Trajneri i Valbonës, Emiliano Gega: Besojmë shumë te mbijetesa, ndaj Flamurtarit jo si inferior

KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Valbonës, Emiliano Gega, analizon skuadrën pas barazimit në Kukës.

Agron KAJA

Agron Kaja

Sa e vështirë është që një Drejtor Teknik te jetë debutues në bankinë, aq më shumë që të drejtojë një skuadër debutuese në Kategorinë e Parë? Këtë dhe të tjera pyetjeve iu përgjigj Emiljano Gega në cilësinë e trajnerit aktual te Valbona, i cili për gazetën “Telegraf” rrëfeu edhe për aktualitetin dhe  vazhdimësinë në skuadrën që po drejton. “Valbona barazoi në javën e 16-të në transfertë me Kukësin, dhe kjo duket si një pikë e “Artë” për skuadrën tonë, nisur nga pozicioni në tabelën e renditjes. Duke qënë në postin e Drejtorit Teknik këtu te Valbona, unë kam marrë drejtimin e skuadrës si emergjencë pas largimit të trajnerit Gjonaj. Në fakt, ne e nisëm me vonesë organizimin e përgatitjen e skuadrës sonë, çka u reflektua edhe në këtë pjesë të parë të këtij sezoni, me këtë renditje që skuadra nuk e meriton. Sepse përpos renditjes, ne kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe më shumë them se na ka munguar fati. Por është edhe një realitet i pranuar prej nesh, i cili në vitin e ardhshëm do të ndryshojë”, kështu e nisi bisedën trajneri i Valbonës, Emiliano Gega, i cili më pas ju referua edhe rasteve paragjykuese (sipas tij), kryesisht nga arbitrimi. “Ne jemi një skuadër e re në Kategorinë e Parë dhe me një buxhet financiar modest, e ndoshta kjo ka qënë një nga momentet që e kemi vuajtur në raport me skuadrat e tjera. Por ka edhe një fakt tjetër paragjykues ndaj skuadrës sonë, dhe kjo i përket arbitrimit. Na kanë dëmtuar shumë arbitrat, dhe për çudi, ky dëmtim nuk është në asnjë kronikë televizive, pasi jemi skuadra që në Kategorinë e Parë nuk jemi transmetuar në asnjë ndeshje. Nëse do të kishim edhe pak fat, them se Valbona në tre ndeshjet e fundit mund të kishte dalë me 9 pikë të plota”. Dhe për ta ndryshuar situatën në skuadër, tekniku Gega  theksoi se në merkaton e muajit janar do ketë edhe përforcime, për të qënë brënda synimit final, mbijetesë në Kategorinë e Parë. “Skuadra do t’ia bëjë hyzmetin deri në fund ndeshjes me Flamurtarin, e cila do ta mbyllë vitin 2024. Do të luajmë si me Vorën dy javë më parë, me besimin se duhet të dalim me pikë nga ajo sfidë. Skuadra ka ardhur në një formë të mirë, çka na jep besim jo vetëm për sfidën me vlonjatët, por edhe për një mbijetesë të sigurtë në Kategorinë e Parë”, ishte kjo biseda me trajnerin e Valbonës, Emiljano Gega, i cili për gazetën “Telegraf” rrëfeu rrugëtimin në 16 javët e luajtura.

NOA

 

LEGJIONARËT

Hysaj me frena dore te Lacio, Lotito e pengon largimin

Në sezonin 2024-2025, kapiteni i Kombëtares sonë Elseid Hysaj, e ka nisur me pikatore sa i përket aktivizimit të tij te skuadra e Lacios në Serie A dhe në Kupën e Italisë. Por kjo histori duket si një telenovelë ku shfaqen dy pamje të kundërta. Porsa i përket drejtuesve të Lacios, pasi trajneri Baroni e quajti që në nisje të sezonit si lojtar të padëshiruar për të. Gjatë merkatos së verës, Lacio bëri gjithçka për të larguar Hysajn, të cilin e konsideronte si një ngarkesë financiare për arkat e klubit, ndërsa tani në prag të merkatos së dimrit ka ndryshuar kurs. Vetë klubi lacial ka deklaruar se shkodrani nuk mund të largohet nga kryeqyteti, nëse në këmbim nuk merr një shifër të konsiderueshme eurosh. Dhe sipas medieve sportive italiane, gjatë merkatos dimërore pritet që të ndodhë e kundërta e asaj çfarë është raportuar gjatë verës. Ndoshta pretendimet financiare të Lacios do të mbajnë edhe për gjashtë muaj Hysajn në Romë, edhe pse vetë Hysaj është bindur të largohet nga Lacio. Dhe pengesa e parë është presidenti i skuadrës, Klaudio Lotito.

Taulanti kërkon një … “sherr”: Festoj me shqiponjë nëse shënoj!

Sulmuesi i Kombëtares sonë, Taulant Seferi, aktualisht luan me BodrumSpor në Superligën turke, dhe dje ka folur për mediet në Turqi e Shqipëri edhe për Grupit K eliminator për Botërorin 2026, ku tashmë ndodhen Shqipëri e Serbia. Referuar titullit të filmit shqiptar “Taulanti kërkon një motër”, me deklaratën e tij duket sikur “Taulanti kërkon një  sherr”! “A do të festoj me shqiponjë në Beograd? Padyshim, e kemi shqiponjën në zemër edhe në mes të Beogradit. Do zoti shënoj dhe padyshim që po. Si profesionist, mendoj se do të jetë më ndryshe nga kualifikueset në Europian”. Por duke kujtuar sherrin që ndodhi më 24 tetor 2014 në stadiumin e Beogradit, kur në ndeshjen Serbi-Shqipëri u shfaq një dron me flamurin “Autoktons”, le të themi se kjo deklaratë e tij duket si t’i hedhësh benzinë zjarrit. Të gjithë lojtarët e Kombëtares sonë, kur kanë shënuar gol në ndeshjet, e kanë bërë shqiponjën në shenjë festimi, ndërsa serbët me këtë shqiponjë tregojnë frymën e tyre nacionaliste e shiviniste ndaj shqiptarëve.

Largimi i Stavri Nicës, këmbanë alarmi jo vetëm për Kastriotin

Pas ndeshjes të humbur me Burrelin në kuadrin e javës së 16-të të Kategorisë së Parë, Stavri Nica u largua nga bankina e Kastriotit. Më shumë se sa largimi, në këtë rast tërheq ajo çka Nica ka deklaruar, ku në fokus janë lojtarët e papërgatitur dhe jo plotësisht të denjë për lojë. “… Ka lojtarë pa karakter, u mungon dëshira …”. Ky është një sinjal alarmi që vjen nga një trajner profesionist, dhe jo vetëm për skuadrën e Kastriotit.

KATEGORIA E PARË

Rezultatet-Java 16

Datë 14 dhjetor 2024

Burreli-Kastrioti                      3-1

Kukësi-Valbona                      1-1

Vora-Korabi                            3-0

Datë 17 dhjetor 2024

Apolonia-Flamurtari                1-1

Besa-Lushnja                          1-0

Datë 18 dhjetor 2024

Erzeni-Pogradeci                     13:30

RENDITJA    

Skuadrat                    Nd       Pikë    

1.Vora                         16        40

2.Besa                         16        38

3.Flamurtari                 16        36

4.Burreli                      16        27

5.Kastrioti                   16        23

6.Lushnja                    16        21

7.Pogradeci                 15        19

8.Kukësi                      16        17

9.Apolonia                  16        16

10.Korabi                    16        13

11.Valbona                  16        11

12.Erzeni                     15        4