Zaim Kuçi: “Pranvera që mori Luto Sadikun”- Në emër të detyrës, të qiellit shqiptar…

18
Sigal

27 Mars 1982, vit dhimbje.

Të gjithë ata që kanë jetuar në aerodromet e RSH, me kokën drejt qiellit i kthehen kësaj ditë të trishtë ndodhur në aerodromin e Gjadrit.

Të shkruash për fluturimin, në dukje është e lehtë, por kur fillon të ngatërrohesh në fjalë dhe fjali, ato vijnë vrullshëm dhe po kaq shpejt fluturojnë në hapësirën e pafund të mendimeve.

Atë ditë zie fund marsi, nisa të shkruaj në bllokun e gabimeve që e marrim në fluturim, i vetmuar diku poshtë krahut të avionit; është bruto, ashtu me gabime i rënduar nga ajo situatë dëshpërimi shokësh.

Në këto vite fluturimi, – ne të qiellit përgatitemi, stërmundohemi, sakrifikojmë dhe krenar do të vazhdojmë të fluturojmë për një ideal të vetëm; të formuar, të ngjizur në qenien tonë: për hapësirën mbi kokat tona, për qiellin që strehon Shqiptarinë, të kudondodhur.

Një vit më parë, në aerodromin e Gjadrit, e prisja me pasion fluturimin e parë vetëm në avionin supersonique Mig 19, por dhe pranverën që sapo kishte nxjerrë lajmëtarët e parë duke sfiduar dimrin, që vështirësisht asaj po i linte vendin.

Ne e kërkonim atë, – pranverën si banorë të vetmuar të një hoteli beqarësh në buzë të lumit Gjadër, afër pistës të kufizuar me vija të bardha dhe të nxirë nga rrotat e avionit dhe të turbinës zhurmuese të motorit të tij.

Në fund të muajit mars erdhi dita e fluturimit të parë vetëm, ditë e madhe me shumë emocion; – fluturimi me avionin që sfidon zërin, që i sfidon forcën tërheqëse të tokës

Në pritjen e gjatë, të etur për fluturimin po ngatërronin radhën, Fluturimi solli Pranverën apo pranvera e solli atë.

Kishte ardhur pranvera dhe kishte çelur bari në dy anët e pistës që na lehtësonte lodhjen e syve në ato ditë të ngarkuara stërvitje. Ajo na solli edhe ato pak lule, që i kishim aty pranë vendshlodhjes tonë që rrinim ditë– natë me kokën gjithmonë në survejim të qiellit.

Me përkujdesjen tonë ato pak lule hijeshonin mjedisin rreth e qark që dominohej nga ndriçimi i duroaluminit të trupit të avionëve dhe nga kabinat e zbukuruara me shumë butona e çelesa të kuq me emrin “rrezik”. Të rreshtuar si ushtarë të disiplinuar në komandën gatitu, avionët dominojnë tërë hapsirën e bazës.

Ne jetojmë me ta ditë-natë, të lidhur me zinxhiret e kostumit të fluturimit. Çudi, në këtë ndërtesë njëkatëshe, modeste, ngrysim të mbyllur gjysmen e muajit dhe përsëri ndjehemi mirë, të motivuar që në krahë të saj rrinë të heshtur avionët gati për ngritje, që minuti është shumë për të zhurmuar qiellin.

Ndodh kështu për ditë. Avionët zhurmojnë njeri pas tjetrit duke marrë rrugën e qiellit që kësaj toke mos t’i mungojë kurrë pranvera. Marrin lartësi në qiell duke ndryshuar gradualisht formën e tyre dhe humbasin në hapësirat e pafund. Ja diku, tamam si ajo pika e zeza që lë maja e lapsit në një faqe të bardhë, duken ata lart shumë larg. Brënda tyre janë ata, të ngritur nga kjo pistë fluturimesh, janë shokët e mi të dashuruar përjetësisht me qiellin dhe fluturimin.

Ne ngrihemi në ajër, të vetmuar, të ngarkuar me një arsenal të fuqishëm armatimi për të ruajtur qiellin e pastër, që bari dhe lulet të lulëzojnë për herë, -pushtuam qiellin me kokën drejt tokës, tek Familja.

Mars 1982, pranverë…

Ah, sa shpejt, pa filluar mirë ajo, pa u larguar ditët e ftohta, kjo pistë e zhurmshme ndaloi frymarrjen. Diçka e tmerrshme, e pabesueshme, ishte rezervuar këtë ditë marsi për shokun tonë që sa ishte ngritur në fluturim.

Një shpend fluturus ishte futur në helikën e motorrit të avionit duke e bllokuar atë, – flaka dhe shpërthimi i papritur tronditi gjithçka. Brënda kabinës së avionit, që digjej në ajër rrihte për herë të fundit zemra e shokut tonë, njërit prej pilotëve më të mirë të krejt aviacionit luftarak shqiptar. Pista u vesh me dhimbjen, me veladonin e zi nga gjaku i shokut tonë diku në fund të saj.

