Fatmir Terziu: Karakterizimi i njeriut të fjalës së lirë në romanin e Namik Dokles, “Kolerë në kohë të dashurisë” 

15
Sigal

Simbolet e shpresës, rezistencës dhe ndryshimit

Përkushtimi dedikues në hyrjen e narrativit të Namik Dokles, “Poetëve të pushkatuar dhe të varur, jo më pak atyre që u vranë shpirtërisht…” duket si një çelës hapës në diskursin përshkrues të njeriut të fjalës së lirë, ku objekti narrativ është diktatori dhe/ose diktatura si një simbol, apo abstraksion, që aludon në realitetin diktatorial në të gjithë faqet e romanit “Kolerë në kohë të dashurisë”.Ndërsa diktatori nuk është personazh në këtë roman, çdo hap lexues i tij ka një personazh (qendror, ose dytësor) që përfaqëson regjimin në fjalë. Nuk është çudi që të gjithë këta personazhe janë vetë protagonistë të fjalës së tyre, sikurse shihet në sarkazmën e fjalëve të deformuara në roman, ashtu sikurse e cilëson vetë autori, pra njerëz të fjalës së lirë, ata të cilët kishin fatin të mbeteshin në kërkimin e fatit dhe vetë jetës së atyre që përfunduan në litar, në ballë të togave të pushkatimit, apo dhe më tej në fijen e perit propagandistik të diktaturës. Ky roman është një diskurs që sjell tërësinë e këtyre fateve në një krahasim se si trajtohen këta personazhe në jetën e tyre të privuar, si përfaqësojnë regjimet në pushtet dhe çfarë përfaqësojnë ndërveprimet e tyre me personazhet e tjerë (veçanërisht padukshmëritë), ndoshta dhe legjendat me të cilat qyteti, gjeografia dhe vetë jeta njerëzore kanë lidhje në atë që vjen, ku shfaqet dhe mbahet për t’u transmetuar si një mision i vetë diskursit me theks të veçantë. Theks i veçantë i kushtohet marrëdhënies midis autoritarizmit dhe demonizimit diktatorial, të cilat nga autori shihen si një dhe e njëjta gjë dhe sesi personazhet reagojnë dhe ndërveprojnë me të gjithë prezencën dhe autoritetin e fuqishëm. Në fillim është vrasja e Poetit, ardhja e motrës së tij, në ditën e gjashtëmbëdhjetë, qasja e narrativit në detajet e jetës në javët e fundit, sendet e lëna, varri i zhdukur, murana e tentuar që të zhduket. Në një ecuri narrative diskursi zbërthen situatën para skuadrës së pushkatimit, urdhërlëshuesin që në simbolikën e autorit ngjan me një „njeri të mbuluar me zhgun të zi, supërkërrusur si ariu kur ngrihet në këmbët e para, që vinte aty për të zhdukur muranën e Poetit“ (Dokle 7).  Shfaqja e imazheve të rënies së trupit të Poetit në murin e rrënuar, ka në fakt vetë simbolikën e goditur të autorit të këtij romani, ku natyrshëm lexuesi i kualifikuar e kupton se mund të vritet e të bjerë trupi i një Poeti, por jo mendja e tij, mendimi i tij, fjala e tij e lirë, dhe nëse rrëzohet muri, nënkuptohet rrëzimi i vetë sistemit, që vret Poetin. “Kolerë në kohë të dashurisë”, i shpallur nga Bedri Zenel Islami, si një nga romanet më të mira, konsiderohet të jetë një kritikë shumë e fortë ndaj vlerave të lirisë njerëzore, aq më shumë të fjalës së lirë, të të gjithë duarve të dukshme e të pa dukshme të vrasësit dhe vrasësve, që pasuan misterin dhe pasivitetin e popullit gjatë viteve më të këqija të represionit. Bëhet fjalë për një histori dashurie mes Antigonës dhe Valmirit, e cila shkon mes diskursit të rrëfimit në variantin më të mirë të na tregoj atë që ka ndodhur në të shkuarën ku gjuha e thatë dhe e drunjtë e një prokurori, zbardh gjashtë pushkatime. Është në fakt një ndarje që dihet, midis fjalës së lirë dhe fjalës së kontrolluar, ndërsa gjuha shkon të zbuloj në formën më të bukur narrative viktimat e historisë. Sikurse e cituam, romani u kushtohet poetëve të vrarë e të varur dhe jo më pak atyre që janë vrarë shpirtërisht, kur dihet se në Shqipëri në komunizëm janë ekzekutuar 4 poetë, Trifon Xhagjika 1963, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka eshtrat e të cilëve u gjetën me pranga të lidhura dhe Havzi Nela që u var