Zhani Ciko: Jeta e rrallë dhe plot mistere e kompozitorit Nikolla Zoraqi

67
Sigal

Dorëshkrimet e Albert Paparistos – kritik arti, Mustafa Krantja, “Artist i Popullit”, Avni Mula, “Artist i Popullit”, Kristaq Rama, “Artist i Popullit”, Prof. Dr. Zana Shuteriqi

Përgatiti: Zhani Ciko “Mjeshtër i Madh”

 

Prof. Albert Paparisto – Kritik arti

PËR NIKOLLA ZORAQIN

“Nikolla Zoraqi ishte nga ata kompozitorë që punonte duke frymëzuar dhe frymëzohej duke punuar. Ai është ndoshta, ndër të vetmit kompozitorë tek ne që jetoi dhe punoi me ritmet e një profesionisti krijues, që mendonte dhe realizonte ditë e natë projektet e tij krijuese, që kishte bërë të vetën thënien kuptimplote të Çajkovskit të madh: “Frymëzimi është një muze që nuk i frekuenton dembelat”.

Avni Mula, “Artist i Popullit”

Fjalë zemre për kolegun

Edhe pse vitet ikin tutje, akoma nuk duam të besojmë se Nikolla nuk është më midis nesh. Nuk e besojmë, sepse ai akoma është i ri, sepse akoma kishte ëndërra dhe energji për punë krijuese. Nikolla është përherë pranë nesh, sepse muzika e tij të shoqëronte kudo, na frymëzon e na afron shpirtërisht me të. Nikollën e kam njohur në ditët e para të majit, të vitit 1957, në Tiranë. Mua e shumë artistë të tjerë të rinj, si zogjtë e një nëne, na mblodhi Ansambli i Ushtrisë me të paharruarin dirigjent Gaqo Avrazin. Në një nga koncertet që po përgatiste ansambli dëgjoj diçka të veçantë, diçka që kishte shije dhe finesë. Ishin disa orkestracione me tingull “ustai” diçka profesionale. Kurioziteti m’u rrit dhe fill pas koncertit u ula dhe bisedova me Gaqo Avrazin. Mbasi i shfaqa kënaqësinë që ndjeva për këtë punë plot dritë e ngjyra, e pyeta se cila dorë e ka orkestruar. Gaqos i erdhi mirë. Ai qeshi paksa dhe më tha: “Ulu, ulu Avni”. Ai më foli me shumë simpati për një student të ri. “Ai është – më tha- Nikolla Zoraqi. Unë e kisha dëgjuar në violinë si nxënës i Liceut Artistik. Këtu m’u shtua kureshtja për ta njohur nga afër. Dhe ajo u realizua. I shpreha konsideratat si violinist dhe për orkestracionet ku binte në sy shija e tij e hollë, prej muzikanti. Një ditë me një ndjenjë gëzimi të veçantë, erdhi të më japë një lajm të gëzuar: “Avni më doli bursa. Do të shkoj të studioj në Konservatorin “P.I.Çajkovski”, në Moskë.” E përqafova dhe e përgëzova përzemërsisht. E pastaj i fola si vëllai- vëllait. I thashë se: “Privilegji që t’u dha të studiosh në Atdheun e Glinkës dhe Çajkovskit duhet ta shfrytëzosh në maksimum” dhe i shtova: “Ne akoma jemi të rinj, por ne kemi shumë talente edhe më të reja, që presin edhe nga ne”! U prek, u përlot. U përqafuam fort, për të mbetur shokë, miq e kolegë pune të sinqertë edhe katër dekada të tjera. E kam ndjekur hap pas hapi rrugën e krijimtarisë së Nikollës. Ishte një kompozitor me rendiment të lartë dhe me një ngritje kualitative. Ishte një lëvrues në gjininë instrumentale simfonike, operistike dhe të baletit. U shqua edhe në vokal. Ai shkroi këngë që nga ato për fëmijë e deri tek romancat e kantatat e tij të fuqishme me temat e gjinitë muzikore. Kishte një individualitet ashtu siç nuhaste dhe dinte të përzgjidhte në temat e gjinitë muzikore. Në krijimet e tij binte në sy kujdesi për një tingëllim sa më të bukur orkestral me kërkesa shumë profesionale. Më kujtohet koha kur po punonte në operën “Komisari” një vepër me kërkesa voluminoze e me shumë skena. Së bashku me solistin e tij të preferuar, tenorin Gaqo Çako dhe mua si këngëtar me përvojë vokale, ma kërkoi ndihmën e sinqertë për të ngritur sa më cilësisht recitativat, ariet e monologjet në mënyrë që çdo gjë të dëgjohet bukur muzikalisht, të jetë e arritshme nga këngëtarët. Por kërkesat e Nikollës nuk mbaronin me kaq. Ai diskutonte me mikun e tij, regjisorin Piro Mani për skenat e lojën, me piktorët, sidomos e kish merak punën me ngjyrat, me dritat, sepse donte që skena të flasë dhe në tërësi të jetë në funksion të muzikës dhe të përmbajtjes. E kam edhe një detaj, disi intim. Nikolla përfundoi një operetë të një shkrimtari arbëresh me temë nga “Gjaku i shprishur” i vëllezërve përtej detit. Më kujtohet me sa kujdes, me sa takt e pasion punoi ai me Invën. Një herë më takoi dhe duke folur për të, më tha: “Inva është një talent i veçantë! Nuk di çfarë të them, por te kjo këngëtare lirike unë gjej forca, gjej kënaqësi dhe frymëzim për të shkruar…”

