Stavri Kristo: Takimi me Ramiz Alinë dhe Paçramin në Moskë

542
Sigal

 

Dorëshkrimet e ish – gazetarit të Radio Moskës, Stavri Kristo:

-Si më thiri në takim Ramiz Alia me Fadil Paçramin në Moskë

-Fadil Paçcrami kur ishte kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, më kishtë dërguar shpesh me shërbim, si i dërguar i posaçëm

-Ramiz Alia: Kemi dy materiale tepër sekret që duam të na i përkthesh njerin nga shqipja në rusisht, dhe tjetri, një artikull kinez, i botuar në shtypin sovjetik

– Taktika “hiq e mos e këput” e Enver Hoxhës në marrëdhëniet me Hrushovin

Takimi me Ramiz Alinë në moskë

Një ditë, andej nga fundi i tetorit 1961 më thërrasin në Ambasadë: – Ju kërkon shoku Ramiz më tha i dërguari. Ju pret në çdo kohë. Unë, kuptohet, pa e vrarë mendjen fare, shkova pas tij menjëherë…

– Shoku Ramiz është i zënë dhe lirohet pas tridhjetë minutash, më tha shifranti, tek i cili më dorëzoi shoqëruesi… Më la të nënkuptoja se ishte në ndërtesën e Ambasadës, po se ku nuk më tregoi. Ku ishte vallë? Një mendje më tha se qe futur në kafazin me hekura të trashë të “shifrës” dhe bisedonte me udhëheqjen në Tiranë. Me siguri për gjëra shumë sekrete që as shifranti “i superbesuar” s’kishte pse t’i dëgjonte… Këtë mendim ma përforcoi fakti që atë gjysëm ore shifranti qëndroi me mua dhe më mbajti “me muhabet”… Ndërkaq më thërriti Ramiz Alia. Kishte qenë vërtet në “kuvlinë e shifrës”, sikurse e mora me mend unë. Kjo u kuptua sakaq sepse më priti rreth një tavoline të vogël në korridorin që lidhte dy zyrat (shifrën dhe atë të Qinetit). Së bashku me të ishte edhe Fadil Paçrami. Më dha dorën, pa u ngritur nga vendi, i përqëndruar në një letër që e mbante “me kimet” si ndonjë trashëgimtar i “përvëluar” tapinë e arrave të babait, ndërsa Fadil Paçrami më përqafoi në heshtje, me atë buzëqeshje e tij të përmbajtur që buronte dashamirësi… Me sa dukej propozimi për të më thërritur mua kishte dalë prej tij… E dija se ai kishte respekt dhe më vlerësonte si gazetar. Shpesh, para se te vinte për studime në kursin e lartë të Shkollës së Partisë në Moskë, kur ishte kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, më kishtë dërguar shpesh me shërbim, si i dërguar i posaçëm, pasi, sikurse kishte thënë në një rreth shoqëror në praninë e shokëve të mi “ai djalë i qan me lot përshkrimet direkte nga qëndrat e punës dhe të prodhimit…” Madje një vit, andej nga 52-shi, në rast se nuk gabohem, më dërgoi me shërbim një muaj rresht në kantierin e ndërtimit të “Rrugës së Dritës” dhe digës së Ulzës, ku shkrova një cikël përshkrimesh… E mori fjalën Ramizi:

  • E di pse të kemi thërritur, apo jo, – pyeti ai, duke i shoqëruar fjalët me një buzëqeshje paksa ironike?
  • Jo, iu përgjigja me të njëjtin ton, por e marr me mend: Gomarin për dy gjëra e ftojnë në dasëm: O për ta ngarkuar me ujë, o me dru… Qeshën të dy.

