Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Enver Bytyçi: Shkrimtari dhe mësuesi im, Zija Çela

17
Sigal

Telegraf.al / Sa herë flas me miq për letërsinë dhe bie fjala për shkrimtarin e madh Zija Çela, Nderi i Kombit, më bëjnë përshtypje dashuria dhe respekti i lexuesve të shumtë, që shprehin aq ndjeshmëri. Për mua është hera e parë që shkruaj për Zija Çelën. Jo se nuk kam dashur. Por e kam parë veten në vështirësi që të gjej fjalët e duhura për t’u shprehur publikisht. Edhe sot nuk mund t’i gjejë ato fjalë që meriton. Ose më saktë nuk mund t’i shpreh, edhe pse mendja ime i përsërit një e nga një e vazhdimisht vlerësimet e epërme për shkrimtarin e ndritur. Madje, për Zija Çelën më shumë sesa mendja më flet zemra e shpirti. Dhe ka arsye. Kam qenë vetëm 13 vjeç, kur e kam njohur. Isha nxënës i klasës së shtatë në shkollën dhe konviktin “Skënderbeu” të Krumës në Has. Zija Çela erdhi nga Helshani në Krumë së bashku me të shoqen, zonjën Aliqi. Ata kishin një vit që kishin mbaruar studimet e larta dhe, meqë shkrimtari kishte marrë mbi vete “barrën” biografike nga e shoqja, i kishin emëruar në një fshat, që ndante Kukësin nga Tropoja dhe ku nuk kishte as elektrifikim.

Aty, nën dritën e kandilit, Zija Çela do të shkruante librin e tij të parë me tregime. Ata jo vetëm erdhën mes nesh, por jetuan me ne në konvikt, ku kishin një dhomë e zgjoheshin me zile si të gjithë konviktorët. I kishim të dy mësuesit më të mirë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe kujdestarët tanë më të vëmendshëm, më të dashur. Luanim baskeboll e volejboll së bashku. Nganjëherë edhe futboll. Na donte, na përqafonte si të ishim të një familjeje. Aty në konvikt u bënë me Dritanin, që edhe ne na solli gëzim. Kur prindërit ndodheshin në shkollë duke dhënë mësim, dera e asaj dhome rrinte gjithnjë çelë dhe ne e mbanim foshnjën në krahë, luanim me të. Nëse qante dhe nuk arrinim ta pajtonim, ashtu hopa ia çonim mësues në klasë: “Oj zonjushë, po qan voci!”. Skena që Zija Çela i ka përshkruar në mënyrë të paharrueshme në librin e tij “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Ne ishim adoleshentë, por të përgjegjshëm. Asokohe profesori dhe modeli ynë, Zija Çela, ishte dhe mbeti mësuesi që vuri themelet në dijet tona. Shpesh herë them se, nëse jam ky që jam sot, meritë të jashtëzakonshme ka Zija Çela. Ai nuk na kërkoi kurrë të ishim perfekt. Por na ngjizi perfeksionin në të mësuarit e të nxënit e dijes. Na dha vullnetin e leximit dhe të mësimit. Na motivoi si askush tjetër për të sfiduar kohën dhe limitet e vullnetit tonë. Në një vit do të lexonim së paku 100 libra të letërsisë për fëmijë. Madje edhe romanet e të rriturve. Zija Çela na bëri që të ishim të parët në rrethin e Kukësit në olimpiadat e letërsisë. Ishte ai që, nganjëherë, edhe në mesnatë na vinte te krevati e na pyeste nëse e kishim krijuar poezinë ose jo, nëse e kishim përfunduar leximin e librit të radhës ose jo! Ishte kërkues, ishte krijues, ishte liberal dhe na krijonte armosferën e një familjeje të përbashkët. Edhe pse ishte mësuesi ynë, nuk kishte ndonjë diferencë të madhe moshe, çka na jepte më lehtësi në komunikim. Vetë mësuesi bënte shaka, hidhte batuta e kënaqej edhe nëse dikush prej nesh ia kthente po me shpoti. Kurrë nuk u bë nervoz me ne, nxënësit e klasës së shtatë e të tetë në vitin tjetër. Kurrë nuk e ngriti zërin. Prandaj asnjëherë nuk bëmë ndonjë truk për të mos zhvilluar orën e mësimit, siç bënim me ndonjë mësues tjetër, duke ia zënë sobës oxhakun për ta mbushur klasën me tym, apo duke futur breshkën në sirtarin e shkumësave.

