërorë? Kemi të drejtë ta shtrojmë këtë pyetje që e ka përgjigjen brenda saj, jo vetëm duke u fiksuar në faktin se në “Brazil 2014” luajtën 9 lojtarë me origjinë shqiptare, edhe pse ata ishin nga treva të ndryshme shqipfolëse në Europë, por për realitetin që kalon Kombëtarja e Shqipërisë në autostradën e 20 Kampionateve Botërorë. Ndoshta do të duhen edhe 20 Botërorë të tjerë që të shohim Kombëtaren tonë në një Botëror futbolli. Në Rusi apo në Katar, kjo ide duket më shumë si një “mollë e ndalueme”, ndërkohë që duke u rikthyer përsëri në atmosferën e “Brazil 2014’, së fundmi le të cekim pak maninë mediatike shqiptare të pasqyrimit të këtij eventi. Në ekranet shqiptare ky Botëror foli me më shumë gjokse e shalë femrash, a thua se shqiptarët e dëshironin rozë këtë Botëror, por edhe me emra anonimë e të pa formuar për të sjellë në ekrane gjithçka që ka prodhuar historia e Botërorëve dhe realiteti i 64 ndeshjeve në Brazil. Ndoshta do të shkonte më mirë fjala “masakrim” televiziv e gazetaresk, për të cilin do të ketë më shumë radhë në shkrime të tjerë në këtë gazetë. Gjithsesi, edhe Shqipëria ishte pjesë aktive e tifozerisë së këtij Botërori, me ndryshimin radikal nga të tjerët, pasi shijen nuk e morri nga stadiumet, por si tradicionalisht nga ekranet televizive e rreshtat e gazetave. Këtë herë kjo shije erdhi edhe për faktin se në Botëror, “Samba” braziliane u bë një valle e kërcyer me ritmin gjerman.

 Skolari largohet nga Brazili

Luis Felipe Scolari largohet nga stoli i Brazilit pas përfundimit të Kupës së Botës. Tekniku 65-vjeçar u largua nga stoli pas humbjes ndaj Holandës në përballjen për vendin e tretë, por ajo që shkaktoi tërmet në radhët e kombëtares që ai drejtonte ishte disfata turpëruese 7-1 kundër Gjermanisë në gjysmëfinale. Skolari e mori drejtimin e “Seleçao”-s në vitin 2012.

 

Botërori “Rusi 2018” parashikohet të kushtojë 20 miliardë dollarë, më i shtrenjti në histori

  Lamtumirë Brazil, përshëndetje Rusi!

  Botërori i Brazilit u mbyll me triumfin e Gjermanisë – titulli i katërt i saj – ndërkohë që stafeta kalon te Rusia, që do të presë në vitin 2018 Kampionatin e 21-të Botëror të futbollit. “Brazil 2014” me 31 ditët e 64 ndeshjet e tij mori vlerësimet maksimale për organizimin perfekt të këtij eventi gjigant, për atmosferën magjike që dhuroi. Tani ka nisur zyrtarisht numërimi mbrapsht për Botërorin “Rusi 2018”. Kupa e Botës rikthehet në Europës pas 12 vjetësh në Europë. Privilegjin e ka Rusia. Në prani të Sep Blater, presidentja braziliane Dilma Rosef i dorëzoi simbolikisht homologut të saj rus, Vladimir Putin, përgjegjësinë e organizimit të Botërorit të ardhshëm. Zonja e Parë e ftoi sërish botën mbarë që të rikthehet në Brazil pas 2 vjetësh për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të “Rio 2016”. Presidenti Putin ndërkohë mori nga presidenti i FIFA-s, Blater, certifikatën, që simbolizon kalimin e Kupës së Botës nga një vend në tjetrin. “Rusi 2018” parashikohet të kushtojë rreth 20 miliardë Dollarë, me shpenzimet që do të derdhen lum kryesisht për ndërtimin apo rindërtimin e 12 stadiumeve, si dhe për infrastrukturën në 11 qytetet pritëse.

BOTËRORI I REKORDEVE

 Kampionati Botëror “Brazil 2014” dhuroi spektakël e vendosi disa rekorde.

 1 – Thyerja e mitit amerikano-jugor. Gjermania u bë vendi i parë nga kontinenti i vjetër që triumfoi në shtëpinë e latinëve aq sa Europa zgjat tani kryesimin e përgjithshëm të trofeve në 11-9: Gjermania (4), Italia (4), Anglia (1), Franca (1) dhe Spanja (1) për vendet europiane, ndërsa Brazili (5), Uruguai (2) dhe Argjentina (2) për ato amerikano-jugore.

 2 – Rekordi i Miroslav Klozes. Sulmuesi i Gjermanisë me golin e dytë gjerman në fitoren 7-1 kundër Brazilit, u bë shënuesi më i madh i të gjitha kohërave (me 16 gola), duke parakaluar dhe brazilianin Ronaldo (15 gola). Por në atë ndeshje ranë disa rekorde në seri siç ishte ai i gjysmëfinales së parë ku u regjistrua një rezultat 7-1, duke thyer rekordin që mbahej nga Uruguai dhe Argjentina në 1930.

 3. Golat e pësuar nga Brazili. “Seleçao” për herë të parë e mbylli kompeticionin me 14 gola të pësuar brenda një turneu të vetëm, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Nëse në pesë ndeshje pësoi vetëm katër gola (me Tiago Silvën në mbrojtje e Nejmarin në sulm), në dy ndeshjet e fundit pësoi dhjetë gola. Nuk u thye dot rekordi i golave të shënuar në një kompeticion të vetëm, por gjithsesi u barazua ai i Francë 98 me 171 realizime dhe 2.67 gola për ndeshje.

 4. Magjia e portierit holandez. Trajneri i Holandës, Luis van Gal u bë i pari trajner që zëvendësoi portierin për të pritur 11-metërshat siç ndodhi para ekzekutimit të penalltive para Kosta Rikës. Holanda nuk pësoi asnjë humbje. Gjithsesi, Holanda u bë e para skuadër në këtë kompeticion që në një gjysmëfinale nuk arriti të godasë asnjëherë brenda 120 minutave në kuadrat.

 5. Botërori i ndeshjeve me shtesë. “Brazil 2014” ishte edhe i shtesave, pasi si asnjëherë më parë tetë ndeshje kishin nevojë për kohën shtesë ose penalltitë për të përcaktuar fituesin. Dy skuadra për herë të parë e mbyllën turneun pa humbje, Holanda dhe Kosta Rika, të dyja u eliminua nga penalltitë, Kosta Rika nga formacioni i Van Gal, ndërsa vetë Holanda nga Argjentina.

 6. Lojtari më i vjetër në Botëror. Faryd Mondragon që me aktivizimin e tij në ndeshjen me Japoninë u bë futbollisti më i vjetër që ka luajtur ndonjëherë në Kupën e Botës duke qenë 43 vjeç e 3 ditë dhe në fund e mbyllim me rekordin më domethënës atë të publikut. Brazil 2014 mesatarisht kishte 53 mijë e 592 shikues në stadium për ndeshje pothuajse 1 mijë më shumë se në “Gjermani 2006” që mbante rekordin e mëparshëm.