Ramizi vazhdoi: – Kemi këtu dy materiale të rëndësishëm që duam të na i përkthesh me merak të madh, njerin nga shqipja në rusisht, një material i rëndësishëm i Partisë sonë dhe tjetri, një artikull kinez, i botuar në shtypin sovjetik…

  • Atë nga rusishtja në shqip e përkthej me dëshirë, tjetrin nuk mundem. Unë për të ruajtur pastërtinë e shqipes, përkthej vetëm nga rusishtja në shqip… Ndryshe shkartis dhe llakaçit gjuhën e nënës. Po të dëshironi mund t’i them ndonjë shoku në redaksi që e ka rusishten gjuhë të nënës…

Ramizi shpërtheu në gaz me një të qeshur paksa të hollë prej adoleshenti:

  • Ç’thua, more, je në vete ti?! Dhe një ndjenjë ironie e thellë përshkoi përsëri, vegimthi, si hije nepërke buzët e tij të holla… – Dëgjo, materiali është tepër sekret, nuk ua japim dot sovjetikëve… Po ani, mos u kastigo, s’prish punë, lere atë dhe na përkthe artikullin kinez… Fadil, jepi, të lutem, atë materialin për debatin sovjeto-kinez në Këshillin e Përgjithshëm të Federatës Botërore të Bashkimeve Profesionale… Mund ta marrësh me vete po të duash dhe, me ta mbaruar, telefono në Ambasadë, dërgoj njeri ta marrë.

– Jo, i thashë, e sjell vetë, jam me lejën e provimeve…

– E po mirë atëherë, mirëupafshim, tha ai dhe më zgjati dorën. Fadili më përqafoi përsëri…

Taktika “hiq e mos e këput”

Taktika “hiq e mos e këput” e Enver Hoxhës në marrëdhëniet me Hrushovin: shtirja dakord sa për të shpëtuar kokën nga gijotina e Kongresit XX, si dhe përpjekjet intesive për të gjetur mbështetje te Kina e madhe e Mao Ce Dunit, më në fund, i dhanë frytet e veta. Mendimi se mosmarrëveshjet midis PKK dhe PK të BS duheshin mbajtur të fshehta sepse publikimi tyre mund të dëmtonte unitetin e lëvizjes komuniste dhe punëtore ndërkombëtare, u kapërcye. Tanimë PPSH dhe PKK ishin në sinkron të plotë pothuajse kundër të gjitha tezave të Hrushovit. Fillimi i një sulmi të hapur kundër revizionizmit hrushovian në të gjitha frontet po paraqitej si mision historik për ruajtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit… Dhe më e interesuara për të filluar betejat e hapura ishte pikërishte PPSH, Enver Hoxha. “Lufta e tij parimore”, si një sixhade e madhe persie do vazhdonte të mbulonte çdo ckërfitje në muret e “kështjellës së kuqe” të Ballkanit, si për opinionin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm, s’ do të linte të dukej asnjë grimë e frikës se mos ndodhte edhe në Shqipëri si në vendet e tjera të demokracisë popullore që Hrushovi, në vazhdim të zbatimit të vendimeve të Kongresit XX do të impononte ndërrimin e udhëheqjes në mënyrë që edhe Enver Hoxha t’i bashkohej gardës së vjetër të “sekretarëve të parë”: Godvaldit dhe Kolarovit, Rakoshit dhe Ulbrihtit… Aha, Hrushçov ta hodhi Enver Hoxha! Ai “po u del për zot” parimeve marksiste-leniniste në të gjithë botën për krah Kinës së madhe të Mao Ce Dunit! Kjo ishte një fitore e madhe: S’ishte shaka të kishe aleat një vend të madh si Kina për të siguruar, jo vetëm mbështetje ideopolitike, por edhe ndihmë konkrete ekonomike në rast bojkotimi nga ana e sovjetikëve, që e kishin përdorur dhe po e përdornin ndihmëm e tyre si mjet presioni … Rroftë Kina e madhe popullore! Rroftë Mao Ce Duni! Poshtë Hrushovi! Në sulm, përpara!

Momenti i fillimit të sulmit të hapur kundër revizionizmit hrushovjan u zgjodh me kujdes: Në Bukuresht prej datës 24-26 qershor 1960, zhvilloi punimet Kongresi i Partisë Punëtore Rumune. Pikërisht atë mbledhje Hrushovi e kishte përgatitur për të dënuar PK të Kinës. Atje do të mblidheshin kryetarët e delegacioneve pjesëmarrës dhe (për këtë Hrushovi nuk kishte asnjë dyshim), do të dënohej PKK si trockiste dhe antimarksiste.