Zija Çela ishte ndryshe, unik, dhe i tillë mbeti edhe si shkrimtar gjatë gjithë jetës së tij. Ndoshta pse, i lindur në Shkofër, ishte fëmija i shtatë i dy prindërve punëtorë, njëri prej të cilëve, babai, u nda nga jeta duke e lënë vetëm pesë vjeç. Ndoshta se vetë ai i kishte kaluar vështirësitë e jetës njësoj si ne. Ndoshta për të gjitha këto së bashku. Por ai vetë u realizua dhe u plotësua në jetë më mirë se shumëkush, sepse gjeti fuqinë, motivin e jetës dhe u ngrit me guxim kundër së keqes, madje edhe kur humbi Dritanin e shtrenjtë, përkthyesin me flatra, siç e kanë cilësuar. Të tilla i ka dhe veprat letrare. Në Has dhe në Kukës, Zija Çela shkroi katër vepra, deri te “Një verë pa lamtumirë”, romanin që desh e murosi me një lamtumirë të hidhur, si ajo që prodhonte diktatura. Në Helshan, Krumë dhe Kukës ndenji një dekadë, së bashku me mësuese Aliqin, Dritanin e Rivierën e vogël. Për ca kohë punoi si gazetar. Në udhën e gazetarisë më futi Zija Çela. Thonë se asgjë nuk ndodh rastësisht në këtë botë. Kjo do të thotë se jam krenar që mësuesi e modeli im i pakontestueshëm as sot pas 50 e ca vitesh ishte shkrimtari i madh, emri i shquar i letërsisë shqipe, Zija Çela. E me këtë rast, thjesht, po vë në dukje se ai na dha ne lexuesve 31 vepra letrare me tregime, novela e shumica romane. Na dha kumtin e krijimtarisë. Sepse në veprën e tij nuk gjen ujë të burimeve të ndotura ideologjike, politike apo perverse. Eshtë krijimtaria e një shkrimtari të përgjegjshëm për ndikimin e tij në publikun shqiptar. Eshtë semantika që lidh botën shpirtërore të njeriut me nevojën e formimit kulturor të kombit. Për mua, duke vlerësuar individualitetin e krijimtarisë së tij, Zija Çela mbetet një shkrimtar i papërsëritshëm. Ta lexosh Zija Çelën ndjehesh në fund si pas një terapie psiko-analitike me Frojdin ose Jungun. Ta lexosh Zija Çelën mëson se si përjetohen kategoritë e ndjenjave njerëzore, gëzimi e hidhërimi, malli, dhembja, dashuria dhe humanizmi. Veprat letrare të Zija Çelës janë, në një kuptim metaforik, kodikë e kode të shoqërisë shqiptare. Asnjë letrar nuk ka mundur ta imitojë stilin e të shkruarit në detaje të Zija Çelës, madje është thënë se per individualitetin e tij nuk ka as paraardhës. Zija Çela është dhe mbetet i papërsëritshëm. Unik në krijimtari, unik në paraqitjen e tij para publikut! Unik për mesazhet që jep! Unik në urtësinë dhe mençurinë e tij! Aq sa kur del në ekranet e televizioneve, tërheq menjëherë vëmendjen dhe vlerësimin e shikuesve. Në këtë kuptim, Zija Çela na shërben edhe si modeli i ndërtimit të shoqërisë sonë. Ja përse nuk është e rastit qe edhe në ditëlindjet e tij ndjeshmëria mirëpritëse e lexuesit është aq e ngrohtë.