Nuk kaloi shumë kohë dhe Inva sa hyri në shtëpi, më tha: “Babi takova xhaxhi Nikollën”. Ai më foli me shumë përzemërsi e simpati dhe më tha: “Inva, për ty kam në proces disa gjëra të bukura. Besoj se do të pëlqejnë. Së shpejti do t’i dëgjojmë së bashku”.

Portretin e natyrën e Nikollës edhe tani e kam para syve: ishte i afërt, i komunikueshëm, buzagaz, i thjeshtë. Ja, i tillë ishte dhe ashtu do të mbetet në parafytyrimin tim shoku dhe miku, kompozitori i shquar “Artisti i Popullit”, i paharruari Nikolla Zoraqi.

Tiranë, maj 1995.

 

Prof. Dr. Zana Shuteriqi-historiane e muzikës


JETA E një krijuesi që hyri në traditën e muzikës shqiptare

Kompozoi në të gjitha format e mundshme, që aplikoi muzika shqiptar e kohës: pjesë për instrunente, këngë, muzikë për ansamble dhome, kantata, suita e rapsodi vokale, instrumentale ose orkestrale, tablo koreografike, muzikë filmi, midis të tjerash, la 5 koncerte për violinë dhe orkestër, dy opera, katër balete, një simfoni, 6 uvertura simfonike. Gjithë- gjithë një trashëgimi, që numëron përmbi 100 opuse. Në testin e shkrimeve të këtij lloji, kur pretendimi i parë është rikrijimi i portretit të një muzikanti të ndarë nga jeta prej kohësh, privilegji më i madh i artikullshkruesit është qëmtimi në çdo dokumentacion të mundshëm, që hedh dritë mbi botën dhe mbi personalitetin e artistit. Nikolla Zoraqi na e jep këtë privilegj, mbasi është ndër të rrallët muzikantë shqiptarë, që, krahas veprës, ka lënë pas vetes edhe letërkëmbimin e tij. Letrat iu përkasin viteve 1961-1989-, periudha e studimeve të kompozitorit në Konservatorin  Çajkovski të Moskës. Pjesa dërmuese e tyre i drejtohen  baritonit Mihal Ciko, njërit prej themeluesve të shkollës shqiptare të kantos, aktivistit të shquar të muzikës sonë që prej viteve 1920, kur bashkëpunonnte me Thoma Nasin e Vangjush Mion në Korçë. Megjithëse na vijnë prej një kohe të hershme ( letrat u përkasin viteve 1959-1961), për këdo që e ka njohur kompozitorin për së gjalli, por edhe për ata që ia njohin veprën, letrat zbulojnë shumë prej atyre ideve dhe motiveve, që e udhëhoqën tërë jetën e tij prej krijuesi. Ja çfarë i shkruan ai Cikos pak muaj pas mbërritjes në Moskë.