Mirëpo Hrushovi i kishte bërë llogaritë pa hanxhinë dhe i doli e kundërta: Në këtë kongres Enver Hoxha nuk shkoi fare. (Mungesa e tij u justifikua me faktin se përfaqësuesve shqiptarë, demede, u mungonin kundërargumentet kineze dhe, e dyta, udhëheqja e PPSH nuk donte të shfaqte pikpamjet e veta pa e diskutuar problemin paraprakisht në mbledhjen e Komitetit Qëndror të PPSH për të marrë një mendim sa më të gjerë). Në vend të tij u dërgua atje Hysni Kapo. Kjo ishte e papritura e parë për Hrushovin. E papritura tjetër për të ishte fakti se Hysni Kapoja që në seancën e parë të mbledhjes së kryetarëve të delegacioneve, sapo Hrushovi shtroi problemin, doli në mbrojtje të PKK dhe u shpreh që marrëveshjet midis Kinës dhe BS të mos diskutoheshin në këtë mbledhje, por të caktohej për diskutimin e konflikteve në marrëdhëniet BS-Kinë një mbledhje tjetër. Arsyetimi i delegacionit shqiptar ishte aq bindës, sa qe të gjithë vendosën që kjo mbledhje të zhvillonte punimet në Moskë, në fillim të nëntorit… Dhe, siç dihet tanimë, në Mbledhjen e Moskës morrën pjesë delegacionet e 81 partive komuniste dhe punëtore nga e gjithë bota… Ja, aty, në atë mbledhje, Enver Hoxha hoqi nga brezi koburen dhe dha sinjalin e sulmit: Ndër problemet kryesore që ngriti ai para gjithë lëvizjes komuniste dhe punëtore të botës ishin kundërshtimi i tezave të Hrushovit për bashkekzistencën paqësore mes vëndeve me sisteme te ndryshme shoqërore, çështjet e luftës dhe të paqes, marrja e pushtetit në rrugë parlamentare, etj., etj. “Ne jemi për këto, u shpreh Enver Hoxha, por pa i bërë lëshime imperializmit”. (Ai denoncoi kërcënimin e Kozllovit me dilemën: “Ose bashkekzistencë paqësore, ose bomba atomike mbi Shqipërinë…). Enver Hoxha ngriti edhe problemin e mungesës së diskutimeve konsultative të rregullta të shumë problemeve të përbashkëta që kanë sjellë zëvendësimin e tyre me inisiativa politike individuale, të cilat kanë dëmtuar të gjithë anëtarët e tjerë të Kampit Socialist, duke kritikuar konkretisht qeverinë bullgare, e cila, pa u konsultuar me kërkënd, kishte ndërmarrë inisiativën për çarmatimin e vendeve të Ballkanit pa patur fare parasysh Italinë e armatosur deri në dhëmbë, si dhe Gomulkën, i cili kishte bërë propozime që e dobësonin fuqinë mbrojtëse të vëndeve socialiste përballë Greqisë, Italisë dhe Gjermanisë Perëndimore…

Mbaj mend se Sovjetikët, të paktën anëtarët e redaksisë sonë, ky qëndrim i Enver Hoxhës i tronditi shumë. Nuk e prisnin. Sapo takoja ndonjerin prej tyre (unë vazhdoja të isha me lejë), më hidhej si të isha Sekretar i Parë i Komitetit Qëndror të PPSh dhe ta mbaja unë përgjegjësinë për çka kishte ndodhur… Ndër shokët dhe miqtë e mi ishte indinjuar dhe tronditur shumë, sidomos, Aleksej Tarnaevi që kishte qenë vetë i pranishëm në sallën e Mbledhjes, në rolin e përkthyesit. “Ik, ik, ik! S’dua të të takoj fare, më tha, kur u takuam, duke shtyrë të dy duart përpara, sikur donte të mos më shikonte më kurrë. I kam dashur shqiptarët si vëllezër, kokën lija për ta, por jam zhgënjyer: Mercenarë, tradhëtarë që e shesin vëllain për 30 aspra ja si e paraqitën veten Enver Hoxha me shokë… Pabesi, mashtrim, akt tinzar, ja ç’ishte qëndrimi i Enverit tuaj”, më tha me zë të dridhur nga indinjata…(Çudi, por ai Aleksej i qetë dhe i përmbajtur s’fliste dot nga emocionet, i dilnin fjalët gjysma-gjysma e copra-copra, sikur t’i kishte ngelur diçka në fyt…)