më 1988, pa harruar dhe poetin pa varr. Ndërsa romani e thellon diskursin në thelb gjejmë të themi se ndërtesa e tij metaforike godet fort dhe kritikon mungesën e shqetësimit të shoqërisë për viktimat e regjimit, ku gjithashtu kritikon vlerat që ndihmuan në sjelljen e pamatur të një mase të tillë diktatoriale. Duke ditur se, romanet e diktaturës ndahen në tre kategori të veçanta, romani i diktaturës ku objekti i rrëfimit është sistemi diktatorial, romani i një diktatori që bazohet në një figurë konkrete diktatoriale dhe romani i kushtuar vetë diktatorit, romani i Dokles mund të themi është roman i dedikuar diktaturës, sepse aludon në diktaturën më të fundit. Ky roman ndoshta mund të jetë dhe si një modus publik, si një qasje publike e një destinacioni në dy kohë, për atë që vetëm ana diktatoriale e ka bërë me formën e saj më të njohur të primivimit të fjalës së lirë. Edhe shfaqja në narrativ e postierit, njeriut të quajtur ndryshe, marrësi dhe shpërndarësi i postës sekrete, udhëzimeve dhe vendimeve qeveritare, ka një simbolikë në këtë pikë, pikërisht të cilësimit të llojit të vetë të romanit në fjalë. Në këtë simbolikë futen brengat e motrës për Poetin e vrarë dhe format diskursive duken se janë normale për çdo motër në një situatë të tillë. Megjithatë, në vend që të përpiqet të kuptojë vrasësit dhe sherbëtorët e tyre dhe të zbulojë, pse sistemi demonstron këtë padukshmëri dhe shtirrje, e gjitha nënkuptohet se është dhe mbetet kundër regjimit, ajo pushtohet nga ankthi, por dhe nga sjellja e saj e kulturuar “dora e saj e butë ma fshiu lotin për faqesh, pa thënë asnjë fjalë” (Dokle, 9). Dhe natyrisht skena i lihet postierit në këtë pikë, ku goja e tij, goja e njeriut të përzgjedhur besnik të sistemit, sqaron: “Ky rrinte në një dhomë me vëllain tënd, – tha postieri …dhe vazhdoi rrugën” (po aty). Një histori në veçanti, fokusohet në mënyrën se si shqetësimet e një motre të shqetësuar, u përgjigjen rrethanave diskursive, që në fakt vetëm se janë një dritë më shumë në këtë qasje të diktaturës, aq më shumë me paragrafin e cituar të postierit, që natyrshëm ndriçon mjaft, ku nënkuptohet se kolera është komunizmi. Vetë autori diku ka sqaruar kështu: “Havzi Nelën e kam njohur që herët. Xhaxhai i tij dhe babai im kanë pirë gjak, pra kanë qenë vëllezër. Havzi Nela u gjet i varrosur jo horizontalisht, por vertikalisht, në një gropë të një shtylle telefoni. Për fat të keq u gjet pa kokë, koka nuk iu gjet asnjëherë” (Dokle në prezantimin e romanit). A është një detyrim moral, apo falje publike për atë që ka ndodhur me poetët e vrarë e të pushkatuar, apo dhe më tej në këtë narrativ? Në faqet e narrativit është edhe figura e kryetarit të kooperativës, që në fakt shtjellon vetë thelbin e dështimit të sistemit, figurën e tij reale, injorancën dhe sfidën që vjen nga intriga ku thelbin e sarkazmës e ka fjala e lirë, si në rastin e letrës së varur në derën e tij (fq. 11). Ai ka pikëpamje arrogante që nënkuptohen në simbolikën e “metaforë leshi” (fq. 10). Një pikëpamje e tillë është e nevojshme për të mbështetur politikën diktatoriale dhe autoritare (196). Kjo tregon se aspiratat politike të këtyre personazheve përfaqësojnë forcat që kulmuan me instalimin e regjimit dhe që mbajtën atë gjallë për një kohë të gjatë. Kjo në tërësinë e saj pasqyron gjithashtu teoritë e Michel Foucault mbi marrëdhëniet e pushtetit, ku fuqia rrjedh përmes ligjërimit. Poeti dhe kryetari i kooperativës parodizojnë ndërveprimin mes masës dhe diskursit dhe mënyrën se si njerëzit manipuloheshin prej tij. Nëpërmjet këtyre dy personazheve Dokle është në gjendje të tallet me regjimin dhe sjelljet injorante që ndihmuan në mbajtjen gjallë, dhe diktaturën në pushtet, ku përfshihet edhe vetë prezenca rrogëtare, e parodizuar nga përdorimi i “Burrat tanë, burra muti” (fq 11). Historia pasqyron