“… Unë erdha këtu në një ambient shumë më të kulturuar, sesa vendi ku neve lindëm dhe u rritëm. Njeriu që do, mund të mësojë këtu se sa punë dhe djersë i duhet të derdhë për të jetuar me profesionin e muzikantit. Po të përpiqesh të dish, menjëherë mëson se çfarë di dhe se çfarë duhet të dish. Po të mendosh se çfarë duhet të dish, duke e krahasuar pastaj me atë që di, të del përpara një hendek aq i madh, aq i pakapërcyeshëm, sa njeriu mund të trembet dhe të kthehet mbrapsht. Ja, pra, pozita ime e muajve të parë… U mendova shumë dhe me seriozitet, vendosa t’i bie këtij muri me grushte, me shkelma ose edhe me kokë, ose ta shemb për të kaluar matanë, ose  mbrapsht nuk kthehem. Një gjë shikoj dhe kjo të jep forcë: shikoj se ky mur ka filluar të gërvishtet pak dhe mendoj se po të vazhdosh të godasësh në të papushim do të rrëmohet me kohë…”

Ajo çka bëri Zoraqi më pas, nuk ishte gjë tjetër veçse një betejë e vazhdueshme. Ai kompozoi me qindra faqe muzikë. Nuk do të jenë kaq të shumtë kompozitorët shqiptarë, që të kenë shkruar aq shumë muzikë, përsa kohë morën penën dhe e shtrënguan të ndahen prej saj – rruga krijuese e Zoraqit shtrihet mes viteve 1954-1990.

Përsa i takon mënyrës sesi shkroi, pasioneve të brendshme krijuese, frenimit dhe çlirimit të tyre, këto gjithashtu shprehen qartë në një nga letrart e së njëjtës periudhë:  “… I dashur Mihal, po të mërzis, por unë prapë do ta filloj muhabetin në lidhje me muzikën, që ne na duhet në Shqipëri. Psh, në qoftë se unë do të marr të shkruaj balet, çfarë shembulli do të ndjek; Shopelian apo Çajkovskin, apo Prokofievin? Mundet p.sh edhe Haçaturianin ose Shestakoviçin, për të mos përmendur plot kompozitorë të tjerë të botës, që kanë shkruar balete në periudha të ndryshme.

Ne fillojmë përpunimin e muzikës sonë nga fillimi. Pra, për këtë mund të ndiqet mënyra e Rimski- Korsakovit, e cila tingëllon ëmbël, me ngjyra shumë të bukura orientale dhe fantastike të përshtatshme për balet. Po kush nga kompozitorët shkruan sot muzikë si Korsakovi? Unë përmenda këto që kam këtu, për mos i futur më thellë, duke zënë ngojë Stravimskin dhe dodekafonistët e tjerë. Si konkluzion, pra, unë mendoj kështu: Duhet, neve kompozitorët shqiptarë me ba një kompomis, duke mishërue në bazën popullore të veprave tona pak nga romantizmi, pak nga  impresionizmi dhe pak nga modernizmi. Dreqin e di se çfarë mund të dalë kjo! Unë mendoj se një problem me shumë rëndësi është çështja e gjetjes së harmonisë sonë nacionale për të mos e veshur pastaj fshatarin tonë me benevrek dhe me cilindër…. Jam kurioz dhe i interesuar të di mendimin tënd në lidhje me këto probleme qoftë edhe pse nuk je kompozitor….”