U përpoqa t’i paraqitja argumentet që njihja, sidomos, ato që më kishin ngelur në mend nga përkthimi i materialeve kineze për Ramiz Alinë, por ai as që deshi të më dëgjonte dhe u largua i zemëruar…

Çudi me këto vëndet që kanë shtete të centralizuara: mjafton të japë “i pari” një sinjal, një nojmë, të bëjë sikur kafshon paksa buzën e poshtme, për shembull, dhe të gjithë, nëpunësit e institucioneve shtetërore, heshtin, rrinë “sus”, ose e kundërta: Mjafton të japë ai, “i pari”, sinjalin për sulm dhe të gjithë shndërrohen në partizanë të flakët të çështjes, në agjitatorë, për të mos thënë në altoparlantë të vërtetë… Kjo përshtypje m’u forcua mua, sidomos, pas Mbledhjes së Moskës në marrëdhëniet e shokëve dhe miqve të mi rusë me mua… Sigurisht, duke ruajtur korrektësinë formale që u impononte edukata, ata, shokët dhe miqtë e mi rusë, pas Mbledhjes së Moskës, ndryshuan qëndrimin e tyre aq mirëdashës si me urdhër të peshkut … Apo vallë kështu më dukej mua? Jo, jo, kishte diçka të vërtetë që përpiqeshin ta fshehnin.

Më kujtohet se andej nga java e parë e nëntorit më thërret me telefon në zyrën e vet shefi i administratës së Radios së Jashtme dhe pa atë mirësjelljen, respektin dhe buzëgazin e tij të zakonshëm, më njofton: “Leja për provimet e këtij sezoni dhe punën e kursit ju ka mbaruar. Ju duhet të më sillni një vërtetim nga dega mësimore e Universitetit se nuk keni ndaj shkollës asnjë detyrim, që të përcaktojmë pastaj datën e lejes për mbrojtjen e diplomës. Po kështu më sillni, bashkë me vërtetimin dhe librezën e notave… Mirë? Kaq. Ja për këtë iu desha”…

Shkova u përplasa sakaq te Oksana. Me siguri do ta ketë marrë vesh ajo dhe do të më sorollatë, thashë me vete? Bijë oficeri… Po kisha gabuar. Ajo nuk kishte ndryshuar fare. Posi, ore, më tha shqip, në vend: “Eja nesër ta marrësh. Unë mund të ta përgatisja që tani, por duhet firmosur nga shefi dhe ai sot gjithë ditën nuk do të jetë në zyrë”…

