Ylli Polovina: 30 janar 1968, dëshira e madhe për të ndjekur San Remon

273
Sigal

Kujtimet e gazetarit Ylli Polovina:

 

Si pritej ardhja e Shaban Demirit kur jashtë derës lëvizte silueta e menduar e Sokol Jakovës.

 Si u pëlqye poema ime “Kënga e një qyteti”

 Në këto kujtime pa redaktim, vjen si në film jeta në sistemin monist. Varfëri, dëshirë për librin, dëshirë për të dëgjuar San Remon, për të hedhur shikimin jashtë telave me gjemba të Shqipërisë. Dëshira shumë, por realiteti ishte i zymtë. Jetë në ankth. Krijimtaria mbetej një ndër dëshirat dhe lehtësimet shpirtërore të autorit. Gazeta “Drita” mbetej muzika shpirtërore më e bukur për të…

(Përkthime teknike nga industria e tekstilit si edhe artistike nga Bodler, Gëte, Max Jacob, Gijom Apoliner…)

 30 janar 1968

Është vonë. Rrotull 11.00. Dëgjova San Remon. Po fillojnë të më dalin nga zemra shumë këngë italiane.

8 shkurt

Kam përkthyer manualë teknikë për tekstilin, Kombinatin e Beratit, këto dy ditë dhe e kam trurin shumë të lodhur…Koha është e ftohtë, e përhimtë dhe dihet se përhimësia sjell gjithnjë dëborën. Po pregatitem të dal. Dua të marr ndonjë libër artistik në bibliotekë. Jam fare pa lekë. Është ora gati 4 dhe unë s’kam ngrënë drekë.

19 shkurt

Bleva një palë këpucë që më çmëndën nga këmbët. Mallkuar qoftë e gjithë industria e këpucëve, që s’bëri njëherë nr. 45. Nga ana tjetër, i fus edhe vetes një mallkim të fortë që e kam këmbën kaq të madhe.

21 shkurt

Një ditë jashtëzakonisht e bukur. Një dhimbje koke dhe pesëdhjetë lekë në xhep.

23 mars

Një xhiro e lodhëshme nëpër Tiranë, nga “Broduej” deri në “Bulevardin e Borgjezisë”. Veshur shik me këpucë ushtarake.

30 mars

Është e djelë. Në gazetën “Drita” është botuar një poezi e imja. Filloi starti drejt qëllimit. Duhet dhënë një goditje e fortë me poemën mbi Beratin. Sot e mbarova. S’ka dalë gjë e keqe. Disa korigjime të vogla dhe do ta çoj tek “Drita”.

Përsëri jashtë nisi të bjerë shi. Duket sikur po vjen dimër.

1 prill

Jam shumë i lodhur. Të tërë ditën kam përkthyer, 60 faqe përkthim brënda një dite. S’i thonë shaka.

2 prill

Përkthim intensiv. Poema ime “Kënga e një qyteti” u pëlqye.

3 prill

Megjithëse jo me shumë rendiment, normën e përkthimit për sot e mbarova. Duhet të eci fort në poezi, ndryshe përfundova në vetëvrasje (natyrisht figurativisht).

6 prill

Kjo mesnatë e grisur nga shkëlqim reklamash

Shkund këmbët e ngrira në udhëkryq.

Njerëz të mardhur gëlltisin “Baret” e shpejta.

Mbas xhamave të djersitura lëkunden hijet.

Yjet në qiell,

si copëza qelqesh mbi asfalt të lagur.

Udhëkryq.

Bashkë me natën përtyp mendimet e shqetësuara të ditës.

28 tetor 1969

Pastiçeri “Flora”, ora 15.23.

Jam gati të qaj. Askush s’më kupton. Të kesh një dhimbje kaq të madhe dhe të mos kesh mundësi t’ja zbrazësh dikujt…

E përsëris: Jam në udhëkryq dhe në udhëkryq shtypen më tepër njerëz.

1 nëntor

Udhëkryqi s’më ndahet nga sytë. Sot do të vete në Shtëpinë Botonjëse për të dorëzuar vëllimin “Qyteti im” …Nga e gjithë kjo kohë varet dhe humori i ditëve që do të vijnë.

Ora 1.20

Dorëzova vëllimin “Qyteti im”. Do të bashkëngjitet me të parin. Pritja shëmbullore dhe me shumë shpresë.

2 nëntor

Ora 8.25. Para gjysëm ore lexova vendimin e dekanatit, ku krahas tre shokëve të kursit ndodhej dhe emri im për paralajmërimin e fundit për përjashtim nga fakulteti. Vendimi ish madhështor dhe qenë përdorur e kuqja dhe e zeza. Unë kam vetëm një ankesë: që s’kishin instaluar sot edhe megafon të fortë nëpër të gjitha anët e fakultetit dhe nëpër auditore, ku zëri i ngrohtë dhe babaxhan i A.D. t’u bënte studentëve të ditur vendimin e mësipërm.

Vendimi im: Do të pres 15 nëntorin dhe s’do të interesohem për këtë vendim shovinist. Rrugës do të bëj sikur s’e çaj kokën fare. Do të qesh për inat gjithë ditën.

 

18 nëntor, auditori i famshëm 4

Ora 18.55. Bëhet mbledhja për sjelljen arrogante dhe cinike të shoqeve tona A.G. dhe Dh.L. Mbledhja po bëhet e fortë dhe po vjen era djersë. A.G. dhe Dh. L. qëndrojnë të pamposhtura.

Nga rroga që marr përmuajshëm në Kombinatin e Tekstileve më erdhën lekët për pardesynë.

15 dhjetor

Ora 8.10. Leksioni i estetikës. Profesori po mundohet të na lexojë sonetin e ngjyrave të Artur Rembosë.

17 dhjetor

Ora 18.12. Restorant “Durrësi”. M’u mbaruan lekët.

 

18 dhjetor

Ora 7.50. Auditori 4. Pritet ardhja e Shaban Demirit. Zhurmë dhe të qeshura. Jashtë derës lëviz silueta e menduar e Sokol Jakovës. Të katër orët unë do të përkthej diçka.

Ora 9.45. Auditori 4. Mark Gurakuqi theu një dyzinë shpresash për të ikur nga kjo orë. Erdhi. Dhe erdhi me atë ecjen e qetë dhe krenare.

Ora 18.45. Dhomë. Më kërkojnë tek “Nëntori” një cikël poezish.