Ja, pra, kështu mendonte Zoraqi në vitin 1960 kur muzika shqiptare ishte në hapat e para të formimit të traditës profesioniste, por edhe kur përqasja me disa nga stilet, që ai përmend, ishte një realitet i pamundur. Me veprën e tij më të mirë ai tregoi, megjitatë, se e kërkoi dhe diti ta bënte kompromisin. Në vitet 60-të Zoraqi ishte posaçërisht produktiv. I vihet kompozimit të “ papërshtatshmërisë“ së autorëve të libreteve, mbetën në partiturë, e dyta prej tyre “I fundmi i Golemëve” me libret të Kol Jakovës, njohu dritën e ekzekutimit në formë koncertale vetëm më 1987. Baleti “Cuca e maleve”, i vitit 1969 në shumë drejtime ishte një hap i mëtejshëm dhe shumë më ambicioz i thellimit të këtyre prirjeve. Sikundër koncerti i Parë për Piano dhe Orkestër i Feim Ibrahimit (i së njëjtës periudhë 1971), ai shënoi progres në drejtim të emancipimit të muzikës, që krijohej në atë kohë në Shqipëri. Duke përfituar nga avantazhet e heroit negativ, Zoraqi futi midis partiturës së baletit shprehje të qarta të një ndikimi ekspresionist, që ashtu sfond si ishte inicionte tingëllimet krejtësisht të reja harmonike në tërë kontekstin e muzikës së shkruar deri në atë kohë. Pak vjet më vonë, në bashkëpunim me shkrimtarin Dritëro Agolli shkruan operën “Komisari” (1974), e cila u ngjit në skenë pas disa krijimeve të tjera të llojit, që pavarësisht shkallës së realizimit i përmbaheshin që të gjitha një gjuhe të tejkaluar dhe formave standarte të traditës së shekujve XVIII- XIX. Si realizim tërësor komisari ngjalli diskutime midis qarqeve artistike të vendit. Por edhe pse një pjesë e objeksioneve ishin të drejta, opera u konsiderua si një progres.

Mbase më shumë se kudo gjetkë Zoraqi shfaqi aty bindjet e tij të hershme të “kompozimit” midis traditës dhe modernizmit. Faqet më të bukura të operës janë shkruar pikëisht mbi bazën e kësaj logjike krijuese: skenat impresionante të demonstratës (Tabloja I. Akti I) dhe pushkatimi (Tabloja II, Akti I) përfshijnë brenda vetes numra korale me një efekt të jashtëzakonshëm përsa i takon dramacitetit të përftuar nga kombinimi i strukturave të polifonisë popullore tradicionale shqiptare dhe intensitetit të bashkëtingëllimeve disonante të prejardhura prej tyre. Ndërkohë, duke përfituar si gjithnjë nga avantazhet e heroit “negativ”, Zoraqi i tejkalon “caqet”, duke arritur deri në shprehje atonale dhe forma vokale të “paaplikueshme” për kushtet në të cilat prodhohej muzika në Shqipëri.

Koloneli gjerman Hans Binkop flet në operë me një gjuhë ekspresioniste eksituese” duke shpërfillur çdo lloj tabuje mbi melodizmin apo vokalin e traditës bel canto. Dhe, duke iu referuar edhe njëherë atij citimi nga shkrimi i Feim Ibrahimit, do të desha të përforcoja se janë pikërisht këto pak faqe muzike, që përmenda midis të tjerave, ku tragjizmi i Zoraqit erdhi në realitetin artistik shqiptar si shprehje e atij tragjizmi të thellë historik, që ai e gjeti jo vetëm në kohën kur punoi, pra në një rrafsh shumë më të gjerë të hapësirës shqiptare, tek figura të tilla si ajo e Gjorg Golemit, Shote dhe Azem Galicës (baleti Shote dhe Azem Galica, libret  D, Agolli, 1982), apo tek Plaka Nicë prej baletit “Tokë e pamposhtur” mbi subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë.

Mustafa Krantja, “Artist i Popullit” (Dirigjent)

“Ajo që e ngre lart figurën e këtij artisti të madh të kombit tonë janë veprat skenike që për Teatrin tonë të Operas dhe Baletit kanë qënë themeli i jetës së tij. Është vështirë që të gjindet ndonjë kompozitor, që nuk ka kontribuar për këtë institucion, por në mes tyre, ta themi qartë, Nikolla zë vendin kryesor”.

Kristaq Rama, “Artist i Popullit” (Skulptor)

“Ky burrë i heshtur e i qetë në pamje, e kishte vizatuar qartë portretin e vetë në ato qindra kompozime që krijoi, ku e shohim Nikollën herë spontan e herë shpërthyes, herë lirikë e herë tragjik, por gjithmonë i frymëzuar, i qartë, e mbi të gjitha me shpirt të madh human. Të tillë do të na e sjellin përjetësisht tingujt magjikë që hodhi në letër për një jetë të tërë“.