Vajta të nesërmen dhe gjithshka ishte gati. Madje Oksana, duke pasur përvojen e saj në këtë fushë, përveç dokumenteve që kërkonte shefi i administratës, kishte shënuar edhe datën e mbrojtjes së diplomës… Sot shefi m’u duk paksa më i butë, më dashamir dhe, si gjithmonë, e zgjati disi bisedën. Ç’kishte ndodhur? Me siguri dikush i kishte bërë ndonjë nojmë… Pasi i pa të gjitha dokumentet, shefi më propozoi: “Tani deri në fund të shkurtit ju do të vini në punë. Në muajin prill, për t’i dhënë diplomës, si i thonë fjalës, dorën e fundit, unë kam mendimin të shkoni në ndonjë shtëpi pushimi. Ne kemi mundësi të shkëmbejmë me ndonjë dikaster apo institucion tjetër një fletë kampi njëmujorshe dhe shkoni e punoni të qetë”… Pastaj më pa ngultas drejt e në sy dhe vazhdoi me tonin e dikurshëm miqësor. “More se nuk na ka rënë rasti të flasim, po për t’u larguar në Shqipëri ç’u kanë thënë?”. “Më kanë prerë biletë avioni për datën 6 qershor”… “Domethënë do të shkoni pa u çlodhur fare pas gjithë asaj punë, sidomos pas diplomës?”. “E ç’mund të bëj tjetër?”. “Unë kam një mendim: Pas gjithë kësaj ngarkese që keni patur, më duket e udhës të shkoni për të pushuar të paktën nja dy javë, në ndonjë sanatorium andej nga Krimeja… Mua, për vete, më ka pëlqyer shumë bregdeti i Krimesë së vjetër… Ato vise në pranverë shndërrohen në parajsë. Shkoni e vizitoni ato vise të bekuara plot me muzeume, atë të Ajvazovskit në Feodosje, sidomos, pastaj qytetet bregdetare kurative Kerçin, Simferopulin, Sevastopulin”…

Po më çudiste ky njeri: pikërisht kur i thashë se duhet të largohesha më 6 qershor, se Ambasada kishte prerë biletën e avionit, ai më propozonte të shkoja në Krime?! Mos vallë aludonte me shumë kujdes për të thyer nga ana ime urdhrin e Ambasadës dhe për të qëndruar gjithmonë atje, në Rusi? “Çfarë keni, pse merakoseni? Fundja e shtyjmë ca afatin e largimit… Po të jetë puna, pastaj, se do të ktheheni patjetër, ju premtoj se mund t’ju presim biletën për avion, në çdo datë që do të dëshironi… Në bazë të marrëveshjes, detyrimin për shpenzimet e udhëtimit na takojnë neve”.

“Po mirë, nuk ka rrezik se mos zemërohen me mua ata të ambasadës dhe marrin ndonjë masë”, vazhdova edhe unë lojën e aludimeve…

“Eh, po t’ju gjejnë, le t’u rrëbejnë, u shpreh më hapur ai dhe qeshi me të madhe. Sidoqoftë mendohuni… Nuk janë vendime që merren më këmbë këto”…

“Dëgjoni, mua, të them të drejtën, nuk më pëlqen të flas me aludime, prandaj po ju flas hapur: Kam nënën atje. Më ka marrë malli shumë për të. Dhe sa më shpejt të kthehem, aq më mirë është”… E pashë që nuk i erdhi mirë, po sidoqoftë fjalën e mbajti, për muajin prill më gjeti një fletë kampi për një shtëpi pushimi të Uzinës Nr.1 të prodhimit të avionëve.

