SUPERIORE/ Viti 2024 mbyllet me dy ndeshje “Big” të “Final 4”, specialisti Afrim Tole nuk parashikon surpriza
Nga Agron KAJA
Në javën e 18-të Dinamo e “sulmoi” realisht kreun e renditjes, është ky momenti që duhet vlerësuar?
Për mendimin tim po, sepse Dinamo në javët e fundit është dukur më solide nga skuadrat e tjera. Dhe mendoj se trajneri Ilir Daja ka futur frymë kampioni te kjo skuadër. Deri në këto momente, gjykoj se është “Po”.
Në javën e kaluar, Dinamo mori kreun dhe mundi historinë me Tiranën, cilët ishin treguesit e këtij suksesi?
Nuk është vetëm pjesa e trajnerit dhe e ekipit në këtë kryesim, por edhe e financave me buxhet që është armë e fortë në këtë kampionat. Kjo besoj se është merita e Presidentit Bardhi, i cili duket shumë i “dashuruar” me skuadrën.
Partizani sikur po bën hapa pas në renditje, është një lajm ky për rivalët në zonën “Final 4”?
Duke e parë nga starti, janë pesë ekipet, që janë luhatur në vëndet e kreut. Këto skuadra kanë bërë një rotacion dhe besoj se Partizani nuk bëri hap mbrapa, sepse edhe diferenca me Dinamon 1 pikë është. Të katërta janë luhatur në këto situata.
Me javën e 18-të ku u shënuan 17 gola, u mbyll edhe faza e dytë! Si e përshkruani rrugëtimin e skuadrave në këto 1620 minuta lojë?
Për të gjitha skuadrat, rrugëtimi ka qënë sa i vështirë, aq edhe interesant. Sepse e ripërsërit faktin se kanë patur oshilacione. Gjithsesi, është një rrugëtim i mirë për skuadrat e kreut, dhe i vështirë për skuadrat e fundit në renditje.
Faza e tretë nis me dy përballje “Big”, i quani si dy “finale” për kreun në këtë fundvit?
Këto katër ekipe do diskutojnë edhe titullin kampion, dhe në këto ndeshje shoh si favoritë Dinamon dhe Partizanin. Futbolli ka edhe të papritura, por duke ju referuar aktualitetit të tyre, janë më superiorë nga Egnatia e Vllaznia.
Në këndvështrimin e një specialisti të futbollit, si e shikoni rrugëtimin e Superiores me risinë “Final 4”?
Një risi që ende nuk e ka thënë fjalën si duhet. Kemi një skemë që ende nuk e ka gjetur përshtatjen te skuadrat shqiptare, të cilat historikisht kanë qënë në skemat klasike të kampionateve, pas shtesës “Final 4”.
Jemi në ndeshjen e fundit për vitin 2024 dhe e para e fazës së tretë. Si i mendoni lëvizjet e skuadrave në renditje?
Përveç pjesës së kreut me katër skuadrat e para, ku mendoj se do t’u afrohet edhe Elbasani, të tjerat nuk mendoj se do kenë lëvizje të dukshme. Më problem shoh katër skuadra që renditen nga fundi, si Tirana, Laçi, Bylisi e Skënderbeu.
Në mbyllje të vitit 2024, si e mendoni renditjen tek të gjitha skuadrat?
Unë mendoj se skuadrat, që drejtohen nga trajnerë shqiptarë do kenë rritje, ndërsa ato që po drejtohen nga trajnerë të huaj po përshtaten me vonesë. Ata duhet të kuptojnë se politikat e klubeve janë ndërtuar që të kapin renditjen më të mirë.
Java e 19-të e shpërndarë në tri ditë, kreu e nis nga Partizani-Vllaznia
Java e 19-të e Abissnet Superiore do të nisë ndeshjet e saj ditën e premte, 20 dhjetor. Në këtë ditë do të luhet takimi Skëndëerbeu-Elbasani (16:30), si dhe sfida për kreun e “Final 4”, Partizani-Vllaznia (ora 19:00). Ndërsa sfida e dytë e katërshes së “Final 4”, Dinamo-Egnatia do të luhet të shtunën (ora 16:30), bashkë me Laçi-Tirana (ora 13:30). Të dielën më 22 dhjetor, me sfidën Teuta-Bylis (16:30), Superiorja mbyll vitin kalendarik 2024.

ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java 19
Datë 20 dhjetor 2024
Skënderbeu-Elbasani 16:30
Partizani-Vllaznia 19:00
Datë 21 dhjetor 2024
Laçi-Tirana 13:30
Dinamo C-Egnatia 16:30
Datë 22 dhjetor 2024
Teuta-Bylis 16:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Dinamo C 18 31
2.Vllaznia 18 31
3.Partizani 18 30
4.Egnatia 18 30
5.Elbasani 18 22
6.Teuta 18 22
7.Tirana 18 18
8.Laçi 18 17
9.Bylis 18 17
10.Skënderbeu 18 15
Superiorja mbyll vitin 2024, kreu në garë për plakun e vitit të ri

Në Abissnet Superiore 2024-2025, viti 2024 do mbyllet me dy ndeshje “big” të javës së 19-të, ku mes tyre do përballen katër skuadrat që sot janë katërshja e “Final 4”. Një kalendar që këtë grup nuk e shqetëson nga skuadrat e tjera, por që shqetësimi do të mbetet mes tyre. Në të dyja këto sfida, pritëse janë dy skuadrat e kryeqytetit, ku Dinamo City pret Egnatian dhe Partizani do ndeshet me Vllazninë në Tiranë. Në pamje të parë, ndoshta krijohet ideja se ky kalendar i favorizon dy kryeqytetaset, ndërsa në realitet, mes tyre duket si një barazim i nënshkruar para ndeshjes. Kjo është java e parë e fazës së tretë, e natyrisht që duke ju referuar ecurisë së garës në dy fazat e para, ngrihet edhe pyetja se cila prej katër skuadrave të para do ta festojë vitin e ri 2025 si “Plaku i vitit të ri”? Nisur nga rrugëtimi në dy fazat e para, duke e parë renditjen nga java në javë, sa i përket kreut të renditjes komandën e kanë bërë të katërta skuadrat e “Final 4”, çka tregon rivalitetin në këtë pjesë kryesuese të tabelës së renditjes. AF Elbasani, Teuta dhe më pak Tirana, gjatë 18 javëve kanë qënë të luhatura në mesin e tabelës, ndërsa Laçi i shpëtoi “kthetrave” të vëndit të fundit në fazën e dytë. Skënderbeu e Bylisi i mbetën “besnikë” renditjes së mbijetesës, ndoshta kanë lënë për të thënë më shumë pas merkatos së janarit. Por më parë do të presim Plakun e Vitit të Ri 2025 (kryesuesen e renditjes në mbyllje të vitit 2024).



