Të gjithë ulëm kokën drejt tokës duke e akuzuar atë, por edhe qiellin përse na more shokun tonë, më të mirin shok, përse?

Ecëm në aerodromin e zi me kokën të ulur, në heshtje për pak kohë dhe shpejt qielli na thirri, na magnetizoi dhe sytë u drejtuan drejt tij, ai na priste ta zhurmonim për ato lule që të mos vyshken kurrë.

Në kaltërsinë e qiellit, me krahët fluturues ne vozitëm mbi male, fusha dhe det; në to ne gjetëm moralin, forcën, guximin duke kapërcyer fund pistën e përgjakur; morëm lartësinë duke kërkuar diku në qiell edhe shokun – shokët tanë, ata janë shumë.

Tek kjo fund piste e zezë, aty nuk ishte më ai që na mësoi dhe na drejtoi fluturimin si shokë, larg hiearkise si drejtues, por pilot, i talentuari i ajrit Luto Sadiku. Ai ishte i të gjithëve.

Ai iku duke n’a lënë një mal kujtime, u ngrit përjetshëm në qiell, u preh përgjithmonë midis tokës dhe qiellit.

Dje u përshëndeta me vajzat e tij, ai fliste shpesh për to; ndjeva dhimbje, babi, babi…, nuk ka më për vajzat, por kujtime pafund; pa le shumë mendime vinin, më ngatërronin dhe unë i shtyja me forcë; nëse, nesër për fëmijet e mi ; – mos.

Nuk u vonuam, vijuam traditën, shpejt fluturuam, por rruga është e vështirë, ne e dîmë që ai qiell dhe ky avion kërkon sakrificë, ndoshta, ne nuk friksohemi.

Ne nuk u dorëzuam, u ngritëm në ajër duke realizuar detyrat në perfeksion , më mirë sa ata përtej kufijve tanë, që na shoqërojnë me grykat e topave kundërajrore diku në këmbë të Taraboshit. Ne fluturojmë më mirë se ata pilotë të avionëve moderne ” télécomande”, ishim të frymëzuar nga kjo tokë me emrin: – Shqipëri.

Pilotët heronj ne i vendosim në piedestalin e qiellit, duke i menduar ata diku në qiell në një fluturim të përjetshëm.

Ah…, ne realizojmë ëndrrën duke pranuar dhe vdekjen, piloti luan tërë jetën me vdekjen në emër të një dashurie të madhe,  – të qiellit mbi atdheun e tij. Shumë shoke qiellin e kthyen vendin e tyre të përjetshëm, ne i kemi ngjizur emrin e tyre diku lart, i përjetësuam si një yll që ndriçon në qiellin e dashurisë sublime për atdheun, ndaj ne u ngritëm në ajër për t’i ndriçuar edhe ata.

Qielli na kërkon të jemi vigilentë, të përgatitur pse jo edhe për të dhënë jetën; – ne nuk ia kursejmë atij, shokët e mi ja dhanë, ata janë shumë, – dhimbje! Jemi krenar që atdheu na ka përzgjedhur dhe besuar një arsenal të fuqishëm armatimi bomba, raketa dhe top qe ta ruajmë atë. Ne jemi gati, u betuam në emër të qiellit shqiptare duke marrë rrugën e qiellit, jemi krenar për Ty Atdhe.

Në atë ditë fluturimi isha duke dalë në brezin e ngritjes me avionin Mig 19. Gjithçka që ndodhi e pashe me sy avionin që digjej në fund të pistës. Dëgjova për herë të fundit zërin e Pilotit Luto Sadiku, që luftonte me vdekjen dhe zërin shqetësues të udhëheqësit të fluturimit që ndiqte ngritjen e avionit që përfundoi i djegur në fund të pistës. Me dhimbje u ktheva në bazën e nisjes ku ende shikoja flakë dhe tym në fund të pistës.

Në këto shënime të asaj kohe janë hedhur dridhje zemre pilotësh në rreziqe, aq sa të trishta po dhe aq heroizma fluturuesësh të ndodhur në atë grusht hekurash, përbindësh, përballë egërsisë të të papriturës – fluturim, të natyrës dhe teknologjisë të pabesë.

Në to gjen akoma rrahje zemrash të atyre familjeve pilotësh, ndjen mallin dhe forcën e tyre për t’i përballuar ato. Dhimbje prindërish, bashkëshortësh, fëmijësh dhe shokësh vëllezër, ata vuajnë.

Ato nuk të lënë të qetë, kemi qënë pilot dhe na kanë mbetur shumë shok në lartësitë e qiellit, i kujtojmë me dhimbje….