Shtëpia e pushimit ishte rreth një orë larg Moskës, vend i qetë dhe shumë i përshtatshëm për studime… Atje edhe pse bëja jetë të mbyllur, madje shumë të mbyllur, u njoha me tre djem, punëtorë, dagestanas që mendonin se “ne ishim të një gjaku”, se ata e kishin prejardhjen nga viset ballkanike, ndofta edhe nga Shqipëria… (Ose e kundërta: shqiptarët kishin ardhur në Ballkan nga ato vise). “Dikur, në lashtësi, popujt tanë janë quajtur njësoj: Albanë”, më shkruan në një copë letër gjatë një bisedë njeri prej tyre… Për çudinë time, ata, që të tre, ishin shurdhmemecë dhe merreshin vesh me njeri-tjetrin me shenja, ndërsa me ne, të tjerët, me letra… Edhe pse nuk ishin shumë të shoqërueshëm, edhe pse unë e kisha kohën shumë të kursyer, krijova me ta marrëdhënie miqësore dhe shkëmbeva disa biseda interesante. I pyeta se, përveç emrit të përbashkët në lashtësi, ku bazoheshin se ishin nga viset ballkanke, madje edhe nga viset shqiptare, se kishin një gjak me ta? A ka për këtë ndonjë fakt të shkruar? “Po, ka, tha për të tre njeri, Vollodja e quanin dhe këtë e vë re çdo njëri që niset nga disa faktore materiale… Së pari, viset tona ndodhen në kryqëzimin e rrugëve të karvaneve hershme (thuhet se nëpër to kanë kaluar ushtritë e Aleksandrit të madh dhe legjionarët romakë…). Pastaj edhe nga mënyra e jetesës: Kullat në fshatrat tona janë ngritur një këtu dhe një atje dhe u ngjajnë atyre të viseve malore shqiptare… Jo vetëm nga pamja e jashtme, me muret mbrojtëse, me frëngjitë dhe oborret e rrethuara me gardhe dhe avlli, por edhe për ambientet e brendshme, sidomos “odat e zjarrit”, ose të miqve sikurse quhen më dendur, ato kanë shumë ngjashmëri. E dyta, ka të përbashkëta edhe disa karakterisika shpirtrore: të parëve tanë iu pëlqente ca mercenarizmi, kanë qenë gati të shkojnë me pagesë, nën komandën e flamurtarit të tyre, kudo që shpërthente ndonjë kryengritje dhe e shtypnin pa mëshirë (me sa kam lexuar, edhe andej nga ju kanë vepruar deri vonë në këtë mënyrë). E treta, ata janë marrë me blegtori, kryesisht me mbarështrimin e dhive për prodhimin e qumështit, lëkurëve dhe leshit, të cilin e përpunonin (dhe vazhdojnë ta përpunojnë) me mjeshtëri për të përgatitur një shajak xhokesh dhe gunash, të cilat i qepnin (dhe i qepin) me shije të lartë: të gjata gjer te gjunjët, me bel të shtrënguar pas trupit dhe supet si strehë… E pesta, kanë përdorur (dhe përdorin) me shkathtësi shpatat dhe hedhin me përpikmëri thikat e mprehta në largësi goxha të mëdha… Po më shumë se çdo gjë të forcojnë bindjen historia dhe legjendat për marshimet e Aleksandrit të Maqedonisë. Dihet tanimë se ai ka patur një ushtri shumëkombëshe të përbërë kryesisht nga fiset e mëdha patriarkale dhe e fundit, ajo që i vë vulën, është zakoni i tij për të vendosur në tokat e pushtuara postblloqe fisesh, madje dhe fshatrash të tëra që sherbenin si nyje ndërlidhëse, qendra shërimi të të plagosurve, vende për ndërrimin e kuajve të postës, etj. Ja, kështu shpjegohet edhe numri i madh i kombësive që ka tani në viset nga ka kaluar ushtria e tij, sidomos në Dagestan…

– Po ndonjë dokument të shkruar që të tregojë prejardhjen e njëjtë dhe lidhjet e gjakut midis albanëve të Kaukazit dhe atyre të Ballkanit, ju ka rënë rasti të lexoni?

– Ka shkencëtarë që e përjashtojnë kategorikisht “njëgjaksinë” e të dy popujve me emrin albanë. Ka të tjerë që venë në dukje se albanët e Kaukazit janë futur në histori dhe përmenden vetëm pas marshimeve të Aleksandrit të madh për në Indi, (pra, i ka patur ai me vete dhe i ka lënë si prapavijë) sidoqoftë tani është e kotë të merresh me atë punë sepse ata janë asimiluar nga popujt e tjerë në kufi me viset e tyre, edhe pse ishte një kohë e artë, kur arritën të krijojnë mbretëri, madje edhe të vazhdonin për shekuj dinasti mbretëriore… Përsa u përket dokumenteve të shkruara është fakt se për gargarët dhe amazonet (fise albane), ka shkruar gjeografi i lashtësisë greke Straboni. Sipas tij albanë quheshin vetëm pjesëtarët e një fisi nga 26 fise të tjerë që jetonin bashkarisht në luginën e lumit Kuri… Pikërisht ky fis mori inisiativën e krijimit fillestar të bashkimit të fiseve të tjera albane… Sipas Strabonit, fiset e albanëve jetonin në tokat pjellore midis detit Kaspik dhe Iverikut.