shumë mirë edhe rrjedhën e mëpasme deri në demonstratat e fillimviteve 1990, ku çifti i dashuruar, Antigona, një emër i vendosur nga Poeti, që është dhe daja i saj dhe Valmiri, shoku i saj, nisen në kërkim të eshtrave. Jo më kot autori këtu sqaron se të dy kanë marrë pjesë në demonstratat e dhjetorit, pra duke e zhvendosur tashmë narrativin në dykohësi. Prandaj, narrativi i romanit duket se fiton vetë kontrollin e tërësisë. narrative të dykohësisë, vetëm për të mos ta humbur atë që ndihmon diskursin e vetë postulatit të Fukosë, jo vetëm kur shpërthen “po për ideal të partisë, tridhjetë e tre ishin, i numëroi kryetari i degës së brendshme”, por dhe kur ngre alarmin retorik “O Zot, pse na lëshove doret?” (fq. 21 dhe fq. 216). Marrëdhënia e narrativit me krijimin e kontakteve të vazhdueshme është e pazakontë në shumë nivele. Ajo duket se po pushton territorin kur hyn në tekst, por duket se ka marrë përsipër vetë lidhjen diskursive me rrëfimin. Narrativi i këtij romani mes fjalëve që shpërthejnë në faqet që pasojnë tridhjetë e shtatën, ku pas “gjyqit të qenit” vijnë dhe një sërë proklamatash të regjimit në formën më sarkastike dhe të devijuara për humor, kritikon sesi u shkatërruan njerëzit gjatë diktaturës. Kjo bëhet ose në mënyrë metaforike (si përmes shpërthimit të protagonistit) ose fjalë për fjalë duke treguar efektin e regjimit në fjalën e lirë. Prandaj, fakti që autori e sheh regjimin si përkeqësim të shoqërive, reflektohet në mënyrën se si personazhet e lirë në këtë roman përfaqësojnë deri diku rezistencën. Kjo përforcon gjuhën e bukur e të përzgjedhur të autorit, tashmë me një eksperiencë të madhe në fushën romanore, kulturën e gjerë dhe fine të komunikimit, të mesazhit mjaft të kuptueshëm e të qartë, të vetë narrativit fleksibël, të tërësisë së diskursit simbolik. Kjo tërësi elementesh në roman është përdorur në mënyrë perfekte si instrument për të treguar se pushteti politik dhe bindja në sferën publike janë dy dimensione që lënë gjurmë, dhe që zhduken nga gjurmët, si në rastin e kërkimit të eshtrave. Në atë që ne kemi ardhur ta kuptojmë e që na vjen si një metaforë më vete, për prokurorin, që bëhet si “një grusht njerëzor në shkallët e pallatit ku banon” duke dëgjuar “ti je vrasësi, mashtruesi, hetuesi, manipuluesi, pushkatuesi, ti je” ne nënkuptojmë simbolikën e të dukshmes e të padukshmes, që në këtë rast edhe pse dihet cila dorë është vrastare, autori, nuk e di pse kërkon ta zbresë poshtë tek ai që ishte një rrogëtar i sistemit diktatorial (fq. 208-209). Nëse aspektet e fshehta dhe të padukshme të “propagandës së egër” kanë qenë objekt i shumë hetimeve, taktikat kulturore të favorizuara nga vetë regjimet autoritare, të tilla si ato të dukshme, ose të padukshme janë shoqëruar kryesisht me taktikat e hapura represive të censurës dhe persekutimit. Duke u nisur nga kjo paradigmë dikotomike, ky roman merr në pyetje edhe një rast të manipulimit kulturor, që nuk binte në sy që ndodhi brenda vetë asaj që quhet arrogimi i diktaturës. Një pikë referimi me shtrirje të gjerë, mbetet vetë Poeti, apo poetët që vdiqën nën kthetrat që mbajtën gjallë pushtetin, nga vetë struktura dhe ideologjia diktatoriale. Poezia e Poetit, ndoshta dhe e tërë poetëve në këtë ndërrmarje narrative flet qartë se flet edhe nga vdekja në emër të lirisë së fjalës, sidoqoftë, në emër të saj, ky narrativ është vetëm një proces i mënyrave delikate në të cilat format diksursive, kulturore dhe emblematike mund t’i rendisin për qëllimet e kuptimit në thelb të diktaturës, dhe sistemit autoritar. Duke përfunduar mund të themi se Namik Dokle vërtet ka realizuar një roman të bukur. Tek narrativi i tij bie në sy karakterizimi i njeriut të fjalës së lirë dhe mes kësaj fuqia magjike e talentit të Dokles na ka prurë në pasqyrë vetë simbolet e shpresës, rezistencës dhe ndryshimit.